Mirënjohja për aleatët tanë dhe dëshpërimi nga ta

    Rilind Dauti

    Rilind Dauti
    Publicist

    Në pamundësi që vet ta dëbojmë shtypësin, shqiptarët e Kosovës dhe anembanë botës gjithmonë duhet të jenë mirënjohës për mbështetjen nga jashtë: shtetet ku jetonin qindra mijë shqiptarë të cilët dërgonin fonde për Kosovën nën okupim, në veçanti për Gjermaninë që e lejoi të veprojë qeverinë në ekzil të Bukoshit. Për këtë periudhë meriton respekt edhe Parlamenti Evropian që e ndihmoi dhe legjitimoi përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës duke e ndarë Çmimin Saharov për dy ikonat e rezistencës shqiptare: Demaçit dhe Rugovës, sado që nuk duhet të harrohet se po në Parlamentin Evropian, sipas librit “Kosova” të Jusuf Buxhovit, më 1992 një parti pat propozuar që në veriun e Republikës së Shqipërisë të vendosen trupa të NATO-s, që ato të jenë afër kufirit të Republikës Federale të Jugosllavisë së Millosheviqit me qëllim që të pamundësohet që territori i Shqipërisë të bëhet bazë për sulme i shqiptarëve të Kosovës ndaj RFJ së Millosheviqit! Pra, ishin ithtarë që të shkelet sovraniteti i shtetit shqiptar ashtu që regjimi i Millosheviqit të jetë edhe më i sigurt në persekutimin e shqiptarëve në Kosovë!

    Fatmirësisht, në fund të asaj dekade të rëndë për shqiptarët triumfoi e mira kur shteti më i fuqishëm i botës intervenoi për dëbimin e shtypësit serb. Për këtë gjithmonë do t’i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të\ Amerikës dhe në shkallë shumë më të vogël edhe aleatëve evropianë që nën udhëheqjen amerikane (përndryshe vet nuk do ta bënin asnjëherë) dhanë një kontribut shumë më të vogël në bombardimin e caqeve serbe. Për këtë mbështetje gjithmonë do t’iu jemi mirënjohës, sado që aleatët tanë UÇK-në e çarmatosën menjëherë, ndërsa sa për krahasim, Republika Srpskan e lejuan që pas Dejtonit më 1995 e deri më 2004, ta ketë ushtrinë e vet të armatosur deri në dhëmbë.

    E dimë për nder praninë e trupave nga të gjitha shtetet në KFOR e që janë pengesë e rikthimit të Serbisë në Kosovë (në fakt Serbia i frikohet vetëm Amerikës), sado që pas mbarimit të luftës, në praninë e KFOR-it francez, u vranë dhe u dëbuan shqiptarët nga veriu i Kosovës. Jemi mirënjohës për trupat e huaja që e ruajnë Kosovën nga kthimi i Serbisë, sado që prania e tyre shpesh është fyese ndaj shqiptarëve, si karabinierët italianë që nuk e lejojnë hapjen e Urës mbi Ibër, e trupat molldavë që e ruajnë Manastirin e Deçanit thua ti se ende jetojmë në vitin 2004 dhe shqiptarët janë egërsira nga të cilat duhet të mbrohen serbët e shkretë. Sa për krahasim, në territorin e entitetit gjenocidal Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës, trupat evropiane të EUFOR-it fare nuk i mbrojnë boshnjakët nga nacionalistët serbë.

    Pas çlirimit, ua dimë për nder fondeve për rindërtim të Kosovës, organizatorëve që Kosovën nën UNMIK e lejuan të bëhet pjesë e nismave bashkëpunuese krahas shteteve sovrane, dhe me qëllim që të mos ngelet mbrapa shteteve fqinje në procesin eurointegrues, sepse si protektorat dhe jo shtet Kosova nuk mund të bëhej pjesë e Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit, Bashkimi Evropian enkas për Kosovën e shpiku Mekanizmin Gjurmues të Stabilizimit dhe Asocimit. Pas pavarësisë e këndej, BE i vazhdon ndihmat zhvillimore dhe e fton Kosovën nëpër samite ndërkombëtare si e barabartë përkundër mosnjohjes së 5 shteteve anëtare, sado që qëndrimi i këtyre shteteve është se edhe pas të gjitha krimeve të dokumentuara, Serbia ka të drejtë të ushtrojë sovranitet mbi shqiptarët e Kosovës.

    E dimë për nder pavarësinë, sado që erdhi me imponimin e kushteve joparimore, siç është ndalimi i Kosovës që të ketë ushtri, gjë që vazhdon të kundërshtohet nga shumica e aleatëve tanë. Sa për rikujtim, Republika Sërpska u lejua të ketë ushtri deri më 2004, ndërsa edhe tani Forcat e Armatosura të BeH vazhdojnë të jenë të ndara etnikisht dhe rrezik për përsëritje të luftës. Tani gjatë paqes së padrejtë, atje EUFOR-i nuk guxon të bëjë asgjë për Dodikun që haptazi e sfidon autoritetin e ndërkombëtarëve, ndërsa në Kosovë EULEX-i demonstron forcë duke ua bastisur shtëpitë dhe arrestuar ushtarët e UÇK-së.

    Jemi mirënjohës për disa nga kriminelët e shumtë serbë të dënuar në Hagë, por përse gjithë ajo këmbëngulje për të gjetur krime edhe nga shqiptarët? Karla del Ponte me “gjahun” e saj, Dik Marti me “shtëpinë e verdhë”… Po hajde bre, le të themi se ka diçka të vërtetë te ajo e zeza shtëpi, a ka të krahasuar kjo me trupat e copëtuara në varret masive të shqiptarëve nëpër Serbi?!

    Le të themi se ka diçka të vërtetë te akuza ndaj UÇK-së guerile për ndalime arbitrare, tortura, dhe ekzekutime pa gjyq. Po a ka kjo të krahasuar me bëmat e autoriteteve serbe ndër dekada që e kishin tërë aparatin shtetëror: të burgosur politikë, ekzekutim të shqiptarëve edhe në mërgatën perëndimore, rrahje, tortura, përdhunime, masakra…

    Në lajmet e shumta nga gjyqi i turpit që këto vite i është bërë krerëve të UÇK-së, si argument rastisi të paraqitet edhe një shprehje që gjoja e paska thënë pas Luftës njëri nga të akuzuarit e atij procesi të absurdit: “në Kosovë më asnjëherë nuk do të flitet serbisht”. Nga ana tjetër, president i Serbisë është dikush që në foltoren e parlamentit serb ka incizim duke thënë “për një serb do të vrasim qindra muslimanë”, dhe askush nuk shqetësohet për këtë, madje e marrin me të mirë.

    Si është e mundur që për një ish të burgosur politik si Jakup Krasniqi, e të tjerët që gjoja qenkan përgjegjës për vrasjen pa gjyq të disa dhjetëra (hajde le të themi qindra) personave, të kërkohet po aq vite burg sa për një Ratko Mlladiq që është përgjegjës për vrasjen e dokumentuar të dhjetëra mijë civilëve?!

    Kushdo që ka bërë krime lufte duhet dënuar, por barra e dënimit duhet të rëndojë mbi atë që ka qenë shtypës, shkaktar i luftës, dhe është dëshmuar si pala që më së shumti ka bërë krime. Ndërkaq, shumë tipa në Perëndim kanë rënë pre e taktikës serbe për relatavizim “nuk kanë bërë vetëm serbët krime”. Kjo taktikë e tyre është po aq e pafytyrë sikur, për shembull, pas Luftës së Dytë Botërore, gjermanët të përpiqeshin ta relativizojnë fajin duke thënë “ne kemi bërë krime, ama pas çlirimit të kampeve të përqendrimit, ushtarët aleatë i kanë ekzekutuar pa gjyq disa nga SS-gardianët”. Apo të thoshin “pas çlirimit të kampeve të përqendrimit, disa të burgosur hebrenj i kanë linçuar pa gjyq SS-gardianët dhe Kapot” (bashkëpunëtorët hebrenj në mesin e të burgosurve).

    (vazhdon…)

    *Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Politika kërkon politikanë të vërtetë

    Lajmi i rradhës

    Ramazani dhe orari i shkollës: çka nuk e kuptojnë as mbështetësit as kritikët

    Lajme tjera

    Shteti ka rënë

    LEONARD DEMI MOSQEVERISJA Mosqeverisja sulmon kapacitetin dhe legjitimitetin e qeverisë, e zëvendëson atë me vullnetin vetiak të një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë