Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka njoftuar se ka përfunduar ngjyrosja e obeliskut për këtë vit, duke zbuluar edhe simbolikën që përcjell instalacioni në edicionin e radhës.

    Fotografia nga Fisnik Ismaili

    Sipas tij, koncepti i këtij viti i kushtohet Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë e shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare, si dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si aleatin kyç në mbështetjen e kësaj lirie.

    “Kushtuar Kosovës, rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kyç në mbështetjen e kësaj lirie”, ka shkruar Ismaili.

    Në fund të mesazhit, ai ka theksuar edhe simbolikën numerike “KOSOVA 18” dhe “USA 250”, që lidhet me përvjetorët përkatës.

    Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.

    Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

    Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.

    NEWBORN-i ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.

    Lajmi Paraprak

    BE i thotë “JO” propozimeve të transportuesve nga Ballkani, priten protesta

    Lajmi i rradhës

    Seleni dhe tiroidja, ndihmë apo rrezik për pacientët me Hashimoto?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë