Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese sociale në rajonin e Dibrës. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 8 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2025 ky numër është rritur në 9 raste. Edhe pse shifrat duken të vogla në pamje të parë, ato përfaqësojnë histori reale dhimbjeje, frike dhe pasigurie për viktimat, kryesisht gra dhe fëmijë.
Sipas punonjësve socialë, numri real i kësaj dukurie është shumë më i lartë sesa ai që raportohet zyrtarisht. Për shkak të njohjeve mes familjeve në Dibër, shumë viktima hezitojnë ta paraqesin dhunën që përjetojnë dhe zgjedhin ta mbajnë të fshehur. Ekspertët e fushës së çështjeve sociale theksojnë se shkaqet kryesore të dhunës në familje lidhen me gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale, papunësinë, varfërinë, stresin e përditshëm, por edhe mungesën e komunikimit dhe edukimit brenda familjes.
Punonjësja sociale pranë Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, Lindita Bellçishta, thotë se dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme dhe, për fat të keq, po rritet nga viti në vit. “Gjatë vitit 2025 janë regjistruar në Dibër 9 raste të dhunës në familje. Bëhet fjalë për 8 gra viktima të kësaj dukurie negative dhe një burrë. Shkaqet më të shpeshta janë problemet financiare, të cilat shpesh kthehen në konflikte të vazhdueshme, e në disa raste përfundojnë me dhunë fizike, psikologjike apo ekonomike”, thotë Bellçishta. Ajo shton se viktimat kryesisht janë gra, si nga fshatrat e Dibrës ashtu edhe nga qyteti, ndërsa ka edhe shumë raste që mbeten të pazbuluara për shkak të frikës dhe turpit.
Sipas punonjëses sociale, dukuria është më e theksuar te familjet me probleme sociale, te ata që merren me bixhoz, te personat që konsumojnë alkool apo lëndë narkotike, si dhe te familjet që jetojnë në varfëri të skajshme. Një tjetër shqetësim serioz në Dibër mbetet mungesa e një strehëze, përkatësisht një strehe të sigurt për viktimat e dhunës në familje. Aktualisht, personat që përjetojnë dhunë nuk kanë një vend të posaçëm ku mund të strehohen menjëherë për t’u larguar nga ambienti i rrezikshëm. Kjo i detyron shumë viktima të heshtin, të durojnë dhunën ose të kthehen sërish te dhunuesi, për shkak të mungesës së alternativave, thonë punonjësit socialë.
T.V. (33 vjeçe), viktimë e dhunës në familje, thotë se disa herë e ka paraqitur dhunën e ushtruar nga bashkëshorti në Qendrën për Punë Sociale.
“Kam raportuar disa herë dhunën nga bashkëshorti në Qendrën për Punë Sociale. Edhe pse ekspertët e këtij institucioni kanë punuar me mua, por edhe me bashkëshortin, unë përsëri u ktheva në shtëpinë e tij. Po të kisha gjendje më të mirë ekonomike, ose po të kisha një garsoniere apo një vend nga shteti, kurrë s’do të kthehesha, sepse dhuna është përsëritur dhe do të përsëritet në familjen tonë”, shprehet bashkëbiseduesja jonë.
Institucionet lokale dhe organizatat joqeveritare apelojnë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, krijimin e një strehe për viktimat e dhunës në familje në Dibër, si dhe për organizimin e fushatave sensibilizuese. Sipas tyre, parandalimi i dhunës kërkon jo vetëm masa ndëshkuese, por edhe mbështetje psikologjike, sociale dhe ekonomike për familjet në nevojë.
Dhuna në familje nuk është çështje private, por problem i gjithë shoqërisë. Çdo rast i raportuar është një hap drejt thyerjes së heshtjes dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Vetëm përmes ndërgjegjësimit, mbështetjes së viktimave dhe krijimit të mekanizmave mbrojtës, mund të arrihet ulja e këtij fenomeni shqetësues në komunitetin e Dibrës. /Koha/






