Disperzimi i institucioneve qendrore nëpër komunat rurale ngec në rajonin e Pollogut dhe jo vetëm. Kryesisht bëhet fjalë për agjencinë për punësim, qendrën për punë sociale, njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, fondin e shëndetësisë e kështu me radhë. Këto institucione janë të vendosura nëpër qytete dhe ato mbulojnë edhe komunat rurale. Kështu, një banori nga komuna e Tearcës ose komunat tjera rurale për një punë të thjeshtë i duhet që të udhëtojë deri në Tetovë. Përderisa tashmë dukshëm janë lehtësuar radhët pranë sporteleve për nxjerrjen e dokumenteve personale, me hapjen e zyrave të MPB-së në fshatin Zherovjan, e cila mbulon territorin e Komunës së Bërvenicës dhe të Bogovinës, pastaj zyrat në Komunën e Zhelinës në fshatin Grupçin, si dhe zyrat në komunën e Tearcës dhe Jegunocit.
Megjithatë institucionet tjera mbeten të decentralizuara në nivel të komunave më të mëdha, ku shpesh herë ka edhe radhë të gjata vetëm për të marrë një nënshkrim ose një dokument. Lidhur me nevojën e hapjes së këtyre zyrave që do të ishte lehtësim për qytetarët, kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi është shprehur se bëhen përgatitjet e fundit që në këtë komunë të hapet zyrë rajonale e Ministrisë së Bujqësisë.
“Jemi në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë për të hapur një zyrë të njësisë rajonale të kësaj ministrie edhe në Komunën e Tearcës, por problem ka qenë i natyrës teknike, pasi që Komuna e Tearcës sepse nuk është arritur që të sigurohet një zyrë ku do të vendosen punëtorët e kësaj njësie, kur dihet se ka edhe mbikngarkesë të administratës së Komunës brenda objektit. Jemi afër zgjidhjes dhe besoj se shumë shpejtë edhe kjo zyrë do të hapet në Komunën e Tearcës dhe pastaj do të fokusohemi që të kemi edhe dipserzime të institucioneve tjera”,deklaroi Memishi.
Në këtë drejtim është pyetur edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, se çfarë ndihmese mund të jep bashkërisht me pushtetin qendror të ketë disperzime edhe të institucioneve tjera. Kasami është shprehur i gatshëm që të ndihmojë këtë proces. “Unë besoj se ka iniciativa edhe nga Komuna e Tearcës dhe unë garantoj që në këtë drejtim do të ketë përkrahje nga pushteti qendror që të gjitha shërbimet tjera që merren vetëm në Tetovë të mund të shpërndahen edhe në komunat tjera si në Tearcë, Zhelinë, Jegunocë, Bogovinë, Bërvenicë që shërbimet të jenë sa më afër qytetarëve”, deklaroi Kasami.
Në ndërkohë, banorët e komunës së Jegunocit tashmë për disa shërbime nuk duhet që të udhëtojnë deri në qytet sepse që nga dhjetori i vitit 2024 është hapur zyrë e shërbimeve administrative.
Krahas kësaj, në këtë komunë ekziston edhe njësi rajonale e Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”. Por, këtë fat nuk e kanë edhe banorët e komunave tjera rurale të cilëve krahas kohës së humbur, poashtu u kushton edhe shumë në aspektin financiar. Përveç komunave rurale, në fshatrat e Malësisë së Sharrit, nuk ka asnjë institucion të disperzuar prandaj edhe ata duhet që të udhëtojnë shumë kilometra vetëm për të marrë një dokument. /Koha/






