Kufiri ligjor i humanizmit

    FLORJAN KALAJA

    Më duhet të ndaj me lexuesin  që në krye të herës se rregullimet e projektit të Kodit të ri Penal mbi caktimin e dënimit penal përbëjnë një zhvillim pozitiv në raport me parashikimet ligjore në fuqi të Kodit Penal të vitit 1995. Megjithatë, edhe në këtë drejtim konstatohen rregullime të papranueshme me logjikën normale juridike dhe njerëzore. Sikurse kam prezantuar në shkrimin e parë të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal”, në tetorin e vitit 2025, kjo rubrikë nuk u kushtohet hosanave, por kritikës. Ndaj edhe në këtë shkrim do të merrem me problemet juridike që projekti shfaq në rregullimin normativ të rrethanave lehtësuese.

    Neni 137 i projektit të Kodit të ri Penal u kushtohet pikërisht rrethanave lehtësuese. Kjo normë liston se rrethanat lehtësuese janë: a) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër të lidhur me të; b) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit; c) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë shfaqur me ndryshimin e sinqertë të sjelljes ndaj viktimës, ndaj veprës që ka kryer, reflekton pozitivisht në mënyrë të besueshme, kontribuon në zbulimin e së vërtetës dhe veprime të tjera që të japin besim se autori nuk do të kryejë më vepër penale; ç) kur personi ka zëvendësuar dëmin, material dhe/apo moral, të shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale; d) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale dhe bashkëpunon për zbulimin e rrethanave të kryerjes së veprës; dh) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe viktimës janë normalizuar; e) kur bashkë me personin është dënuar edhe personi juridik; ë) kur, në varësi nga vepra penale, autori ka publikuar me shpenzimet e veta, ndjesën e tij për cenimin e bërë ndaj figurës, personalitetit, reputacionit apo jetës familjare të viktimës; f) kur autori i veprës penale paraqet zhvillim të metë mendor, por jo në gjendje papërgjegjshmërie ndaj veprës penale.

    Deri në ezaurimin e kësaj liste rrethanash nuk ka asgjë jonormale. Teksa studioja draftin, më bëri përshtypje prekluzioni normativ i vendosur në pikën 3 të kësaj dispozite. Kështu ky rregull parashikon se: “3. Përveç rrethanës së parashikuar në shkronjën “e” të këtij neni, të gjitha të tjerat duhet të jenë të pranishme që në fazën e hetimeve paraprake.”

    Më duhet të ndaj me lexuesin se ky rregull nuk ka qenë as në Kodin Penal të vitit 1927, as në atë të vitit 1952, as në atë të vitit 1977 dhe as në Kodin Penal në fuqi, duke u prezantuar sakaq për herë të parë në projektin e Kodit të ri Penal të prezantuar me entuziazëm në mbledhjen shkëlqyese të fundkorrikut me krerë të lartë drejtësie. Duke qenë se nuk ishte e vështirë të kuptoja se ka diçka që nuk shkon me një rregull të tillë, që prekluzon me faza të procesit penal konstituimin e rrethanave lehtësuese, me kërshëri nisa hulumtimin për të marrë vesh origjinën e rregullit. Kodi Penal i Kosovës; i Maqedonisë së Veriut, i Italisë; i Gjermanisë; i Francës; i Greqisë; i Austrisë; i Holandës; i Belgjikës; i Spanjës; i Rumanisë; i Bullgarisë; i Çekisë; i Polonisë; i Portugalisë, i Hungarisë; i Sllovakisë dhe i Sllovenisë nuk kishin asnjë rregull të ngjashëm e jo më të njëjtë. E ndala hulumtimin se e kuptova se po humbja kohë, pasi nuk ishte e vështirë të konkludohej se ky rregull ishte “shpikje e rrotës” në vitin 2025.

    Por para se të trajtoj mungesën e logjikës njerëzore dhe juridike në këtë rregull të shpikur rishtazi në vitin 2025, dua të ndaj se as edhe shkronjën “e” të nenit 137 të projektit të Kodit të ri Penal nuk e hasa gjëkund si rrethanë lehtësuese. Grupi i punës na thotë se, nëse për një vepër penale është dënuar një person fizik dhe një person juridik, atëherë, kjo rrethanë përbën shkak ligjor për lehtësimin e dënimit. E kam të parrokshme këtë logjikë, juridike dhe njerëzore gjithashtu, për sa kohë universalisht vendet, ligjet e të cilave e pranojnë ekzistencën e përgjegjësisë penale të personave juridikë, përdorin dhe bazohen për fajësimin penal të personit juridik pikërisht fajësimin penal të personit fizik që është i lidhur ngushtësisht me të. Kjo do të thotë se përbën prezumim ligjor absolut se në çdo rast kur përgjigjet penalisht personi juridik ka detyrimisht dhe minimalisht një person fizik bashkekzekutor të asaj vepre tjetër penale.

    Kjo do të thotë se në të gjitha rastet kur vepra penale kryhet nga personi juridik do të thotë se personi fizik, që qëndron pas dhe që ka qenë mendja dhe vullneti kriminal lëvizës dhe instruktor, e ka kryer veprën penale në bashkëpunim. Ky prezumim ligjor absolut shtrihet njëkohësisht dhe njëlloj edhe për vetë personin juridik sa i takon kryerjes së veprës penale. E megjithatë, grupi i punës krijon një normë nga hiçi dhe vendos se dënimi i personit fizik dhe njëkohësisht i personit juridik për një vepër penale do të jetë rrethanë lehtësuese. E kam të parrokshme se pse duhet të premiohet nga ligji personi fizik dhe personi juridik për faktin se janë dënuar penalisht të dy. Ndaj mendova se do ta gjej zgjidhjen tek relacioni-fjalëpak i projektit-fjalëshumë. Megjithëse isha i pashpresë, kërkova në 161 faqet por gjeta hiç dhe asgjë, duke e lënë materialin e printuar për lehtësi aksesi sikur e mora, të padobishëm. Nga ana tjetër mendova dhe akoma kam përshtypjen se ndoshta është gabim material i grupit të punës, pasi, në vend që të shtohet lista e nenit 140 të projektit të Kodit të ri Penal, konkretisht lista e rrethanave rënduese, është renditur gabimisht tek lista e rrethanave lehtësuese, konkretisht në nenin 137 të tij. Por jo. Konstatova se kështu ka qenë konceptuar shkronja “3” e pikës 1 të nenit 137 edhe në variantin e tetorit të vitit 2023 të projektit të Kodit të ri Penal.

    Më tej vlen të analizohet rregulli tjetër rishtar i grupit të punës mbi prekluzionin fazor procedural të rrethanave lehtësuese, përveç asaj që u analizua më lart, që, megjithëse quhet ashtu, veç e tillë nuk mund të jetë. Konkretisht bëhet fjalë për pikën 3 të nenit 137 të projektit të Kodit të ri Penal. Edhe ky rregullim rezulton të jetë i njëjtë nga varianti i tetorit 2023 në variantin e mbledhjes shkëlqyese të fundorrikut 2025. Edhe për të nuk ka asgjë në relacionin-fjalëpak të projektit-fjalëshumë.

    Fillimisht sjell në vëmendje se ky rregull nuk ka asnjë kuptim juridik me disa nga rrethanat lehtësuese që liston pika 1 e nenit 137. Kështu për shembull, ai nuk lidhet dot me: a) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër të lidhur me të; b) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit; dhe për atë të shkronjës d) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale dhe bashkëpunon për zbulimin e rrethanave të kryerjes së veprës. Për dy të parat nuk ka nevojë për shpjegim, pasi kuptohet pa u treguar se ekzistenca e tyre lidhet pazgjidhshmërisht me momentin e kryerjes së veprës penale. Për rrethanën e tretë nuk ka relevancë juridike, pasi neni 60 dhe 144 i projektit e premion me privilegj penal autorin e veprës vetëm nëse e ka zbuluar ai veprën para se organet e ndjekjes penale të kenë nisur hetimin. Pra, qartazi pika 3 nuk lidhet deri tani me katër rrethana lehtësuese të pikës 1 të nenit 137 të projektit.

    Nga ana tjetër rezulton se pika 3 e ka fushën e zbatimit mbi pesë rrethana lehtësuese të pikës 1 të nenit 137 të projektit, konkretisht me ato si vijon: c) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë shfaqur me ndryshimin e sinqertë të sjelljes ndaj viktimës, ndaj veprës që ka kryer, reflekton pozitivisht në mënyrë të besueshme, kontribuon në zbulimin e së vërtetës dhe veprime të tjera që të japin besim se autori nuk do të kryejë më vepër penale; ç) kur personi ka zëvendësuar dëmin, material dhe/apo moral, të shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale; dh) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe viktimës janë normalizuar; ë) kur, në varësi nga vepra penale, autori ka publikuar me shpenzimet e veta, ndjesën e tij për cenimin e bërë ndaj figurës, personalitetit, reputacionit apo jetës familjare të viktimës; f) kur autori i veprës penale paraqet zhvillim të metë mendor, por jo në gjendje papërgjegjshmërie ndaj veprës penale.

    Me fjalë të tjera, Shqipëria, e para në Europë, nga viti 2023 dhe më tej në 2025, po koncepton një normë në projekt-Kushtetutën Negative, në të cilën sanksionohet prekluzioni i humanizmit ligjor dhe njerëzor. Kjo do të thotë se vlerë juridike për individualizimin e dënimit ka vetëm pendimi i thellë i autorit të veprës penale derisa prokuroria nuk ka mbyllur hetimet paraprake, pasi nëse autori pendohet dhe ndryshon më tej nëpër seancë paraprake, gjykim në themel, në shkallë të parë apo gjykim në apel, pak rëndësi ka për dënimin e tij. Më tej i vihet kufi ligjor mundësisë së publikut për të eliminuar pasojat e veprës penale apo edhe mundësisë së viktimës për t’u dëmshpërblyer për dëmet materiale dhe jomateriale të pësuara nga vepra penale. Gjithashtu i vihet kufi ligjor realizimit të drejtësisë restauruese apo mundësisë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet autorit dhe viktimës. Sikur të mos mjaftohet me kaq, projekti i Kodit të ri Penal premion me privilegjin penal të uljes së dënimit vetëm të pandehurin që tregon zhvillim të metë mendor në hetime paraprake, duke përjashtuar të njëjtin person që kjo gjendje i ndodh apo i shfaqet në seancë paraprake, në gjykimin në themel, në shkallë të parë apo në gjykimin në apel dhe derisa vendimi të marrë cilësinë e formës së prerë dhe të gjësë së gjykuar.

    Ndryshe nga sa është parashikuar në Kodin Penal në fuqi, ku nuk përcaktohet konkretisht në ligj masa e ndikimit të rrethanave lehtësuese në ligj, në projektin e Kodit të ri Penal ka parashikime konkrete të tilla. Kështu, në nenin 139 të projektit parashikohet ndër të tjera se ekzistenca e dy rrethanave lehtësuese bëjnë që të mos jepet dënim më shumë se gjysma e asaj që parashikon ligji për dënimet jo më shumë në maksimum se 15 vjet burgim; kur ka kundërvajtje apo vepër të kryer nga pakujdesia mjafton vetëm një rrethanë lehtësuese për të gëzuar këtë privilegj penal; për praninë e minimumi tre rrethanave lehtësuese ligji bën që autori 18 – 21 vjeç të trajtohet si i mitur e të dënohet në maksimum deri në gjysmën e dënimit që vepra penale parashikon për veprat penale me maksimum deri në 10 vjet burgim; dhe se për personin me aftësi mendore të ulët dënimi lehtësohet deri në ¼ e tij. Është e parrokshme se pse individi të premiohet me këto privilegje penale me kushtin që këto rrethana të jenë shfaqur gjatë hetimit paraprak dhe jo në seancë paraprake apo në gjykimin në themel, qoftë në shkallë të parë apo edhe në apel. Është absurde dhe humor i zi që sëmundja mendore të premiohet vetëm nëse shfaqet gjatë hetimit paraprak dhe jo gjatë seancës paraprake apo në gjykimin në themel, në të dyja shkallët e gjykimit në fakt.

    Megjithatë, duhet të sillet në vëmendje se secila prej tyre janë rrethana që po grupi i punës i mban parasysh kur rregullon dënimet alternative, që jepen gjatë deklarimit të fajësisë apo edhe për lirimin me kusht. Qartësisht kuptohet se pika 3 e nenit 137 e projektit të Kodit të ri Penal, jo vetëm që nuk bën drejtësi penale, por është e aftë të shkaktojë vetëm padrejtësi penale, sikurse konstatohet, jo vetëm për të dënuarin, por edhe për publikun, për viktimën e veprës penale, marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmin në shoqëri në tërësi. Kështu ndodh sa herë që civilizimit i vihet kufij me ligj. Vlerësoj se është e domosdoshme që rishikimi i projektit të Kodit të ri Penal të ketë një objektiv strategjik. Qërimin nga dispozitat e projekt-Kushtetutës Negative të Shqipërisë të çdo zgjidhje origjinale dhe johumane që ndalon me ligj civilizimin dhe humanizmin. Një ndër to është pika 3 e nenit 137 të projektit të Kodit të ri Penal. Duhet të kuptohet se nuk ekziston asnjë mundësi ligjore dhe qytetare që, duke i vënë kufi humanizmit me ligj, të ndërtohet një Kod Penal që të mos përmbajë dënime penale mizore, sipas asaj që populli shqiptar ka ndaluar kategorikisht të ndodhë kur në vitin 1998 miratoi ndër të tjera nenin 25 të Kushtetutës.

    * AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    El Ninjo mund të arrijë që në muajin maj – çfarë do të thotë kjo për verën në Ballkan?

    Lajmi i rradhës

    RMV shënon rënie në indeksin e lirisë së mediave!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë