Rutte: RMV-ja aleate besnike e NATO-s, vendimtare për sigurinë në Ballkanin Perëndimor

    Rrethanat e sotme komplekse të sigurisë kërkojnë vigjilencë, gatishmëri, forcim të aktiviteteve të instrumenteve për paralajmërim të hershëm dhe investime më të forta dhe të qëndrueshme në kapacitetet mbrojtëse. Maqedonia e Veriut është një aleat besnik i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë e të gjithë rajonit, theksuan në një konferencë të përbashkët për shtyp presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në RMV, përcjell Nistori.

    Mark Rutte tha se Maqedonia e Veriut është një aleat besnik i NATO-s dhe kontribuon në sigurinë e krahut lindor të Aleancës.

    “Maqedonia e Veriut shpenzon më shumë se 2 për qind të PBB-së për mbrojtje. Ky është një përparim i madh dhe vendi po bën përpjekje për të arritur 5 për qind, siç është premtuar. Ne duhet t’i rrisim kontributet tona për mbrojtje dhe t’i financojmë plotësisht aktivitetet e NATO-s. Dua ta përshëndes mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën”, deklaroi Rutte.

    Ai theksoi se duhet të bashkëpunojmë për të forcuar sigurinë tonë të përbashkët dhe se Maqedonia e Veriut luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

    “Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i qartë. Ne nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie. NATO është e përkushtuar për t’i mbrojtur të gjithë aleatët e saj, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballen. E di se mund të mbështetemi te Maqedonia e Veriut për të luajtur rolin e saj” shtoi Rutte në një konferencë të përbashkët për shtyp me Gordana Siljanovska-Davkova.

    Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, tha se është e nevojshme që brenda Aleancës të tejkalohen ose të harmonizohen dallimet, në mënyrë që të sigurohet kohezion i bazuar në vlerat dhe parimet e përbashkëta mbi të cilat është themeluar NATO-ja

    Ajo shprehu bindjen se NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por shtylla kurrizore e përgjegjësisë së përbashkët dhe, mbi të gjitha, e një vizioni të përbashkët. Sipas saj, vendi vazhdon të jetë një anëtar i përgjegjshëm i Aleancës.

    “Si aleat i besueshëm, ne po zbatojmë planin e investimeve në mbrojtje. Theksoj se nuk bëhet fjalë për përqindje apo shifra, por për investim në mbrojtjen dhe sigurinë e përbashkët. Ne kontribuojmë në mënyrë aktive në qëndrimin mbrojtës të NATO-s dhe, në këtë mënyrë, dëshmojmë se siguria është përgjegjësi e përbashkët”, tha presidentja.

    Siljanovska Davkova theksoi se garancia më e madhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor është integrimi i menjëhershëm dhe i plotë i rajonit në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, siç u shpreh ajo, pret që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara t’i kushtohet vëmendje e veçantë situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh sfidat aktuale. /Nistori/

        Lajmi Paraprak

        Policia me detajet e para rreth vdekjes së një 10-vjeçari në Tetovë

        Lajmi i rradhës

        Higjiena Komunale Shkup: Çairi, shkelësi më i madh i Ligjit për Pastërti Publike

        Lajme tjera

        Bashkohu

        Informohu në kohë