Të gjitha dokumentet e nevojshme për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, raporton Telma, përcjell Nistori.
Kjo u konfirmua për Telmën nga Gjykata Penale, ku proceset gjyqësore janë ende në vijim, ndërsa ndaj të pandehurit, i cili është në arrati dhe ka status azilkërkuesi, procedurat tashmë kanë përfunduar.
Ministria e Drejtësisë i kërkoi gjykatës të paraqesë çdo ndryshim që mund të ndikojë në procedurën e ekstradimit, për çka janë dorëzuar edhe përgjigjet përkatëse. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, konfirmoi dy ditë më parë se pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, vendi ku ndodhet Gruevski, me qëllim që autoritetet atje të njoftohen për interesin e Maqedonisë për kthimin e tij.
Qeveria e re në Hungari pritet të konstituohet më 9 maj, në Ditën e Europës.
Pas rënies së Viktor Orbánit, fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, ka lënë të kuptohet për mundësinë e revokimit të azilit për Gruevskin, duke hapur kështu rrugën për ekstradimin e tij.
Ish-kryeministri u arratis në Hungari në nëntor të vitit 2018, ku edhe fitoi azil politik.
Maqedonia deri më tani ka paraqitur një kërkesë për ekstradim në vitin 2018, si dhe një plotësim të saj në vitin 2019, por autoritetet hungareze e refuzuan, me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil dhe, sipas ligjit hungarez, një person me këtë status nuk mund të ekstradohet në vendin nga i cili është larguar.
Gjykata Penale e Shkupit deri më tani ka marrë tre vendime ndaj ish-kryeministrit në arrati Nikolla Gruevski. Për rastin “Tanku”, që ka të bëjë me blerjen e një automjeti të blinduar “Mercedes”, dënimi është parashkruar.
Aktualisht, ai ka një dënim aktiv prej një viti e gjysmë burg për rastin “Shuplaka në Qendër”, i cili skadon në shtator të vitit të ardhshëm, si dhe një dënim prej nëntë vitesh burg për pastrim parash në rastin “Parcelat e Vodnos”, i cili parashkruhet në vitin 2043.
Të dyja vendimet janë dhënë në mungesë, çka i jep atij të drejtën të kërkojë rigjykim në rast ekstradimi. Një kërkesë e tillë mund të bëhet nëse ai nuk ka qenë i informuar për vendimet ose për procedurën nga shteti që kërkon ekstradimin, si garanci për një proces të drejtë.
Sipas burimeve nga gjykata, është kontestuar fakti nëse në rastin “Placevi na Vodno” ai personalisht ka autorizuar avokatin për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, çka do të nënkuptonte se ka qenë në dijeni të vendimit.
Megjithatë, sipas hulumtimit të Telmës, një autorizim i tillë nuk është gjetur në dosjen e lëndës.
Fillimisht, në urdhër-arrestin ndërkombëtar thuhej se ai kërkohej për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh në lidhje me hetimin për ngjarjet në Parlament më 27 prill 2017, si organizator. Ndërkohë, kjo është ndryshuar dhe tani ai kërkohet si person i dënuar me vendime të formës së prerë.






