Vendi rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja

    Vendi rrezikon të humbet paratë që Bashkimi Evropian ndan për Maqedoninë e Veriut, si pjesë e planit për rritje ekonomike. Nëse deri në fund të qershorit vendi nuk zbaton agjendës reformuese, të cilën e kërkon BE, Maqedonia e Veriut mund të mbetet pa fondet e BE-së, ishin deklaratat e euro-komisioneres për zgjerim Marta Kos, por edhe të raportuesit special Thomas Waitz. Këto qëndrime edhe aktorët relevant të qeverisë i shohin si paralajmërime. Zv/kryeministri Bekim Sali thotë se kjo është një paralajmërim për dhjetë hapat e Agjendës Reformuese që duhet të kryhen deri në fund të qershorit të këtij viti.

    “Po punojmë në të gjitha sferat edhe në grejs-periudhën, edhe në periudhën e rregullt që duhet ti plotësojmë hapat dhe vlerësoj se paralajmërimi i tyre është një shenjë preventive për shtetin tonë se duhet të punojmë më fuqishëm. Përndryshe nuk kemi ngelur pas në këto pika. Nga dhjetë, besoj se për gjashtë jemi kah fundi”, theksoi zv/kryeministri Bekim Sali.

    Edhe euro-ambasadori Mihalis Rokas në të njëjtën linjë – deklaratat e funksionarëve evropian janë paralajmërime. Ai shpreson se qeveria do të fuqizon reformat që t’i arrijë me kohë t’i realizojë ato.

    “Ekzistojnë dhjetë hapa që duhet të kryhen deri në fundin e qershorit, grej-periudha e të cilave ishte anuluar për plotësim në qershor të vitit të kaluar. Kështu funksionon sistemi për agjendën reformuese dhe nëse afati skadon, paratë do ti humbni. Tani qeveria dhe ministrat përgjegjës punojnë që ta arrijnë atë. Paralajmërimet e euro-komisioneres Kos, nuk ishin vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.

    Megjithatë disa ligje që duhet të miratohen, nuk do të jenë gati deri në fundin e qershorit, për shkak se ende nuk ka konsensus për Kodin Zgjedhor, pranon zv/kryeministri Sali.

    Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Vendko Filipçe me kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili sipas Filipçes, është fajtori kryesor që vendi po stagnon në aspekt të integrimeve në Bashkimin Evropian.

    “Rajoni shkon përpara, ne mbetemi në vend. Veçmë është formuar komision, i cili po e shkruan marrëveshjen për hyrje të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Mali i Zi, që u bë shtet i pavarur një vit pasi ne fituam statusin e vendit kandidat për në BE. Sot Mali I Zi është në hap drejt anëtarësimit, ndërsa pas saj vjen menjëherë Shqipëria”, theksoi Filipçe. Sipas tij, Evropa nuk do të thotë vetëm një treg i përbashkët, por sjell shumë përfitime dhe jetë më cilësore për njerëzit dhe është mënyra e vetme ku shoqëria jonë mund të prosperoj, vlerëson kreu i social-demokratëve. Filipçe theksoi se duke qenë të bllokuar në këtë proces vendi humb fonde të mëdha që vijnë nga BE-ja.

    “Po humben fondet strukturore, të cilat munden të shfrytëzohen sipas shembullit të vendeve të tjera të cilat u kyçën në BE, që në përkthim do të thonë më tepër shkolla, hekurudha, spitale, çerdhe. Humbën fondet për mbështetje të bujqësisë. Përse? Sepse nuk I kemi më fondet IPARD, sepse I zunë anëtarët e VMRO-DPMNE-së si vjedhin para evropiane”, theksoi Filipçe. Ai me këtë rast akuzoi partinë në pushtet VMRO-DPMNE-në për patriotizëm të rrejshëm dhe manipulim të opinionit në lidhje me temën e mbrojtjes së identitetit.

    “Në vend që të punojë për reforma, kjo qeveri punon për krijimin e konflikteve me fqinjët, propagandë anti-evropiane dhe izolim të vendit. Dhe ndërsa e bllokon rrugën evropiane, gjysma e VMRO-së, përfshirë edhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, kanë pasaporta bullgare. Ky është patriotizmi i tyre i rrejshëm. Gjoja e mbrojnë identitetin, ndërsa privatisht marrin pasaporta bullgare, pra evropiane. Prandaj të rinjtë migrojnë nga vendi ynë, sepse nuk shohin të ardhme në këtë shtet në krye me Hristijan Mickoskin”, theksoi Filipçe.

    Ndaj qëndrimeve të Filipçes kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Deputeti, Brane Petrushevski, në një konferencë për shtyp drejtoi kritika të ashpra ndaj liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se politika e tij është drejtpërdrejt e orientuar kundër interesave kombëtare. Sipas Petrushevskit, opozita është e gatshme për gjithçka, përfshirë edhe shitjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit, vetëm për t’u rikthyer në pushtet. “Naiviteti dhe lojaliteti i Filipçes dhe LSDM-së ndaj politikanëve bullgarë po rritet dita-ditës, gjë që dëmton drejtpërdrejt pozicionet maqedonase dhe vijat e kuqe”, theksoi Petrushevski. Ai pretendon se për udhëheqësinë e LSDM-së nuk paraqet problem që gjuha maqedonase të paraqitet si dialekt bullgar, e as që figura historike si Goce Dellçev, Pitu Guli dhe Jane Sandanski të përvetësohen nga pala bullgare. Sipas Petrushevskit, qëllimi i vetëm i LSDM-së është t’u shërbejë interesave të huaja dhe t’i bindë qytetarët se ndryshimet kushtetuese janë e vetmja rrugë drejt BE-së.

    Në fund, deputeti i VMRO-DPMNE-së theksoi se pushteti aktual udhëheq një “politikë shtetërore dinjitoze” që bazohet në vepra, rezultate dhe reforma, duke i dhënë fund, siç tha ai, gënjeshtrave shumëvjeçare të LSDM-së.

    Sa i përket partive shqiptare, BDI në Parlament ka njoftuar se ka nisur procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa kanë bërë thirrje që të gjithë deputetët që mendojnë se vendi duhet të shkojë drejt BE-së ti përkrahin. Nga ana tjetër VLEN e konsideroi këtë nismë të BDI-së si joserioze dhe thanë se nuk do të mbështesin të njëjtën. Përndryshe raportuesi Thomas Waitz deklaroi se ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të mbeten kusht për hapjen e kapitujve dhe se në vitin e fundit nuk është vërejtur asnjë përparim sa i përket kësaj çështjeje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Filipçe: qeveria po terrorizon shtetin dhe po instalon urdhra politikë në gjyqësor

    Lajmi i rradhës

    Gjërat që fëmijët i kujtojnë përgjithmonë nga prindërit e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë