LSM nuk do ta festojë 1 Majin, por do të protestojë

    Dikur ditë feste dhe reflektimi për të drejtat e fituara, 1 Maji sot vjen në një realitet krejt tjetër për një pjesë të madhe të punëtorëve në vend. Mes rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës dhe pagave që nuk arrijnë ta ndjekin këtë ritëm, dita që simbolizon dinjitetin e punës gjithnjë e më shumë po kthehet në një kujtesë të mungesës së tij.

    Në praktikë, për shumë familje, puna nuk garanton më stabilitet. Edhe kur ekziston një vend pune formal, shpesh nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet bazë mujore. Rroga minimale mbetet larg nevojave reale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve detyrohen të kërkojnë burime shtesë të ardhurash, të marrin kredi ose të mbështeten në ndihmën e familjarëve nga jashtë vendit. Ndërkohë, problemet nuk ndalen vetëm te niveli i pagave. Kushtet e punës dhe siguria në vendin e punës vazhdojnë të jenë një sfidë e madhe, sidomos në sektorin privat. Kontratat e përkohshme, orët shtesë të papaguara dhe mungesa e kontrollit efektiv institucional kanë krijuar një realitet ku të drejtat shpesh mbeten në letër. Në këto rrethana, punëtorët rrallëherë vendosin të flasin publikisht, duke e shtyrë pakënaqësinë drejt heshtjes ose, në shumë raste, drejt largimit nga vendi.

    Në të njëjtën kohë, tregu i punës përballet me një paradoks të dukshëm. Ndërsa bizneset raportojnë mungesë të fuqisë punëtore ku  shumë të rinj refuzojnë të hyjnë në punë me paga të ulëta dhe kushte të pasigurta. Për ta, alternativa shpesh mbetet emigrimi, duke e thelluar edhe më shumë boshllëkun mes ofertës dhe kërkesës në tregun vendor.

    Për këtë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka paralajmëruar protestë për Ditën Ndërkombëtare të Punës, e cila do të mbahet në Shkup, në orën 11 nga Qendra e Punëtorëve. Nga LSM theksojnë se reagimi i punëtorëve është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të mbrojtur të drejtat e tyre. “Lufta e punëtorëve nuk është vetëm një protestë, një grevë, një bllokadë, është një luftë e vazhdueshme e punëtorëve dhe sindikatave për të ruajtur dhe avancuar të drejtat e punëtorëve. 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, është dita kur protestat dhe demonstratat janë detyrë ndaj luftës së punëtorëve në të kaluarën dhe detyrim ndaj luftës së punëtorëve në të ardhmen. Që nga viti 2018, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë organizon një protestë masive të punëtorëve çdo vit më 1 Maj”, njoftojnë nga LSM.

    Sindikatat theksojnë gjithashtu nevojën për një solidaritet më të gjerë mes punëtorëve, duke paralajmëruar se problemet nuk janë të kufizuara vetëm te një kategori.

    “Solidariteti i punëtorëve nuk duhet të ketë kufij, sot luftojmë për ata me pagat më të ulëta, nesër për të gjithë ne. Prandaj, më 1 Maj, le të jemi solidarë, të zhurmshëm, të bashkuar dhe të vendosur. Bëjmë thirrje për protestë, bëjmë thirrje që të qëndrojmë krah për krah me kolegët tanë dhe të tregojmë se zëri i punëtorëve nuk mund të injorohet”, shtojnë nga atje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    TREGU I SIGURIMEVE NË RMV | Rritje, por larg Europës

    Lajmi i rradhës

    Energjetika në RMV ende varet nga burimet tradicionale, ndërsa tranzicioni mbetet sfidë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë