Fshati Çegran i Komunës së Gostivarit kohëve të fundit po përballet me disa probleme, të cilët po e vështirësojnë jetën e banorëve. Pasi që përmes fshatit kalon edhe rruga rajonale që lidh Komunën e Bërvenicës dhe të Gostivarit, banorët ankohen se krahas shumë veturave që qarkullojnë, problem në vete janë kamionët të cilët transportojnë materiale ndërtimore. Kjo ka bërë që të dukshëm të shkatërrohet infrastruktura në fshat, ndërsa edhe të rrezikohet dukshëm qarkullimi i lirë i qytetarëve dhe sidomos fëmijëve.
Përveç dëmtimit të rrugëve, ka filluar të rritet edhe niveli i ndotjes nga pluhuri. Alarmin për këto probleme e ka ngritur Sadri Saliu, këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Ai ka kërkuar që të vendosen tabele ndaluese për qarkullimin e automjeteve që kanë peshë mbi 10 ton.
“Në cilësinë time si këshilltar komunal, kërkojmë nga organet kompetente pranë komunës së Gostivarit që të bëjë shenjëzimin përkatës në rrugicën e fshatit Çegran ku kalojnë kamion me tonazh të rënd mbi 40 tonë. Banorët shprehin shqetësimin e tyre pasi kompanitë e ndërtimit me qarkullimin e vazhdueshëm të kamionëve të rëndë, kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në rrugë, objekte banimi dhe njëkohësisht e rrezikojnë sigurinë e fëmijëve dhe banorëve të lagjes. Kërkojmë nga organet përgjegjëse komunale që të vendosin tabele ndaluese për qarkullimin e automjeteve që kanë peshë mbi 10 ton dhe më pas organet kompetente, përfshire edhe policinë të ndërmarrin masa të nevojshme ndaj shkelësve dhe dëmtuesve të pronës publike”, thuhet në kërkesën e këshilltarit Sadri Saliu, drejtuar Komunës së Gostivarit.
Nga ana tjetër, Bashkësia lokale e fshatit Çegran është ankuar edhe në policinë e Gostivarit. Në ankesën e Bashkësisë lokale thuhet se qarkullimi i kamionëve po shkakton dëme serioze në infrastrukturën rrugore, rrezikon sigurinë e banorëve , si dhe krijon ndotje të madhe nga pluhuri, prandaj edhe kërkojnë reagim të menjëhershëm të institucioneve përkatëse, në këtë rast edhe të policisë.
“Nëpërmjet kësaj kërkese shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me qarkullimin e vazhdueshëm të kamionëve të rëndë (mbi 20 ton) nëpër rrugët e brendshme të fshatit Çegran, si pasojë e aktivitetit të gurores në këtë zonë. Gjithashtu theksojmë se gurorja funksionon pa pëlqimin e banorëve të fshatit, duke shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi të madhe në komunitet. Ky qarkullim po shkakton dëme serioze në infrastrukturën rrugore, rrezikon sigurinë e banorëve (sidomos fëmijëve dhe këmbësorëve), si dhe krijon ndotje të madhe nga pluhuri dhe zhurma”, qëndron në ankesën e bashkësisë lokale të fshatit Çegran drejtuar policisë së Gostivarit.
Më tej nga Bashkësia lokale e këtij fshati kanë kërkuar, ndalimin urgjent të qarkullimit të kamionëve të rëndë nëpër fshat, kontrolle të shtuara policore dhe ndëshkim të shkelësve, si dhe veprim të menjëhershëm për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të banorëve. Edhe nga Bashkësia lokale edhe këshilltari Saliu, kërkojnë reagim, sepse sipas tyre gjithçka që është ndërtuar në këtë fshat është ndërtuar me mund dhe me shumë sakrificë që e njëjta të shkatërrohet aq lehtë. /Koha/






