BE i thotë “JO” propozimeve të transportuesve nga Ballkani, priten protesta

    Komisioni Evropian (KE) i ka refuzuar të gjitha propozimet e dërguara nga vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim gjetjen e një kompromisi për kufizimin e qëndrimit të transportuesve të mallrave nga rajoni në vendet e Shengenit, raportojnë mediat. Për shkak të përgjigjes negative, të mundshme protesta të reja nga transportuesit dhe bllokada të pikave kufitare dhe porteve. Transportuesit kishin propozuar që shoferët profesionistë të pajisen me viza të veçanta ose dokumente të ngjashme që do t’u mundësonin të qëndronin më gjatë dhe të punonin në BE pa e ndryshuar vendbanimin e tyre, ose që koha e punës sipas urdhrave të udhëtimit gjatë tranzitit nëpër BE, të mos llogaritet në kohën e qëndrimit.

    “Përfaqësuesit e KE-së thanë se të gjitha propozimet janë të pamundura dhe nuk janë në përputhje me Shengenin. Kur i pyetëm, nëse i refuzojnë të gjitha propozimet tona, cili është propozimi i tyre, përgjigjja ishte e prerë: ‘shoferët dhe transportuesit duhet të përshtaten me rregullin 90/180’”, deklaroi për “Vijesti” një nga pjesëmarrësit në takimin e fundit.

    Përfaqësuesit e KE-së ofruan mundësinë që transportuesit të marrin vizë nga një shtet anëtar vetëm për qëndrim më të gjatë se 90 ditë në atë shtet. Si përgjigje, përfaqësuesit e transportuesve thanë se në këtë mënyrë shoferët e tyre do të bëheshin praktikisht qytetarë të atyre vendeve të BE-së, duke çuar në humbjen e tyre, pasi do të mund të punonin për transportues evropianë. Ata theksuan se në atë rast, edhe kompanitë e transportit nga rajoni do të duhej të zhvendoseshin dhe të regjistroheshin në shtetet anëtare të BE-së, gjë që është procedurë e gjatë dhe e ndërlikuar, ndërsa vendet fqinje anëtare të BE-së mund të mos i pranonin, pasi do të bëheshin konkurrencë për transportuesit e tyre.

    Bashkëbiseduesi i “Vijesti” tha se përfaqësuesit e KE-së nuk kishin koment për këto vërejtje dhe qëndrojnë pas qëndrimeve të tyre. Kryetari i grupit të punës nga BE-ja ka caktuar një takim të ri pas dy javësh.

    Sipas të njëjtit burim, procedura për zgjidhjen e propozuar nga BE-ja “do të zgjasë me vite, ndërsa transportuesit do të mbeten pa punë në prill”. Për këtë arsye, transportuesit pritet të bien dakord për një formë të re proteste në ditët në vijim. Në fillim të prillit do të hyjnë në fuqi rregullat, sipas të cilave, transportuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të qëndrojnë dhe të punojnë maksimumi 90 ditë në territorin e BE-së brenda një periudhe 180-ditore. Transportuesit vlerësojnë se, sipas rregullave të reja dhe duke përfshirë kohën e pritjes dhe procedurat e tjera, ata do të mund të punojnë maksimumi rreth dhjetë ditë në muaj, gjë që do t’i bëjë jokonkurrues ndaj transportuesve të BE-së dhe do t’i lërë pa punë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Çka nëse nuk ka marrëveshje në VLEN? Gashi: do të dorëhiqemi nga posti i Kuvendit

    Lajmi i rradhës

    Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë