As gjysma e Dibrës nuk ka kanalizim atmosferik

    Qyteti i Dibrës në vazhdimësi ka pasur probleme me ujërat atmosferike. Vite më parë, pothuajse çdo sezon kur ka pasur reshje, janë shënuar edhe vërshime dhe përmbytje. Disa herë janë realizuar projekte për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave atmosferike, por deri tani, sipas institucioneve kompetente, qyteti ka vetëm rreth 30 për qind kanalizime për ujërat atmosferike.

    Sipas programit të punës së pushtetit vendor, këtë vit do t’u jepet prioritet aktiviteteve në infrastrukturë, përfshirë edhe kanalizimet atmosferike. Këto ditë, gjatë vizitës së zëvendësministres së Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe në prani të kryetarit të komunës, Fisnik Mela, filloi realizimi i një projekti të ri që ka të bëjë me ndërtimin e kanalizimit të ujërave atmosferike në një rrugë në afërsi të qendrës së qytetit, në një gjatësi prej 700 metrash.

    Përfaqësuesi i sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Dibrës, Gazmend Cami, për gazetën Koha tha se projektet në infrastrukturën e kanalizimeve për ujërat atmosferike në Dibër kanë një domethënie shumë të madhe.

    “Qyteti ka pasur dhe ende ka nevojë për projekte në këtë sferë. Aktualisht Dibra me këto kanalizime është e mbuluar rreth 30 për qind. Por jam i mendimit se duhet t’u jepet prioritet projekteve në këtë sferë, gjë që bën edhe komuna, me qëllim që të mos kemi probleme me ujërat atmosferike. Problemet që paraqiten gjatë reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borës, për shkak të mungesës së kanalizimeve të ujërave atmosferike, janë sidomos në lagjen e re Venec, si dhe në pjesën e epërme të qytetit dhe në disa lokalitete të tjera”, thotë Cami dhe shton se në këto lagje shpesh paraqiten edhe probleme me vërshimet dhe përmbytjet.

    Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, ka deklaruar se për projektin e ndërtimit të kanalizimit atmosferik janë siguruar 160 mijë euro për kanalizimin që po ndërtohet në rrugën “1 Maj”. Po ashtu, për një projekt tjetër në të njëjtën sferë vlera e investimit do të jetë 70 mijë euro, mjete këto të siguruara nga Qeveria.

    Zëvendësministrja për Transport dhe Lidhje, Kaltrina Zekolli Shaqiri, gjatë vizitës në Dibër ka deklaruar se Qeveria do të përkrahë projektet në sferën e infrastrukturës në Dibër, si dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e komunës.

    Projekti i fundit që është realizuar para shumë vitesh ka qenë ai i ndërtimit të kanalizimit të ujërave atmosferike në rrugën kryesore “Elena Gjika”, dhe me ndërtimin e tij u tejkaluan problemet e shumta që paraqiteshin gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Sipas përfaqësuesit të sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Dibrës, Gazmend Cami, projektet e fundit që po realizohen për ujërat atmosferike pritet të ndikojnë dukshëm në tejkalimin e këtyre problemeve.

    Lajmi Paraprak

    Blerjet online në RMV dominohen nga moda, duke tejkaluar mesataren e Europës

    Lajmi i rradhës

    Strehimorja për qentë endacaktë në Pollog mbetet në letër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë