Fillon prezantimi i librave digjitalë nëpër shkolla

    Një javë para fillimit të vitit shkollor, shkollat përballen me paqartësi si do të zbatohet koncepti i ri për arsim, posaçërisht për klasën e katërt. Madje, për këtë të fundit janë paraparë edhe libra digjitalë që akoma nuk janë prezantuar para mësimdhënësve, përveç matematikës, pjesë të së cilës u bën publike sot nga Ministria e Arsimit. Autorët e matematikës digjitale vlerësojnë se teksti është i përshtatshëm për të gjithë nxënësit, është dinamik, ruan kuriozitetin e nxënësit dhe krijon mjedis nxitës për mësim.

    “Presim që ky material të ngjallë interes për krijimin e materialeve të reja inovative, shkëmbimin e përvojave me kolegët, si dhe mundësi për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në mjedise të ndryshme multietnike dhe multikulturore. Këto materiale ofrojnë një gamë të gjërë detyrash problemore që synojnë përmirësimin dhe forcimin e aftësive matematikore, përparimin funksional, pikërisht në pjesët ku nxënësit kanë treguar rezultate më të dobëta në testimet ndërkombëtare të matematikës”- deklaroi Valdeta Alija, autore e librit të matematikës kl.IV

    Autori, Dobri Jovevski vlerëson se aktivitetet e parashikuara për mësim në lëndën e matematikës ofrojnë mundësi për t’u realizuar në mënyrë të pavarur, në çifte dhe grupe. Gjithashtu, sipas Jovevskit, libri digjital i bën nxënësit garues dhe nxit tek nxënësit dëshirën për të mësuar, të trajnojnë dhe ta praktikojnë lëndën e matematikës.

     “Si ekip, ne u përpoqëm të dizajnojmë materialet mësimore të jenë gjithëpërfshirëse, me ngjyra dhe udhëzime të qarta që t’i ndihmojnë secilit nxënës t’i përdorë ato sipas aftësive dhe nevojave të tyre. I përgatisim nxënësit tanë për qytetarë aktivë evropianë që do të jetojnë dhe punojnë në epokën e re teknologjike – digjitale, në ekonomi bazuar në njohuri”- pohoi Dobri Jovevski, autor i librit të matematikës kl.IV

    Sipas Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë 5 orë në javë lëndën e matematiës. Koncepti i ri mësimor nis bashkë më vitin e ri shkollor si pjesë e reformave në arsimin fillor./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vijon publikimi i kandidaturave për zgjedhjet lokale

    Lajmi i rradhës

    Shtyhet fillimi i pastrimit të deponisë së vogël me lindan në OHIS

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë