Tender (jo)konkurrues i Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e 100 autoambulancave

    Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e 100 auto ambulancave, me vlerë rreth 7.5 milionë euro, parasheh që kapaciteti i motorit të jetë maksimalisht 2,000 centimetra kub – kriter që, në praktikë, kufizon konkurrencën, shkruan 360Gradë, përcjell Nistori.

    Ministria arsyetohet se bëhet fjalë për një “balancë të zgjedhur me kujdes midis performancës dhe ekonomisë”, ndërsa importuesi i “Opel” dhe “Peugeot” vlerëson se “specifikimi teknik është eliminues dhe përjashton një numër të madh modelesh nga markat kryesore evropiane”.

    Pas disa njoftimeve paraprake, thirrja për këtë prokurim – një nga më të mëdhatë për flotën e kujdesit shëndetësor – u publikua javën e kaluar. Afati për dorëzimin e ofertave është deri më 26 maj, ndërsa kriteri për përzgjedhje është çmimi më i ulët.

    Megjithatë, specifikimet teknike ngrenë dyshime serioze për kufizim të konkurrencës, duke ngushtuar hapësirën që ky prokurim t’u kushtojë qytetarëve sa më pak.

    Konkretisht, kërkohen automjete me naftë dhe me kapacitet motori deri në 2,000 cm³. Ky kufizim përjashton një pjesë të furnizuesve që ofrojnë automjete të përshtatshme për ambulanca, por me motor më të madh.

    Mbetet e paqartë pse është vendosur një kufi maksimal, dhe jo një minimum apo një interval (nga–deri), si në praktikat e mëparshme. Për më tepër, në shumicën e parametrave të tjerë teknikë – si përmasat, dyert apo ulëset – janë përcaktuar vlera minimale, ndryshe nga rasti i kapacitetit të motorit.

    Po ashtu, kërkesa që rrota rezervë të jetë 16 inç, pa specifikuar dimensionet e rrotave kryesore, ngre dyshime për kritere përjashtuese.

    Në përgjigje për këto dilema, Ministria e Shëndetësisë thekson se kufizimi i motorit nuk është i rastësishëm.

    “Sipas analizave tona, motorët modernë deri në 2,000 cm³, veçanërisht ata turbo-dizel, ofrojnë fuqi dhe çift rrotullues të mjaftueshëm për kushte të përditshme pune, duke ulur njëkohësisht kostot e karburantit dhe mirëmbajtjes”, thuhet në përgjigje.

    Ministria shton se ky kriter “nuk e pengon konkurrencën”, pasi, sipas saj, një numër i madh operatorësh ekonomikë mund ta plotësojnë atë.

    Sa i përket rrotës rezervë, nga ministria sqarojnë se dimensioni 16 inç nënkupton që i gjithë sistemi i rrotave është i unifikuar, gjë që lehtëson mirëmbajtjen dhe zëvendësimin në situata emergjente.

    Tenderi parashikon edhe pajisje mjekësore shtesë, si defibrilator portativ, aspirator dhe barelë për politrauma.

    Për të vlerësuar ndikimin e specifikimeve, pyetje u dërguan disa importuesve të automjeteve komerciale, përfshirë “Citroen”, “Fiat”, “Renault”, “Ford”, “Mercedes”, “Opel” dhe “Peugeot”. I vetmi reagim erdhi nga “Euroimpex”, importues i “Opel” dhe “Peugeot”.

    Sipas tyre, kriteret janë përjashtuese.

    “Specifikimi teknik eliminon një numër të madh modelesh, për shkak të kufizimit në 2,000 cm³ dhe kërkesës për fuqi minimale prej 110 kW. Do të kërkojmë ndryshime që do të mundësonin pjesëmarrje më të gjerë dhe konkurrencë reale”, theksojnë nga kompania.

    Në një rast të mëparshëm, kur Delegacioni i BE-së organizoi tender për ambulanca për Shërbimin e Emergjencës në Shkup, u aplikuan kritere më fleksibile.

    Edhe pse kërkohej e njëjta bazë boshti (3,450 mm), BE-ja lejoi tolerancë më të madhe në përmasa. Po ashtu, për kapacitetin e motorit ishte përcaktuar intervali 2,100–3,500 cm³, ndryshe nga kufizimi aktual prej maksimumi 2,000 cm³.

    Një tender i ngjashëm në vitin 2024 tërhoqi edhe vëmendjen e Komisionit Kundër Korrupsionit, i cili hapi rast.

    Ndërkohë, që në vitin 2011, Ministria e Shëndetësisë kishte parashikuar interval për kapacitetin e motorit (1,800–2,300 cm³), praktikë që sot është braktisur.

    Edhe pas 15 vitesh, dilemat për mënyrën e realizimit të prokurimeve publike me vlerë milionëshe mbeten të njëjtat. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Përfundoi mbledhja e dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit

    Lajmi i rradhës

    Bujqit e Pollogut ankohen: subvencionet po vonohen vazhdimisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë