Kushtetuta për dikë nënë, e për dikë njerkë!

    Dhënia e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte epiqendra e debatit në seancën për pyetje deputetësh, ku deputeti Skender Rexhepi nga Fronti Evropian dhe kryeministri Mickoski shkëmbyen akuza të drejtpërdrejta për diskriminim, keqinterpretim ligjor dhe manipulim politik. Rexhepi e adresoi drejtpërdrejt kryeministrin, duke ngritur çështjen e bazës ligjore për zhvillimin e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. “Kryeministër, para vetes e kam Ligjin për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Publikisht ju pyes, t’i përgjigjeni opinionit: në cilin nen shkruan se provimi i Jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën maqedonase? Do t’ju kursej nga përgjigjja, nuk shkruan në asnjë nen”, deklaroi Rexhepi nga foltorja. Ai theksoi se, përderisa gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në shtet, nuk ka bazë që ajo të mos përdoret në një proces të tillë.

    “Pse e njëjta rregull nuk vlen edhe për gjuhën shqipe, kur dihet se si gjuha maqedonase, ashtu edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe përdoret në të gjitha institucionet, komisionet dhe organet shtetërore? Pse ky diskriminim për gjuhën shqipe?”, tha ai, duke shtuar se kjo përbën shkelje edhe të Kushtetutës edhe të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe se institucionet kanë obligim t’u qëndrojnë në krah studentëve. Në argumentimin e tij, Rexhepi iu referua faktit se gjuha shqipe ka status zyrtar sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se zbatimi i saj rregullohet më tej me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke nënvizuar se trajtimi i ndryshëm në provimin e jurisprudencës krijon pabarazi para ligjit.

    Kryeministri, nga ana tjetër, e mohoi kategorikisht ekzistimin e diskriminimit dhe e zhvendosi debatin në interpretimin kushtetues dhe hierarkinë e akteve juridike.

    “Ai që ju e citoni është Amendamenti 5 i Kushtetutës, i cili thotë se në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Pastaj thuhet se gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve, përfshirë gjuhën shqipe, është gjithashtu gjuhë zyrtare, në përputhje me ligjin”, deklaroi ai. Sipas kryeministrit, çështja qëndron te raporti mes ligjeve të përgjithshme dhe atyre të posaçme.

    “Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ‘lex generalis’ dhe nuk mund të mbisinkronizojë një ligj që është ‘lex specialis’, siç është Ligji për provimin e Jurisprudencës. Kur e keni miratuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, është dashur ta harmonizoni me të gjitha ligjet tjera, e jo sot të manipuloni me studentët”, u shpreh ai. Ai premtoi se Qeveria do të gjejë zgjidhje ligjore për këtë çështje, duke shtuar se “këtë problem nuk keni arritur ta zgjidhni për 20 vite”.

    Përplasja për provimin e jurisprudencës u zhvillua në një kontekst më të gjerë akuzash politike. Rexhepi paraprakisht kishte kritikuar Qeverinë për, siç tha, defokusim nga problemet reale dhe për bllokim të integrimit evropian për shkak të mosndryshimit të Kushtetutës.

    “Me mosndryshimin e Kushtetutës, Maqedonia e Veriut ka bllokuar rrugëtimin drejt BE-së dhe po mbetemi të izoluar”, deklaroi Rexhepi, duke paralajmëruar pasoja të mundshme ekonomike dhe gjeopolitike. Ai ngriti edhe akuza të rënda për atë që e quajti “Kolumbia e Evropës”, duke pretenduar se në pjesën lindore të vendit funksionojnë qendra që prodhojnë sasi të mëdha kanabisi “kinse për nevoja farmaceutike”, por që përfundojnë në tregun e narkotikëve.

    Kryeministri i hodhi poshtë këto pretendime.“Rrugën evropiane e bllokoi Qeveria që ju e keni mbështetur, e cila mori detyrime pa siguruar 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese. Sa i përket ekonomisë së kanabisit, ajo është trashëgimi e qeverisë së kaluar. Ne kemi sekuestruar dhjetëra tonelata dhe janë marrë më shumë se dhjetëra licenca”, deklaroi ai. Përndryshe studentët shqiptarë të juridikut ka muaj që po kërkojnë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ndërsa kanë paralajmëruar edhe protesta nëse nuk zgjidhet ky problem. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Gjenerata Z” e Ballkanit nuk ka ndërmend të largohet nga vendet e saj

    Lajmi i rradhës

    Argumentet ‘për’ dhe ‘kundër’ në lidhje me pagën minimale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë