Transformimi digjital i menaxhimit të sistemit të ujit në Tetovë vazhdon të ngjallë debat në opinionin tetovar dhe jo vetëm. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është shprehur se dhënia në menaxhim përmes sistemit me partneritet publiko-privat do t’i jepte fund humbjeve të ujit në rrjetin shpërndarës dhe mos pagesës së faturave. Por, mënyra e tillë e dhënies në menaxhim të sistemit digjital të ujit tek ndonjë kompani private është kundërshtuar edhe nga këshilltarët e opozitës në Këshillin e komunës. Së fundmi, Komuna e Tetovës ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e konsultimeve në lidhje me transformimin digjital të sistemit të ujit, respektivisht vendosjes së ujëmatësve digjital.
“Komuna e Tetovës ju fton të bëheni pjesë e pyetësorit konsultativ në lidhje me fizibilitetin e transformimit digjital të sistemit të matjes së ujit. Ky proces synon të vlerësojë mundësitë për modernizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e efikasitetit, saktësisë dhe transparencës në menaxhimin e konsumit të ujit. Ftojmë qytetarët që përmes këtij pyetësori të ndajnë pyetjet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, pasi përfshirja e publikut mbetet element thelbësor në ndërtimin e politikave dhe zgjidhjeve që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme”, qëndron në një ftesën publike të Komunës së Tetovës.
Në debatin publik të mbajtur disa ditë më parë në Komunën e Tetovës lidhur me këtë çështje, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se shihet mundësia e partneritetit publiko-privat për instalimin e orëmatësve të ujit, ndërsa e njëjta kompani do të bëjë edhe faturimin dhe inkasimin e harxhimeve të ujit.
“Në bazë të ligjit uji nuk mund të privatizohet, e kam thënë dhe do ta përsëris. Që të mund ky problem një herë e përgjithmonë të zgjidhet, në bazë të studimit del që në këtë fazë duhet të kyçet edhe partner privat që do të ofronte teknologjinë dhe diturinë për sa i përket asaj që është pika më e dobët për gjithë sistemin me furnizim me ujë. Ajo ka të bëjë me matjen, faturimin dhe inkasimin e harxhimit të ujit të pijshëm në Tetovë. Po të kyçet partneri privat do të lehtësohet zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm”, kishte deklaruar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kundër kësaj ishin deklaruar nga Iniciativa “Më mirë për Tetovën”, të cilët thonë se zgjidhja që ofron komuna është në kurriz të qytetarëve.
“Ata pranuan vetë se nuk kanë mundësi për të menaxhuar ndërmarrjen dhe kërkojnë ndihmë nga partneri privat, që është përsëri zgjedhja që gjendet në kuadër të komunës në kurriz të qytetarëve. Nuk shitet uji, e kuptojmë, është në rregull të gjithë të paguajmë, por zgjedhja që ofron komuna është gjithmonë në kurriz të qytetarëve”, theksuan nga Iniciativa “Më mirë për Tetovën”.
Kundër ishin edhe nga Aleanca Kombëtare për Integrim. “Më së shumti e shohim se ky projekt shkon drejt rrugës së privatizimit. Ne si këshilltarë komunalë, në momentin që kjo pikë do të vijë në rend dite, do të ketë diskutime dhe pyetje shtesë. Nuk do të votojmë me sy të mbyllur dhe kjo situatë i ngjason EVN-MEPSO, njëra bën shpërndarjen e tjetra inkasimin”, tha Berat Murati nga AKI.
Pas akuzave, Komuna e Tetovës përmes një reagimi ka theksuar se projekti i digjitalizimit nuk është koncesion i ujit, por fundi i epokës ku qytetarët e ndershëm paguanin faturat e atyre që keqpërdorin apo vjedhin ujin.
“Uji i Tetovës mbetet i tetovarëve. Ajo që po ‘japim’ është fundi i mospagesës dhe fundi i kyçjeve ilegale. Pretendimi se ‘barra do të bjerë mbi qytetarët’ është cinizëm kulminant. Barrën e vërtetë qytetarët po e mbajnë tani, duke paguar për një sistem ku 70 për qind e ujit humbet, keqpërdoret ose vidhet për shkak të matësve të vjetruar dhe neglizhencës dekadente. Për ata që flasin për ‘barrë mbi kurrizin e popullit’, u kujtojmë se çdo sistem publik funksionon mbi parimin e përgjegjësisë. Këta aktorë të ‘shqetësuar’ i kemi dëgjuar edhe kur Tetova thithte helme nga mbeturinat e djegura, apo bllokonin rrugën për në Rusino. Sot, falë menaxhimit profesional të ‘Saubermacher’ dhe ndërmarrjes rajonale Rusino, Tetova është qytet i pastër. Pa ta, mbeturinat do të digjeshin përsëri para shtëpive tuaja. E njëjta vlen edhe për ujin, nëse nuk vendosim rregull sot, nesër humbjet do të jenë 90 për qind dhe atëherë do të jetë vonë”, qëndron në reagimin e Komunës së Tetovës.
Ndryshe, gjatë prezantimit të studim-fizibilitetit për digjitalizimin e ujëmatësve u tha se zgjedhja e vetme është që në menaxhim të ndërmarrjes të inkuadrohet edhe privati, që sipas tyre do të zgjidhte problemin me ujin në Tetovë. Sipas të dhënave të paraqitura në debat, brenda një viti Tetova nga burimet e Sharrit furnizohet me rreth 10 milionë metra kub ujë, ndërsa faturon rreth 3 milionë metra kub, prej të cilave më pak se 25 për qind e qytetarëve e paguajnë. /Koha/






