Sektori civil në Dibër përballet me sfida të mëdha

    Në Komunën e Dibrës, me pluralizmin në skenë u paraqitën edhe shoqatat e para qytetare. Ishin shoqatat ekologjike, por edhe shoqatat e bujqve, personave me aftësi të veçanta, si dhe shoqatat për demokraci. Nga viti në vit rritej numri i shoqatave, por vitet e fundit ato po përballen me ankesa të shumta. Në rend të parë paraqitet problemi i mungesës së financave, por edhe mungesa e hapësirave për realizimin e aktiviteteve të tyre. Sipas vlerësimit të drejtuesve të shoqatave, pikërisht mungesa e hapësirave ka ndikuar në uljen e aktiviteteve dhe më pas edhe në paraqitjen e problemeve financiare, pasi mungojnë projektet.

    Këto ditë, shoqatat qytetare kanë reaguar edhe një herë për mungesën e hapësirave. Një nga shoqatat që para shumë vitesh u paraqit me shumë sukses në qytet është Shoqata qytetare “Një Dollar për Dibrën”, e cila i dha një mbrojtje maksimale tentimeve të qeverisë së Nikolla Gruevskit për devijimin e lumit Radikë.

    Njëri nga themeluesit e shoqatës në fjalë, Dritan Lleshi, thotë se mungesa e hapësirave për punë është një hendikep i madh për shoqatat në Dibër.

    “Nëse nuk ke një zyrë ku të realizosh aktivitetet dhe të përgatitësh projektet, atëherë është e qartë se do të kesh ngecje në aktivitete. Ky problem është një barrierë që ka ndikuar edhe në ndërprerjen e punës së disa shoqatave në Dibër”, thotë Lleshi. Shoqata “Porosia”, me seli në Dibër, tashmë prej disa vitesh është duke kërkuar hapësirë. Kryetari i shoqatës, Bekim Ame, thotë se ka shumë objekte që mund të përdoren nga shoqatat në Dibër. Por, sipas tij, deri tani problemi nuk është tejkaluar. “Kemi kërkuar në komunë shumë herë hapësirë për punë, por nuk kemi marrë përgjigje pozitive. Si të realizosh aktivitete pa hapësira?”, thotë Bekim Ame.

    Shoqata “Porosia” ka shumë aktivistë dhe donatorë, pasi mbron interesat e personave me aftësi të ndryshme. “Prandaj nuk kuptoj se si kompetentët të mos na gjejnë një hapësirë pune”, shton Ame.

    Probleme të njëjta kanë edhe shoqatat e bujqve, Shoqata e blegtorëve “Dashi”, Shoqata ekologjike “Ujë, tokë dhe ajër i pastër – janë shëndet”, shoqata e bletarëve, shoqata e grave, Shoqata e bjeshkatarëve “Dibra” dhe disa shoqata të tjera. Përkrahje që të kenë hapësirat e tyre kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin edhe shoqatat që tashmë disponojnë hapësira. Ata thonë se pa kushte nuk mund të ketë aktivitete. Shoqata “Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit” është një nga shoqatat e para që ka ndihmuar shumë shoqata të tjera dhe potencon se ekziston nevoja që shoqatat të kenë hapësira pune. Ajo shpeshherë ka mundësuar realizimin e aktiviteteve të shoqatave të tjera në hapësirat e veta.

    Shoqata e “Mobilitetit” dhe ajo e “Invalidëve Civilë të Luftës Antifashiste” dikur kishin hapësira, por tani nuk i kanë më. Objektet ku ata ishin nuk ekzistojnë më. Me rrezikun për të mbetur jashtë objektit ku gjendet aktualisht përballet edhe shoqata e “Luftëtarëve të LNÇ-së dhe përkrahësve të tyre”.

    Edhe deri tani, shoqatat qytetare kanë kërkuar nga pushteti vendor, por jo vetëm, hapësira pune. Për më shumë se dy dekada kërkesat nuk janë ndalur, por rezultate nuk ka pasur. Shoqatat janë të mendimit se Dibra ka objekte ku mund të gjenden hapësira, si Komuna, Qendra për Kulturë, objekti i pensionistëve, si dhe disa objekte të tjera shoqërore. Po ashtu, shoqatat kanë një shpresë të madhe te komuna, respektivisht te pushteti i ri vendor në Dibër, që sipas tyre duhet të jetë ai që do t’i ndihmojë shoqatat në këtë drejtim. Pa hapësira pune, sipas tyre, nga viti në vit do të shuhen edhe ato shoqata që ende janë “gjallë”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ShBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

    Lajmi i rradhës

    Antidepresivët gjatë shtatzënisë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë