Studentët e juridikut paralajmërojnë protesta, nëse nuk zgjidhet problemi me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përcjell Nistori.
Mevlan Ademi nga Nisma studentore kërkoi nga Ministri i drejtësisë Igor Fillkov që të reflektojë dhe të zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhës. Ideja për protestë erdhi pas mbledhjes së studentëve në Universitetin “Nënë Tereza”.
“Sot jemi mbledhur këtu në Universitetin “Nënë Tereza” për të treguar se studentët shqiptar këtu në vendin tonë kanë folur shqip dhe do të flasin shqip”, tha Besart Sejdiu – kryetar i Kuvendit studentor UNT.
“Por përsëri një muaj pas dorëzimit të kërkesës sonë në institucionet relevante nuk ka ende asnjë veprim konkret në zgjidhjen e kësaj, për këtë arsye sot ne u mblodhëm, mbajtëm mbledhjen e parë organizative me 3 universitete të ndryshme për të mobilizuar kolegët tanë nga fakultetet tjera dhe të përgatitemi për protestë. Nga sot fillon përgatitja për protestë dhe përsëri ne kërkojmë nga ministri i drejtësisë që të reflektojë dhe të zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhës, të angazhohet në zgjidhjen e problemit para se të ndërtojë mure”, u shpreh Mevlan Ademi nga Nisma studentore.
Ndryshe, ministri Filkov tha se për momentin nuk ekziston mundësi që provimi në fjalë të jepet në gjuhë tjetër përpos maqedonishtes, ndërsa pyeti deputeten e Frontit Europian, Dijana Toskën, se çfarë kanë bërë 8 ministrat e Drejtësisë nga BDI për 20 vjet, në lidhje me këtë çështje.
“Rreth provimit të jurisprudencës dhe rreth asaj si jepet dhe si mund të jepet. Për momentin nuk ka mundësi që të jepet në gjuhë tjetër përpos maqedonishtes. Për shkak se provimi i jurisprudencës është provim profesional, nuk është provim procedurë administrative. Ju e keni të qartë këtë. Edhe Komisioni i Venecias ka dhënë mendim për përdorimin e gjuhës dhe për momentin në Kushtetuese ka 13 nisma për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë për të njëjtin. Rreth përdorimit të gjuhës dhe asaj. A është dikush nacionalist apo jo, flet ky vërtetim që është në dy gjuhë dhe është nënshkruar nga unë këtu poshtë në të majtë. Secili që ka kërkua në Ministrinë e Drejtësisë, i është lejuar, kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Por ju sot duhet të përgjigjeni se çfarë kanë bërë 8 ministrat tuaj në 20 vitet e kaluara”, tha Fillkov. /Nistori/






