Deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendësministres së Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri tregojnë një dinamikë të ndryshme në qasjen e ekzekutivit ndaj projekteve infrastrukturore dhe sfidave ndërkombëtare që lidhen me to, shkruan Nistori.
Mickoski konfirmoi se segmenti Trebenishtë–Qafë Thanë i autostradës Ohër–Kërçovë mund të mos realizohet në formën e planifikuar fillimisht, duke e lidhur këtë me kufizimet që burojnë nga mbrojtja e zonave të përfshira në listën e UNESCO.
“Ky segment me shumë gjasë nuk do të mbetet në plan, sepse kjo nuk varet nga ne, por varet nga UNESCO,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por diskutimet janë në zhvillim, ndërsa qëllimi mbetet sigurimi i një lidhjeje funksionale ndërmjet dy pjesëve të rrugës.
“Po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi… në mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt,” theksoi ai.
Ky qëndrim vjen në një moment kur projekti i autostradës Kërçovë–Ohër përballet me sfida financiare dhe vonesa. Mickoski njoftoi se financimi nga China Exim Bank është ndërprerë, dhe se qeveria po kërkon burime alternative përmes bankave vendore.
“Financimin për përfundimin e autostradës… po e vazhdojmë me fonde që… do t’i marrë hua nga bankat vendore.”
Në të njëjtën kohë, ai u shpreh optimist se projekti mund të përfundojë brenda afatit të ri, deri në mesin e majit 2027, ndërsa theksoi se pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri sa i përket Korridorit 8, duke insistuar se lidhja me Shqipërinë nuk është e rrezikuar, por vetëm në proces përshtatjeje teknike.
“Lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet,” deklaroi ajo.
Sipas saj, sfida kryesore lidhet me faktin se në fazën fillestare të projektimit nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, gjë që ka sjellë nevojën për rishikim të planit.
“Po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm në koordinim me UNESCO-n,.. në mënyrë që ky projekt të mos pengohet,” theksoi Zekolli-Shaqiri.
Ajo e paraqet këtë proces si pjesë të një qasjeje më të gjerë institucionale për të shmangur rreziqet ndaj statusit ndërkombëtar të vendit dhe për të siguruar përputhshmëri me standardet globale.
Nga ana tjetër, kryetari i degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar pas deklaratës së fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke ngritur shqetësime serioze për realizimin e plotë të Korridori 8.
Në reagimin e tij, Pollozhani thekson se çështja e Korridorit 8 nuk mund të trajtohet më si një problem lokal, por si një çështje thelbësisht strategjike për vendin dhe rajonin. Sipas tij, çdo ndërprerje apo mosrealizim i një segmenti kyç rrezikon të cenojë funksionalitetin e të gjithë korridorit dhe të vërë në pikëpyetje rolin e tij si një ndër lidhjet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon.
“Ndërprerja ose zvarritja e projektit nuk është vetëm një çështje teknike, por një goditje ndaj vizionit për lidhshmëri rajonale dhe zhvillim ekonomik,” vlerëson Pollozhani.
Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ofrojnë transparencë të plotë për disa elemente kyçe të projektit, përfshirë statusin aktual të realizimit, arsyet reale të ndryshimeve të mundshme dhe hapat konkretë që do të ndërmerren për të garantuar vazhdimësinë e tij.
Në të njëjtën kohë, Pollozhani i referohet edhe përmendjes së UNESCO në diskutimet për projektin, duke theksuar se këto referenca duhet të trajtohen me seriozitet dhe transparencë, por nuk duhet të përdoren si justifikim për vendime që mund të dëmtojnë integritetin dhe qëllimin strategjik të korridorit. /Nistori/






