Qeveria blen kohë për statusin e Ohrit

    Një delegacion qeveritar, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski dhe gjashtë ministra dhe kryetarë komunash, ndodhet në një vizitë pune dy-ditore në Paris për të prezantuar para përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s masat e marra për të zbatuar rekomandimet për rrezikun që i kanoset zonës së Ohrit. Vitin e kaluar, UNESCO shtyu regjistrimin e rajonit në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të rrezikuara, por me kusht që Maqedonia e Veriut të zbatojë masa specifike deri në shkurt 2026.

    Ndërsa, pak ditë më parë Qeveria dorëzoi në UNESCO Raportin mbi masat e marra për të mbrojtur Ohrin dhe Liqenin e Ohrit. Sesi do të vlerësohet dhe nëse rajoni i Ohrit do të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, do të duhet të shihet në qershor, në sesionin e ardhshëm të UNESCO-s.

    “Takimet do të nxjerrin në pah angazhimin e fortë të Qeverisë për ruajtjen e statusit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit. Gjithashtu do të theksohet se shteti po krijon një sistem mbrojtjeje që garanton ruajtjen e integritetit dhe autenticitetit të Rajonit të Ohrit si një vlerë e jashtëzakonshme universale. Delegacioni do të trajtojë gjithashtu masat e ndërmarra nga Qeveria, si dhe faktin që institucionet kompetente po bëjnë përpjekje maksimale për të zbatuar rekomandimet e misioneve reaktive (2020 dhe 2024) dhe Planin Strategjik të Rehabilitimit”, bëjnë me dije nga Qeveria.

    Raporti është përgatitur bazuar në të dhënat nga të gjitha institucionet përkatëse dhe në koordinim me Shqipërinë, dhe është shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për UNESCO-n dhe Qeveria. Delegacioni përbëhet nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski, ministrat, i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, si edhe kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Petsakov; dhe i Strugës, Mendi Qyra. Si pjesë e vizitës, delegacioni do të takohet me Khaled El-Enani, drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, një takim me ndihmësdrejtorin e UNESCO-s Ernesto Ottone përgjegjës për Kulturën… e të tjerë.

    Vërejtjet e UNESCO-s lidhen me urbanizimin e tepërt dhe ndërtimet e paligjshme. Po ashtu, eutrofikimin e liqenit, planifikimin e dobët hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme dhe projektet e mëdha të infrastrukturës janë disa nga shkaqet që kanë çuar në një çrregullim serioz të vlerave kryesore të rajonit, gjë që përbën një kërcënim real për statusin e tij. Gjithashtu edhe degradimi i vazhdueshëm i vlerave të mbrojtura, duke përfshirë kaosin urban, ndërtimet e pakontrolluara dhe menaxhimin joadekuat të rajonit.

    Lajmi Paraprak

    KUR LAPSI ZËVENDËSOHET NGA EKRANI! | Shkrimi i dorës drejt zhdukjes

    Lajmi i rradhës

    Pse duhet të konsumoni më shpesh lëng kockash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë