Kush dëshiron ta heshtë spiunazhin në presidencë?

    Presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska Davkova / Fotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

    Pesë muaj heshtje. Kaq ka kaluar nga momenti kur Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur një nga hetimet më të ndjeshme të kohëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, dyshimet për spiunazh dhe zbulim të sekreteve zyrtare brenda mureve më të mbrojtura të shtetit- Kabinetit të Presidentes, Gordana Siljanovska-Davkova. Por në vend që rrjedha e hetimit të prodhojë përgjigje, ajo ka prodhuar një vakum institucional. Një vakum që ngre pyetje thelbësore: kush kontrollon provat, kush mban incizimet dhe pse një rast i kësaj peshe duket sikur është lënë të tretet në korridoret e administratës? Në qendër të ngjarjes qëndron një kontradiktë e thjeshtë, por dërrmuese.

    Prokuroria thotë se prej muajsh pret rezultate nga Ministria e Punëve të Brendshme. MPB-ja, nga ana tjetër, përgjigjet me përgjithësime, me një listë aktivitetesh “në vijim”, pa data, pa konkluzione, pa përgjigje për pyetjen më të rëndësishme: ku janë incizimet e kamerave të sigurisë nga Villa Vodno?

    Në një rast ku çdo ditë vonesë mund të nënkuptojë humbje prove, çdo ditë heshtjeje merr peshën e një dyshimi më vete. Çështja nuk është vetëm teknike. Ajo prek arkitekturën më të ndjeshme të sigurisë kombëtare: si ruhen të dhënat në institucionin më të lartë të vendit, kush ka pasur qasje në to dhe më e rëndësishmja, a është e mundur që informacione të klasifikuara të kenë dalë jashtë mureve të Kabinetit Presidencial pa lënë gjurmë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk gjenden në komunikatat zyrtare, por në provat që ende nuk kanë mbërritur në duart e prokurorëve.

    SI NISI GJITHÇKA

    Siç thuhet në njoftimin e Prokurorisë, procedura është hapur më 18 dhjetor 2025, menjëherë pasi është pranuar informacioni nga Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së. Që nga ai moment, prokuroria ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për sigurimin e provave. Në fazën fillestare, Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale kërkesë për kontroll të sistemit kompjuterik, me qëllim që të konstatohej nëse kishte pasur kopjim të paautorizuar të të dhënave nga sistemi informativ në Kabinetin presidencial. Njëkohësisht janë lëshuar urdhra për nxjerrjen e të dhënave nga kompjuterët personalë dhe laptopët, të cilët më herët nga Kabineti i ishin dorëzuar MPB-së. Më 30 dhjetor 2025 është lëshuar edhe urdhri për analizimin e materialit të nxjerrë.

    INÇIZIMET QË ASKUSH NUK I KA

    Pengesat e para u shfaqën në fillim të vitit 2026. Kur prokuroria kërkoi incizimet e kamerave të sigurisë, Kabineti i Presidentes deklaroi se nuk posedon kopje, pajisjet janë furnizuar përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ndërsa përgjegjësia për menaxhimin e tyre, sipas Kabinetit, i takon MPB-së.

    Pas komunikimit me të dy institucionet, SHPPP konfirmoi se roli i tij kishte qenë vetëm furnizimi me pajisje, ndërsa ruajtja dhe administrimi i kopjeve mbetet obligim i MPB-së. Por nga Ministria e Punëve të Brendshme deri më sot nuk janë dorëzuar as informacione, as njoftime lidhur me veprimet për sigurimin e këtyre video-incizimeve. Një zinxhir përgjegjësish që kur ndiqet hap pas hapi rasti, përfundon në një cep ku askush nuk pranon se mban çelësin.

    TELEFONAT, KOMPJUTERËT DHE NJË URDHËR I RI

    Më 16 mars 2026, siç njoftojnë nga Prokuroria, MPB-ja dorëzoi informacion vetëm për një pjesë të aktiviteteve që lidhen me qasjen në të dhënat e kriptuara nga pajisjet kompjuterike. Bashkë me këtë, në Prokurori u dorëzuan edhe dy telefona mobilë të konfiskuar nga personi i denoncuar për të cilët prokuroria menjëherë lëshoi urdhër për nxjerrjen e të dhënave në Qendrën e saj Hetimore.

    Duke vlerësuar peshën e rastit, prokurori kompetent, më 25 mars 2026, i dorëzoi Sektorit për Krim Kompjuterik pranë MPB-së një urdhër të ri. Me të kërkohej një analizë e plotë e të dhënave nga telefonat, një analizë e përbashkët me të dhënat kompjuterike të përpunuara në Qendrën Hetimore, si dhe një analizë e veprimeve të ndërmarra sipas urdhrit gjyqësor për kontroll në sistemin e Kabinetit. Me të njëjtin urdhër kërkohej që prokurorisë t’i dorëzohej një raport për provat e siguruara. Ai raport sipas Prokurorisë, ende nuk ka mbërritur.

    “ASNJË REZULTAT, ASNJË NJOFTIM”

    Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion theksojnë se, pavarësisht seriozitetit të rastit, ndjeshmërisë së rrethanave dhe rëndësisë së reagimit në kohë, deri më sot nuk kanë marrë asnjë rezultat apo njoftim nga MPB-ja lidhur me veprimet e ndërmarra dhe provat e siguruara.

    Ministria e Punëve të Brendshme, nga ana tjetër, nuk dha përgjigje konkrete se ku ndodhen incizimet e kamerave të sigurisë nga Vila Vodno, të cilat prokuroria po i kërkon prej muajsh në lëndën që lidhet me dyshimet për spiunazh dhe aktivitete të paligjshme në Kabinetin e Presidentes. Ne kërkuam përgjigje nëse incizimet janë siguruar, pse për pesë muaj nuk janë dorëzuar në Prokurori dhe pse Prokuroria pretendon se nuk ka marrë asnjë informacion kthyes. Në vend të një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, nga MPB-ja vetëm numëruan një pjesë të aktiviteteve që po ndërmarrin lidhur me rastin. “Ju njoftojmë se nga ana e Sektorit për Krim Kompjuterik pranë MPB-së po ndërmerren masa dhe aktivitete përkatëse, përkatësisht janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe telefona mobilë. Është në vijim analiza e të gjitha provave elektronike që janë nxjerrë nga pajisjet e konfiskuara. Është zhvilluar bisedë zyrtare me persona të punësuar në Kabinetin e Presidentit dhe për këtë është dorëzuar njoftim deri te Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Pas zbardhjes së plotë të rastit, opinioni do të informohet në mënyrë përkatëse”, thonë nga MPB-ja.

    Mbetet e paqartë pse prokuroria nuk ka marrë njoftim nga MPB-ja për rezultatet e provave të siguruara, edhe pse hetimi po zhvillohet që nga dhjetori i vitit 2025. Koha

    Lajmi Paraprak

    Çfarë duhet të hajë fëmija pas operimit të bajameve?

    Lajmi i rradhës

    Spanja dhe Barcelona bien dakord për datën e rikthimit të Lamine Yamal nga lëndimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë