Hartat dhe kufijtë e arsyes

    Rilind Dauti
    Publicist

    Sërish një kontroversë publike në lidhje me hartat, tani e motivuar nga një paraqitje në një festival për fëmijë të mbajtur para tre vitesh, por, ashtu siç është shprehi me televizionet tona, në veçanti për serviset publike që nuk e kanë hallin ekzistencial si mediat private, të cilat instinkti i mbijetesës i detyron vazhdimisht të sjellin programe të reja, në Programin e Dytë të servisit publik të RMV-së deri tani (apo thjesht si reprizë) është emetuar incizimi i atij festivali për fëmijë.

    Duke mos e njohur gjuhën shqipe dhe pa e kuptuar tekstin e këngës, që gjithashtu, nga pikëpamja maqedonase, ka përmbajtje problematike, reagimi i publikut maqedonas është fokusuar vetëm te përmbajtja vizuale: njëri nga versionet e hartës së Shqipërisë ku përfshihet rreth 40% e Maqedonisë së Veriut.

    Reagimi histerik, me kërcënime edhe për pasoja të rënda juridike për zyrtarët shqiptarë të RTVM2, nuk e arsyeton peshën e “mëkatit” të 3–4 minutave të paraqitjes së asaj harte. Si do që të jetë, nevojitet edhe një reflektim vetëkritik nga ana e shqiptarëve se çfarë gjërash mund të thuhen dhe çfarë përmbajtjesh mund të paraqiten publikisht në Maqedoninë e Veriut. Qëllimisht theksohet Maqedonia e Veriut, sepse versionet e ndryshme të hartës së Shqipërisë paraqiten shpesh në shtetet fqinje dhe në mërgatën shqiptare, por nuk e kanë të njëjtën “rëndesë” tek publiku maqedonas si kur paraqiten në RMV. Kjo ka të bëjë me ndjenjën e inatit se si mund t’ua lejojmë shqiptarëve këto pretendime territoriale ndaj shtetit tonë, në shtetin tonë.

    Përpjekja e shumë shqiptarëve për ta barazuar të drejtën e paraqitjes së asaj harte të Shqipërisë me hartën e Maqedonisë së zgjeruar është e paqenë. E para përmban pretendime për zvogëlim të territorit të RMV-së aktuale, e dyta përmban pretendime të shtetit aktual për zgjerim të territorit kundrejt shteteve fqinje.

    Sado që 30% e shqiptarëve në RMV nuk mund të krahasohen me më pak se 1% maqedonas në Republikën e Shqipërisë, prapëseprapë mund të parashtrohet pyetja se a thua autoritetet shqiptare do të lejonin që në RTSh të paraqitet harta e Maqedonisë ku përfshihet Prespa e Vogël, Gollobërdo, Kaçaniku dhe Presheva.

    Edhe sikur të realizohej ideja që shqiptarët në RMV të arrinin autonomi kulturore, me ç’rast nuk do të ketë nevojë të pyesim asnjë maqedonas se çfarë bëjmë me mediat, fondet kulturore dhe krijimet tona kulturore, dhe maqedonasve mund t’u themi: “Me fondet tona dhe mediat tona bëjmë çfarë të kemi dëshirë; nëse ashtu duam, në servisin publik e paraqesim një hartë të Shqipërisë jo deri në Kumanovë, por deri në Strumicë.” Prapëseprapë, shtrohet pyetja se a është e hijshme, a është e udhës dhe a është veprim i urtë të themi dhe të bëjmë disa gjëra në paraqitjet publike.

    Kjo nuk i shfajëson të tjerët ndaj nesh; përkundrazi, çdo vëzhgues neutral, që është objektiv, do të mund të konstatojë se media në shqip, elita jonë intelektuale, madje edhe politikanët shqiptarë, janë shumë më të përmbajtur në diskursin publik sesa shumë eksponentë publikë maqedonas ndaj nesh. Sa u përket hartave, është pyetje legjitime përse maqedonasit i shqetëson më shumë Shqipëria me gjysmën e Maqedonisë së Veriut sesa Serbia, ku RMV-ja është e përfshirë e tëra. Përse dokumentarët shqiptarë që përpiqen të dëshmojnë shqiptarësinë e disa viseve në Maqedoninë e Veriut i shqetësojnë më shumë sesa dokumentarët serbë që përpiqen ta dëshmojnë karakterin serb të tërë Maqedonisë së Veriut.

    Por kjo nuk duhet të na bëjë indiferentë ndaj një numri të vogël të tonit që ndonjëherë bëjnë rrëshqitje pa shije. P.Sh., më kujtohet para disa vitesh në një televizion privat të këtushëm, që tregon për rrezikun e transmetimeve të drejtpërdrejta, ishte një studiues shqiptar që vazhdimisht thoshte “pala sllave”, me ç’rast vërehej sikleti i udhëheqëseve të emisionit, aq sa njëra u detyrua ta përmirësojë mysafirin para mijëra shikuesve.

    Frika se mos dalin “shovinistë” ose se duket që anojnë në favor të njërit grup, ndonjëherë nxit edhe (vet)censurë te mediat në shqip, mbase duke u treguar më të kujdesshme seç duhet, siç është në veçanti rasti me mediat dhe programet që mbijetojnë nga fondet euro-perëndimore. Megjithatë, është për t’u krenuar se në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë etj., nuk do të gjesh gazetarë, profesorë apo politikanë që thonë dhe publikojnë përmbajtje të asaj natyre siç shpesh ka në një pjesë të Shkupit, në Beograd apo në Banja Llukë. Shqiptarët duhet ta ruajnë këtë arsye krenarie dhe të mos e humbin duke luftuar për të drejtën e publikimit në RMV të ndonjë përmbajtjeje “patriotike” me vlera të dyshimta artistike.

    *Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Jamal, lojtari që duhet të udhëheqë Barçën kundër Atletiko Madridit

    Lajmi i rradhës

    Kriza e shoqërisë së të rriturve dhe nevoja për të edukuar prindërit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë