Agjencia e Filmit do të përfitojë tre për qind nga paratë e lojërave të fatit, pa asnjë kufizim në shumën e fondeve në bazë vjetore. Ndërsa Projektligji për lojërat e fatit pas miratimit nga Qeveria i është dorëzuar Parlamentit kineastët kanë reaguar të parët. Agjencia e Filmit, si edhe Shoqata e Punonjësve të Filmit kanë përshëndetur këtë mekanizëm që sipas tyre do të zhvillojë industrinë e filmit. Financimi i Agjencisë nga lojërat e fatit është bërë deri në vitin 2015, dispozitë kjo ligjore që u shfuqizua me një Vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016.
Me arsyetimin se ky vendim reduktoi buxhetin dhe ndikoi negativisht, në vitin 2025, Agjencia e Filmit paraqiti projekt-amendamente në kuadër të Projektligjit të ri për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, duke kërkuar që ky model të rikthehet në zgjidhjen ligjore.
“Këto fonde do të mundësojnë qëndrueshmëri dhe funksionalitet më të madh financiar të Agjencisë, rritje të mbështetjes për prodhimin vendas të filmave, zhvillimin e përmbajtjeve të reja krijuese, si dhe hapjen e mundësive për mbështetje të serialeve televizive, projekteve debutuese dhe autorëve të rinj. Përveç kësaj, parashikohet mbështetje për zhvillimin e projekteve dhe skenarëve, zhvillimin e rrjetit të kinemasë, botimin në fushën e filmit, si dhe krijimin e përmbajtjes filmike për fëmijë”, thuhet në reagimin e AF. Kanë reaguar edhe nga Shoqata e Punonjësve të Filmit.
“Ky mekanizëm do të mundësojë mbështetje edhe më të madhe dhe më sistematike për prodhimin vendas të filmave dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare, pagesën e borxheve të papaguara, si dhe rihapjen e konkurseve për shkrimin e skenarëve, zhvillimin e projekteve, post-prodhimin, promovimin dhe serialet televizive”, thonë kineastët.
Edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, në një postim në rrjet sociale ka potencuar se me ndryshimet e reja ligjore krijohen mundësi më të mëdha për investime në industrinë kinematografike.
“Me ndryshimet e reja ligjore tre për qind e të ardhurave nga lojërat e fatit do t’i ndahen AF pa asnjë kufizim vjetor për shumën e fondeve, katër për qind për zhvillimin e turizmit, gjithashtu pa asnjë kufizim. Kjo do të thotë më shumë filma maqedonas, konkurrencë më të madhe ndërkombëtare dhe një nxitje e fortë për zhvillim kulturor dhe ekonomik përmes filmit, dhe kështu promovim më të madh të Maqedonisë si një destinacion filmi dhe turistik”, ka thënë ministri.
Agjencia e Filmit është përballur me kritika për transparencë, pavarësi dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, kryesisht se për procesin e përzgjedhjes së projekteve nuk është gjithmonë mjaftueshëm transparent dhe se mungon qartësi në arsyet e dhënies ose refuzimit të fondeve. Në shumë raste janë ngritur dyshime për favorizim të projekteve apo individëve të caktuar në industrinë e filmit. /Koha/






