DR. KLAJDI LOGU
Memet po shndërrohen në një instrument të ri të ushtrimit të pushtetit në konfliktet bashkëkohore, duke zhvendosur luftën nga logjika e bindjes drejt asaj të qarkullimit. Në këtë formë, ato nuk synojnë të ndërtojnë argumente, por të prodhojnë reagim dhe shpërndarje, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet realiteti i luftës. Dhe në këtë terren, fuqia nuk matet më vetëm me kapacitete materiale, por me aftësinë për të dominuar vëmendjen.
Nga njëra anë, përmbajtjet e shpërndara nga ambasadat iraniane: meme ironike, video të gjeneruara me AI dhe referenca nga kultura pop, janë bërë të dukshme pikërisht sepse thyejnë pritshmërinë tradicionale të diplomacisë dhe e kthejnë shtetin në një subjekt që tallet, që provokon, që ndërvepron me publikun global në një mënyrë që dikur do të konsiderohej e papranueshme. Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Nga ana tjetër, administrata amerikane dhe vetë President Trump kanë adoptuar forma komunikimi që, në thelb, operojnë me të njëjtin kod. Video që përziejnë pamje reale bombardimesh me estetikë video-lojërash, madje edhe përmbajtje të gjeneruara për qëllime politike, të cilat në fakt tregojnë një zhvendosje të qartë që tregon se lufta nuk po përkthehet më vetëm në narrativë institucionale, por në përmbajtje të konsumueshme. Në këtë pikë, ndryshimi nuk është më midis dy stileve komunikimi, serioz kundër ironik, por midis një modeli ku shteti kërkon të bindë dhe një modeli ku shteti kërkon të qarkullojë.
Memet, videot dhe fragmentet vizuale nuk janë thjesht mjete të reja, por forma që i përshtaten një ekonomie vëmendjeje ku rëndësi nuk ka koherenca e mesazhit, por kapaciteti i tij për t’u shpërndarë. Kjo është arsyeja pse të dyja palët, në mënyra të ndryshme, po bëjnë të njëjtën gjë. SHBA përpiqet të transformojë fuqinë ushtarake në spektakël të shpërndarshëm, duke e paketuar luftën në formaqë i afrohen estetikës së gaming-ut dhe kulturës pop. Irani, përkundrazi, përdor ironi, groteske dhe hiperbolë për të minuar seriozitetin e kundërshtarit dhe për të krijuar një lidhje emocionale me audiencën globale. Kështu kemi dy situate ku njëri estetizon forcën, tjetri ironizon autoritetin, por të dy operojnë në të njëjtin terren, atë të algoritmit. Kjo simetri është thelbësore për ta kuptuar fenomenin, sepse tregon se nuk kemi të bëjmë me një truk komunikimi, por me një transformim strukturor.
Në momentin që edhe aktori më i fuqishëm global adopton format e memes dhe të kulturës digjitale për të komunikuar luftën, kufiri mes propagandës dhe argëtimit fillon të shpërbëhet dhe në këtë rast, lufta nuk paraqitet më vetëm si një akt që kërkon legjitimitet, por si një përmbajtje që kërkon vëmendje. Por, pasoja më e rëndësishme nuk është se kush fiton këtë betejë simbolike në një moment të caktuar. Është fakti që vetë kushtet e saj po ndryshojnë. Kur të dyja palët përdorin përmbajtje të fragmentuar, të përzier mes reales dhe simulimit, të optimizuar për shpërndarje dhe jo për verifikim, atëherë problemi nuk është më propaganda si gënjeshtër, por një mjedis ku dallimi mes të vërtetës dhe përfaqësimit bëhet gjithnjë e më i paqartë. Në këtë pikë, “Meme War” nuk është më një metaforë e ekzagjeruar. Është një përshkrim i një fushe të re beteje, ku ajo që vihet në lojë nuk është vetëm interpretimi i luftës, por vetë mënyra se si ajo perceptohet. Dhe nëse perceptimi ndërmjetësohet nga algoritmet, atëherë avantazhi nuk qëndron domosdoshmërish tek ai që ka më shumë fuqi materiale, por tek ai që kupton më mirë logjikën e qarkullimit. Kjo është pika ku lufta fillon të humbasë diçka thelbësore, autoritetin e saj tradicional si akt serioz, i lidhur me vendime strategjike dhe pasoja reale dhe në vend të tij, fiton diçka tjetër: një formë e re pranie në hapësirën publike ku rëndësi ka jo vetëm çfarë ndodh, por si duket, si shpërndahet dhe si rikrijohet. /Panorama/






