Durmishi: pa arsyetim ekonomik nuk mund të ketë paga më të larta

    Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besart Durmishi, sonte në emisionin “Biznis21” në TV21 deklaroi se çështja e pagës minimale është shndërruar në një arenë politike ditore dhe se çdo rritje eventuale duhet të ketë arsyetim ekonomik.

    “Më vjen keq që një temë kaq serioze si paga minimale është bërë arenë e politikës ditore. Ne kemi rreth 30 mijë persona që marrin pagë minimale, nga gjithsej 750 mijë sa kemi në nivel shteti. Nga këta 30 mijë persona, gjysma prej tyre janë njerëz që kanë hapur vetë biznese, përkatësisht kompani si tregtarë individualë dhe kanë edhe të ardhura të tjera”, tha Durmishi.

    Ai shtoi se si qeveri gjithmonë janë të qëndrimit se pagat duhet të rriten, por se duhet të merren parasysh edhe parametra të tjerë ekonomikë.

    “Sinqerisht, asnjëherë nuk kemi thënë se rritja është e mjaftueshme. Gjithmonë jemi të qëndrimit se pagat duhet të rriten, por duhet të ketë bazë ekonomike. Duhet të shohim edhe produktivitetin dhe të mos shkaktojmë probleme të tjera. Nëse shkojmë me zgjidhje ad-hoc dhe me përmbushjen e kërkesave populiste të opozitës, nëse reagojmë në këtë mënyrë pa arsyetim ekonomik, mund të shkaktojmë inflacion. Ndërkohë, kompanitë me numër më të vogël të të punësuarve mund të përballen me implikime financiare dhe të detyrohen të ndërmarrin hapa për të larguar punonjës”, deklaroi Durmishi.

    Durmishi, deklaroi se zhvillimet po ndiqen çdo ditë dhe se Qeveria është e gatshme të reagojë nëse kriza thellohet.

    “Sa i përket luftës aktuale në Iran, dua të theksoj se po e ndjekim situatën në baza ditore. Krizat globale sigurisht që do të ndikojnë edhe në vendin tonë dhe ne jemi të përgatitur të reagojmë. Tani është herët të parashikohet se sa do të zgjasë kriza dhe cili do të jetë ndikimi ekonomik. Disa analiza ndërkombëtare tregojnë se nëse konflikti zgjat pak, situata mund të stabilizohet. Në të kundërtën, do të ketë pasoja, por si Qeveri do të reagojmë me masa për marzhat”, deklaroi Durmishi.

    Ai sqaroi se një nga masat e mundshme është kufizimi i marzhave të fitimit.

    “Pra, kufizim i marzhave në 10% dhe 5%. Nëse kriza zgjat edhe më shumë, atëherë do të shkojmë drejt ngrirjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore”, tha Durmishi.

    Ministri shtoi se në rast të përkeqësimit të situatës, institucionet do të përdorin të gjitha mekanizmat administrativë për të mbrojtur qytetarët.

    Lajmi Paraprak

    Pa ndryshimet kushtetuese, nuk ka BE

    Lajmi i rradhës

    Retorika e Vuçiqit për Iranin: a po i rrezikon Serbia marrëdhëniet me ShBA-në?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë