Muzetë që bashkojnë një botë të ndarë

    Slogani me të cilin këtë vit shënohet 18 Maji – Dita e muzeve, “Muzetë, që bashkojnë një botë të ndarë”, bie si një kambanë alarmi për situatën ku gjenden muzetë në vend, sidomos ato institucione që lidhen me historinë dhe trashëgiminë shqiptare. Të keqfinancuara, me statuse të pazgjidhura dhe konteste pronësore, funksionojnë shumica prej tyre, ndërsa të tjera nuk kanë arritur as të regjistrohen si institucione lokale, por mirëmbahen nga komuniteti…, Muzeu i Alfabetit, Muzeu i Lirisë, Memoriali Nëna Shqiptare në Zajaz…, që prej themelimit të tyre vazhdojnë të bartin të pazgjidhura, statusin, pronësitë, e të tjera.

    Muzeu i Alfabetit në Manastir, një prej muzeve që pavarësisht statusit të një institucioni nacional, mbetet i kufizuar si në burime njerëzore, ashtu edhe financiare. Shtëpia ku u mbajt Kongresi i Alfabetit u rikonstruktua nga fondet IPA, ndërsa çështja e pronësisë nuk arriti të zgjidhej nga shteti. Sesi ndahen muzetë që duhet të bashkojnë botët e ndara duket tek mënyra sesi financohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit çdo vit më pak sesa viti paraardhës. Në zgrip të funksionimit dhe ekzistencës, nga Muzeu nuk i gjejnë dot shkaqet, sepse kërkesa e tyre për një fond prej 3 milionë denarësh për realizmin e Programit të punës për këtë vit, u reduktua në vetëm 400 mijë denarë.

    “Këto lloj shumash, nuk shërbejnë për asgjë dhe se në total buxheti i këtij viti për institucionin nacional është skandaloz”, kanë deklaruar për Koha nga Muzeu.

    Tema që ka përzgjedhur Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) ka për qëllim të nxjerrë në pah potencialin e muzeve për të vepruar si ura mbi ndarjet kulturore, sociale dhe gjeopolitike, duke nxitur dialogun, mirëkuptimin dhe paqen brenda dhe midis komuniteteve në mbarë botën. “Muzetë nuk i fshijnë dallimet, por krijojnë kushte në të cilat dallimet mund të kuptohen dhe trajtohen me respekt: ​​duke mbrojtur trashëgiminë dhe kujtesën, duke ofruar mësim dhe reflektim, dhe duke ofruar hapësira mikpritëse ku mund të dëgjohen zëra të ndryshëm. Të hapur dhe të arritshëm, muzetë nxisin diversitetin dhe qëndrueshmërinë”, thekson ICOM.

    Sipas të dhënave të publikuara mbi sektorin e muzeve, në vitin 2024 në Maqedoni funksiononin 28 muze dhe pjesëmarrja ishte 452.783 persona. Në të njëjtin vit, muzetë dhe koleksionet kishin gjithsej 367.710 objekte të arkivuara dhe të inventarizuara, nga të cilat vetëm 45.662 u shfaqën për publikun – rreth 12.4 për qind.

    Dita Botërore e Muzeve – 18 Maji, shënohet që në vitin 1977. Kjo ditë shërben si një kujtesë e fuqishme e rolit jetësor që luajnë muzetë në shoqëri – jo vetëm si mbrojtës të së kaluarës, por edhe si nxitës aktivë të arsimit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit kulturor. Në një kohë kur bota po përballet me polarizim në rritje, rëndësia e këtyre institucioneve si hapësira publike të sigurta për reflektim është më e madhe se kurrë.

    Lajmi Paraprak

    Rritet numri i fëmijëve që vuajnë nga ankthi në RMV

    Lajmi i rradhës

    Lojtarët më të mirë 19-vjeçë në pesë ligat kryesore të Europës këtë sezon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë