FLORJAN KALAJA
Paraprakisht më duhet të sqaroj se ky shkrim nuk do të thotë se kam mbaruar me kritikën për Pjesën e Përgjithshme të projektit të Kodit të ri Penal. Ky shkrim trajton një ndër shumë e shumë problematikat që ka projekti në Pjesën e Posaçme, konkretisht në rregullimet e veprës penale të korrupsionit të deklaruesit, dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit. Edhe ky shkrim njëlloj do të mund të meritonte një titull që e kam përdorur më parë, konkretisht “Norma të reja, probleme të vjetra”, pasi, megjithëse po bëhet Kodi i ri Penal, sërish të njëjtat probleme shfaqen tek normat e reja.
Në Kodin Penal në fuqi ka vetëm një dispozitë që rregullon drejtpërdrejtë korrupsionin e dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit, konkretisht neni 312 i titulluar “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”. Thënë ndryshe në këtë dispozitë penalizohet cilido subjekt që jep përfitimeve të parregullta, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, për një dëshmitar, ekspert apo përkthyes, për të siguruar deklarime apo dëshmi, ekspertim apo përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrimeve të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës. Një vepër e tillë penale dënohet nga 5 ditë deri në 4 vjet burgim. Ndryshe nga dispozitat e tjera të Kodit Penal, që rregullojnë korrupsionin aktiv, korrupsionin pasiv dhe ndërmjetësimin korruptiv, qoftë në sektorin privat dhe në sektorin publik, vetëm korrupsioni i dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit rregullohet vetëm aktivisht. Kjo do të thotë se nuk ka vepër penale që të rregullojë korrupsionin pasiv të dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit. Gjithashtu nuk ka vepër penale që të rregullojë ndërmjetësimin korruptiv të dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit.
Kjo mungesë ligjore në Kodin Penal në fuqi e parashikimit të veprës penale të korrupsionit pasiv të dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit është kompensuar pjesërisht dhe minimalisht me parashikimet e paragrafëve të dytë të nenit 306 (Dëshmia e rreme); të nenit 307 (Refuzimi për të dëshmuar); të nenit 308 (Përkthimi i rremë); të nenit 309 (Ekspertimi i rremë). Këto paragrafë parashikojnë ndër të tjera: dëshmia e rreme për qëllime të përfitimit të padrejtë dënohet me gjobë ose me burgim nga 5 ditë deri në 3 vjet; refuzimi për të dëshmuar për qëllime të përfitimit të padrejtë dënohet me burgim nga 1 deri në 4 vjet burgim; përkthimi i rremë për qëllime të përfitimit të padrejtë dënohet me gjobë ose me burgim nga 5 ditë deri në 3 vjet; ekspertimi i rremë për qëllime të përfitimit të padrejtë dënohet me gjobë ose me burgim nga 5 ditë deri në 5 vjet burgim. Megjithëse këto vepra penale janë korrupsion pasiv i dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit, ato nuk cilësohen të tilla nga Kodi Penal. Ndryshe nga sa ndodh në të gjitha rregullimet e tjera të korrupsionit pasiv në raport me korrupsionin aktiv, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit rezulton se dënohet më rëndë se sa korrupsioni pasiv i këtyre subjekteve.
Sikurse konstatohet neni 312 i Kodit Penal në fuqi kriminalizon si korrupsion aktiv vetëm ofrimin, premtimin apo dhënien drejtpërdrejtë apo tërthorazi të përfitimeve të padrejta dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit për të bërë dëshmi të rreme, ekspertim të rremë apo përkthim të rremë dhe se në këtë mënyrë nuk kriminalizohet ofrimi, premtimi apo dhënia drejtpërdrejtë apo tërthorazi e përfitimeve të padrejta për këto subjekte për të bërë detyrën. Ndryshe nga çdo vepër tjetër penale korrupsioni aktiv, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, ekspertit dhe përthyesit për të bërë detyrën ligjore nuk kriminalizohet dhe nuk përbën korrupsion.
Nga ana tjetër, rezulton se në nenin 310 të Kodit Penal në fuqi penalizohet si kundërvajtje penale mosparaqitja e dëshmitarit, e ekspertit apo e përkthyesit apo mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi procedues apo gjykata, duke u parashikuar dënim me gjobë ose burgim nga 5 ditë deri në 6 muaj. Nuk ka më asnjë parashikim për të kriminalizuar si korrupsion pasiv sjelljen e ekspertit apo përkthyesit që refuzon të paraqitet apo të marrë dhe të kryejë detyrat e organit procedues apo gjykatës i shtyrë nga qëllimet e përfitimit të padrejtë. Kjo do të thotë se në nenin 312 të Kodit Penal konsiderohet si krim dhe korrupsion aktiv cilido që paguan ekspertin dhe përkthyesin për të mos kryer detyrën para organit procedues apo gjykatës dhe se nga ana tjetër ky ekspert apo përkthyes, që kryen korrupsion pasiv në momentin që nuk paraqitet, nuk merr përsipër dhe nuk kryen detyrën, nuk konsiderohet krim korrupsioni por vetëm kundërvatje penale dhe në maksimumin e saj dënohet me shtatë herë më pak se sa simotra e krimit të korrupsionit aktiv.
Nga ana tjetër rezulton se neni 312 i Kodit Penal në fuqi kriminalizon si korruspion aktiv veprimet e ofrimit, premtimit apo dhënies së përfitimeve të padrejta për deklaruesit para oficerit të policisë gjyqësore apo prokurorit, qoftë për t’u mos u paraqitur apo qoftë për të dhënë deklarime të rreme. Por kjo normë nuk parashikon si korrupsion aktiv veprimet simotra të tilla të kujtdo personi që përmes përfitimeve të padrejta nxit deklaruesin të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore apo para prokurorit dhe nxit ato të bëjnë detyrën ligjore para organeve proceduese.
Gjithashtu nuk ka asnjë normë në Kodin Penal në fuqi që të kriminalizojë si korrupsion pasiv kushtëzimin për t’u paraqitur para policisë gjyqësore apo para prokurorit të deklaruesve dhe kushtëzimin e dhënies së deklarimeve të këtyre subjekteve para organeve proceduese përmes kërkesave për përfitime të padrejta. Për më tepër rezulton se në dispozitat e Kodit Penal në fuqi, ku penalizohet deklarimi i rremë para prokurorit (neni 305/a) dhe deklarimi i rremë para oficerit të policisë gjyqësore (neni 305/b), nuk ka as paragrafë të cilësuar që të kriminalizojë në mënyrë të posaçme dhe indirekte rastet kur këto vepra realizohet me qëllimet e përfitimit të padrejtë.
Ndërkohë që korrupsioni aktiv për deklarime të rreme dënohet nga 5 ditë deri në 4 vjet, dhënia e deklarimeve të rreme para prokurorit përmes korrupsionit pasiv është krim dhe dënohet me gjobë ose me burgim nga 5 ditë deri në 1 vit dhe dhënia e deklarimeve të rreme përmes korrupsionit pasiv para oficerit të policisë gjyqësore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim nga 5 ditë deri në 6 muaj. Kuptohet se në këto rregullime episodike të bëra ndër vite në Kodin Penal në fuqi, nga grupe pune dhe legjislatura të ndryshme, nuk mund të kërkohet logjikë, pasi janë rregullime spontane, rastësore dhe jo të studiuara apo të lidhura me njëra-tjetrën.
Në librin “Bashkëpunëtori i drejtësisë” jam marrë gjatë me këto ometime ligjore tradicionale të Kodit Penal, duke vlerësuar se në një mënyrë të pashpjegueshme legjislatori shqiptar prej dekadash ka lejuar dekriminalizimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv të deklaruesve, dëshmitarëve, ekspertëve dhe përkthyesve. Gjithashtu në libër kam analizuar dhe propozuar që, nëse këto vepra penale, korrupsion aktiv apo pasiv, ndodhin me apo nga subjektet të bashkëtëpandehur dhe njëherazi bashkëpunëtorë drejtësie, ligji penal do të duhet të parashikojë paragrafë të posaçëm dhe të cilësuar, duke pasur parasysh potencialin e madh manipulativ të kësaj prove, rëndësinë vendimtare të saj dhe pasojat e rënda që sjellin për procedimin penal njoftimet e këtij dëshmitari të privilegjuar.
Në këtë kontekst kam konsultuar me kërshëri dhe interes të madh mënyrën se si janë riformësuar veprat penale të mëlartme nga ana e grupit të punës në projektin e Kodit të ri Penal, të bërë publik në mbledhjen shkëlqyese dhe me krerë drejtësie nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në Korrikun e vitit 2025. Njëlloj sikurse grupet pararendëse të punës, që kanë ndërhyrë kohë e pa kohë dhe vend e pa vend në Kodin Penal në fuqi në 31 vite, edhe ky grup pune nuk adreson asnjë zgjidhje për dekriminalizimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv të deklaruesve, të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të përkthyesve. Konstatoj me keqardhje se një mënyrë e tillë e penalizimit të korrupsionit aktiv dhe pasiv të këtyre subjekteve të posaçëm proceduralë është ndjekur edhe nga grupi i punës në hartimin e projektit të Kodit të ri Penal, qoftë në variantin e Tetorit të vitit 2023 dhe qoftë në variantin e Korrikut të vitit 2025.
Sikurse nuk prisja diçka iluminuese në këtë drejtim për të kuptuar arsyet e pajtimit të grupit të punës me dekriminalizimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv të këtyre subjekteve, nuk u zhgënjeva kur konsultova relacionin fjalëpak të Kodit fjalëshumë, pasi në të nuk ka asnjë arsye për të sqaruar mosarsyet. Në vijim do të pasqyrohen shkurtimisht dispozitat relevante dhe simotra të projektit të Kodit të ri Penal me ato që u sollën në vëmendje më lart të Kodit Penal në fuqi.
Kështu, neni 504 parashikon veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme korrupsioni pasiv i deklaruesit, që jep deklarata të rreme apo refuzon të japë deklarata. Në të nuk kriminalizohet fare korrupsioni pasiv i deklaruesit, që jep deklarata në shkëmbim të përfitimeve të padrejta. Neni 505 parashikon veprën penale “Deklaratat e rreme përpara policisë gjyqësore”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme korrupsioni pasiv i deklaruesit, që jep deklarata të rreme apo refuzon të japë deklarata. Në të nuk kriminalizohet fare korrupsioni pasiv i deklaruesit, që jep deklarata në shkëmbim të përfitimeve të padrejta. Në nenin 506 parashikohet vepra penale “Refuzimi për të dëshmuar para gjykatës”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme korrupsioni pasiv i dëshmitarit por pika 2 e saj kriminalizon zakonshëm refuzimin e dëshmisë për motive përfitimi të padrejtë, njëlloj sikurse neni 307 në Kodin Penal në fuqi.
Në nenin 507 parashikohet vepra penale “Dëshmia e rreme”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme korrupsioni pasiv i dëshmisë së rreme dhe nuk kriminalizohet fare korrupsioni pasiv i dëshmisë por pika 2 e saj kriminalizon zakonshëm dëshminë për motive përfitimi të padrejtë, njëlloj sikurse neni 306 në Kodin Penal në fuqi por me sanksione penale më të rënda. Në nenin 510 parashikohet vepra penale “Mosparaqitja e ekspertit apo përkthyesit”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme mosparaqitja korruptive pasive e këtyre subjekteve, duke e cilësuar si kundërvajtje penale çdo lloj mosparaqitje të tyre dhe pavarësisht shkakut, njëlloj sikurse rregullohet kjo vepër në nenin 307 të Kodit Penal në fuqi. Neni 511, që parashikon veprën penale “Përkthimi i rremë”. Në të nuk kriminalizohet në mënyrë të posaçme korrupsionin pasiv të përkthimit të rremë. Në të nuk kriminalizohet fare korrupsioni pasiv i përkthimit por se në pikën 2 të kësaj dispozite kriminalizohet zakonshëm kryerja e përkthimit të rremë për motive përfitimi të padrejtë, njëlloj sikurse neni 308 i Kodit Penal në fuqi, por me ndryshimin e rritjes së sanksioneve penale.
Neni 512, që parashikon veprën penale “Ekspertimi i rremë”, nuk kriminalizon në mënyrë të posaçme korrupsionin pasiv të ekspertimit të rremë dhe nuk kriminalizon fare korrupsionin pasiv të ekspertit por se në pikën 2 të kësaj dispozite kriminaliozohet zakonshëm kryerja e ekspertimit të rremë për motive përfitimi të padrejtë, njëlloj sikurse neni 309 i Kodit Penal në fuqi, por me ndryshimin e rritjes së sanksioneveve penale. Më tej neni 531, që parashikon veprën penale të “Korrupsionit aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose i përkthyesit”, konstatohet se nuk kriminalizon korrupsionin aktiv të dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit për kryerjen e detyrës së tyre por se kriminalizon vetëm atë çfarë është kriminalizuar deri më sot nga neni 312 i Kodit Penal në fuqi, me ndryshimin se sanksionet penale në projektin e Kodit të ri Penal rriten në raport me këtë të fundit.
Nga ana tjetër nuk konstatoj se projekti t’i ketë kushtuar vëmendje të posaçme, qoftë në kualifikimin apo në shtimin e veprave penale korruptive pasive dhe aktive që realizohen me deklarimet apo dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ai vijon të konsiderohet nga ligji penal material si deklarues dhe dëshmitar i zakonshëm, megjithëse ligji penal procedural e konsideron provë vendimtare të akuzës dhe të fajësisë penale.
Në këtë drejtim projekti i Kodit të ri Penal nuk ka asnjë risi në raport me Kodin Penal në fuqi. Ngjan se edhe ky projekt përbën një mundësi të shpërdoruar për të përsosur ligjin penal material. Konstatoj se në këtë drejtim nuk ka asnjë analizë serioze të grupit të punës mbi mangësitë apo nevojat që ka Kodi Penal në fuqi. Këto ndërhyrje në dispozitat e parashtruara më lart nuk ngjajnë të marra nga një Kod i ri Penal por janë simotrat e stafetës së ndërhyrjeve spontane, episodike dhe rastësore 31-vjeçare që ka përjetuar Kodi Penal në fuqi vend e pa vend dhe kohë e pa kohë. Me keqardhje konstatoj se projekti i Kodit të ri Penal nuk mund të konsiderohet reformë sa i takon kësaj pjese të legjislacionit. Tradita e dekriminalizimit të korrupsionit aktiv dhe pasiv të deklaruesit, dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit premtohet se do të vijojë edhe me projekt-Kushtetutën e re Negative të vendit.
AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR /Panorama/






