KUR LAPSI ZËVENDËSOHET NGA EKRANI! | Shkrimi i dorës drejt zhdukjes

    Teknologjia po zë një vend gjithnjë e më të madh në jetën e përditshme dhe në sistemet arsimore, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si fëmijët mësojnë, komunikojnë dhe shprehen. Përdorimi i gjerë i pajisjeve digjitale, si tabletët, telefonat inteligjentë dhe kompjuterët, ka sjellë përfitime të shumta, por njëkohësisht ka nxitur edhe shqetësime serioze, veçanërisht në lidhje me humbjen graduale të shkrimit me dorë.

    Mësues dhe ekspertë të arsimit paralajmërojnë se gjithnjë e më pak fëmijë praktikojnë shkrimin tradicional, duke e zëvendësuar atë me tastiera dhe ekrane me prekje. Sipas tyre, mungesa e një rregulli të qartë në përdorimin e teknologjisë në shkolla dhe në familje po ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e kësaj aftësie bazë, e cila për dekada ka qenë themel i procesit mësimor.

    Në këtë kontekst, UNESCO ka prezantuar një nismë zyrtare për mbrojtjen dhe promovimin e shkrimit të dorës, i cili po vihet gjithnjë e më shumë në rrezik nga përhapja masive e shkrimit digjital. Organizata thekson se shkrimi i dorës nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një element thelbësor i zhvillimit njerëzor, i lidhur ngushtë me identitetin kulturor dhe transmetimin e dijes ndër breza.

    Historikisht, shkrimi me dorë është konsideruar jo vetëm një aftësi e fituar, por edhe një tipar antropologjik i zhvillimit të njeriut. Megjithatë, edhe përpara dominimit të teknologjisë digjitale, mësimdhënia e bukurshkrimit kishte humbur gradualisht rëndësinë e saj në shumë sisteme arsimore. Sot, kjo prirje është thelluar edhe më tej, duke e lënë lapsin dhe fletoren në hije përballë ekranit.

    Studime shkencore tregojnë se mungesa e shkrimit të dorës ndikon negativisht në zhvillimin kognitiv të fëmijëve, pasi ky proces aktivizon aftësi mendore dhe psikomotore thelbësore. Mospraktikimi i tij lidhet gjithashtu me vështirësi të të nxënit, si disgrafia, disleksia dhe diskalkulia

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se varësia e hershme nga pajisjet digjitale mund të dobësojë përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për të strukturuar mendimin. Shkrimi me dorë kërkon kohë, përqendrim dhe reflektim, elemente që shpesh mungojnë në komunikimin e shpejtë digjital.

    Projekti i UNESCO-s përfshin dimensione kulturore, arsimore dhe ekonomike dhe synon rikthimin e shkrimit të dorës në qendër të proceseve edukative. Objektivat kryesore përfshijnë parandalimin e braktisjes së kësaj aftësie përmes praktikës së rregullt, veçanërisht në fazat kritike të zhvillimit të fëmijëve, si dhe nxitjen e përdorimit të shkrimit me dorë gjatë gjithë jetës.

    Një komponent i rëndësishëm i nismës është edhe vlerësimi dhe ruajtja e trashëgimisë dokumentare të shkruar me dorë, e cila përfaqëson një pasuri të paçmueshme historike, kulturore dhe artistike. Për UNESCO-n, mbrojtja e shkrimit të dorës është thelbësore jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm.

    Profesoresha e gjuhës shqipe, Luana Basha, tha për gazetën Koha se zbehja e përdorimit të shkrimit të dorës po shihet si problem.

    “Fakti që braktisja apo zbehja e përdorimit të shkrimit të dorës shihet si problem dhe po diskutohet, aq sa kërkohet të merret në mbrojtje edhe nga UNESCO, tregon se ekziston një  shqetësim real  për pasojat, që mund të jenë të natyrave të ndryshme. Lidhja me fletën, si  në të shkruar ashtu edhe në të lexuar, krijon një mjedis më intim, që rrit përqendrimin, zhvillon imagjinatën, aftësitë motorike, kujtesën vizuale, por edhe ndjesinë artistike. Të gjitha këto janë të rëndësishme për t’u kultivuar, sidomos gjatë moshës shkollore”, u shpreh profesoresha Basha.

    Për hir të së vërtetës, teknologjia sot është një realitet ndaj të cilit nuk mund të jemi indiferentë. Ajo na ndihmon, sidomos në kursimin e kohës. Nxënësit shpesh parapëlqejnë tastierën para stilolapsit. Megjithatë, teknologjia nuk duhet të zëvendësojë përvojat që ndërtojnë përqendrim dhe thellësi në të menduar, tha profesoresha.

    “Tastiera ofron vetëm shkronjat e shtypit, dhe kjo bën që të lihet në harresë një pjesë e rëndësishme e shprehjes me shkrim. Përveç kësaj, programet gjuhësore dhe ato të drejtshkrimit që ofron teknologjia ndikojnë që nxënësit të mos jenë gjithmonë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm edhe  në fushat përkatëse. Mendoj se shkollat duhet ta praktikojnë gjithnjë e më shumë shkrimin e dorës, jo vetëm në lëndën e gjuhës, me qëllim që të krijohet një baraspeshë mes të dyjave”, shtoi Basha.

    Lajmi Paraprak

    Ministri i Drejtësisë kundër të gjithëve për jurisprudencën në shqip

    Lajmi i rradhës

    Qeveria blen kohë për statusin e Ohrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë