Me diplomë, por “pa shkollë”! Nxënësit me aftësi ndryshe me arsim të mesëm, llogariten si me fillore

    Personat me aftësi të veçanta në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me barriera të shumta që shkojnë përtej sfidave fizike apo sociale, duke u thelluar sidomos në raportin me institucionet. Qasja në arsim, në tregun e punës dhe në shërbimet publike shpesh mbetet e kushtëzuar nga procedura administrative që nuk reflektojnë realitetin e tyre arsimor dhe profesional. Në vend që sistemi të shërbejë si mekanizëm për përfshirje, në shumë raste ai funksionon si filtër përjashtues, duke i vendosur këta qytetarë në pozita të pabarabarta që në hapat e parë drejt pavarësisë ekonomike, shkruan gazeta KOHA.

    Një rast i tillë është evidentuar së fundmi nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), ku dy të rinj me aftësi të veçanta janë përballur me trajtim të pabarabartë gjatë përpjekjes për t’u përfshirë në masat aktive të punësimit. Edhe pse kishin përfunduar arsimin e mesëm në një shkollë të specializuar me programe të adaptuara dhe të miratuara nga institucionet përkatëse, ata nuk janë lejuar të aplikojnë për masa si praktika apo pagesa për të rinj.

    Problemi ka lindur në momentin e regjistrimit dhe përpunimit të të dhënave të tyre në sistem, ku, pavarësisht diplomës dhe certifikatave të fituara, ata janë trajtuar si persona me arsim fillor. Arsimi i tyre i mesëm, i cili zgjat dy vjet dhe përfundon me certifikatë të formimit profesional të nivelit të dytë, nuk është njohur si i tillë në praktikë, duke i përjashtuar automatikisht nga përfitimi i politikave shtetërore për punësim.

    Sipas legjislacionit në fuqi, ky nivel i arsimit profesional konsiderohet pjesë e arsimit të mesëm dhe përbën bazë për kualifikim në tregun e punës. Megjithatë, mënyra se si institucionet e zbatojnë këtë kornizë ligjore tregon për një hendek të thellë mes asaj që njihet në letër dhe asaj që zbatohet në praktikë.

    Komisioni për ka konstatuar se ky trajtim përbën diskriminim të drejtpërdrejtë, duke theksuar se regjistrimi i këtyre personave si me arsim të paplotë i vendos ata në një pozitë dukshëm më të pafavorshme krahasuar me të tjerët. “Regjistrimi i personave të papunë në Agjencinë e Punësimit sipas nivelit 2 të kualifikimit (ekuivalent me arsimin fillor) edhe pse kanë përfunduar arsim të mesëm profesional dyvjeçar dhe kanë marrë një certifikatë për aftësim profesional si provë të kualifikimit të fituar, përkatësisht të arsimit të mesëm të përfunduar, paraqet trajtim të pabarabartë dhe vendosje të tyre në një pozicion më pak të favorshëm, sepse niveli i tyre aktual i arsimit dhe kualifikimit të fituar nuk njihet”, thanë nga KPMD.

    Ndërkaq, ky konstatim vë në pah një problem më të gjerë sistemor, ku mosnjohja e kualifikimeve të fituara nuk është vetëm çështje administrative, por një pengesë reale për integrimin e personave me aftësi të veçanta në tregun e punës. Për rrjedhojë, ata mbeten jashtë masave që synojnë pikërisht mbështetjen e të rinjve në fillim të karrierës së tyre profesionale.

    Në përputhje me këtë, Komisioni ka rekomanduar që Agjencia e Punësimit të ndryshojë mënyrën e evidentimit të këtyre personave, duke i regjistruar si persona me arsim të mesëm të përfunduar dhe duke u mundësuar kështu qasje të barabartë në masat e Planit Operacional për Punësim. Institucionit i është lënë një afat prej 30 ditësh për të harmonizuar praktikën edhe për rastet e ardhshme, në të kundërtën pritet inicimi i procedurave kundërvajtëse para organeve kompetente.

    Ndryshe, rasti në fjalë rikthen në vëmendje nevojën urgjente për rishikim të mënyrës se si institucionet interpretojnë dhe zbatojnë politikat për përfshirje, në mënyrë që të shmangen situata ku vetë sistemi bëhet burim diskriminimi për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete?

    Lajmi i rradhës

    Politika ndaj migracionit, “pikë kthese e vërtetë” apo PR?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë