Sheqer, kripë dhe yndyrë pranë çdo shkolle në vend

    Një vlerësim i ri kombëtar mbi mjediset ushqyese në shkollat e Maqedonisë ka zbuluar se ushqimet dhe pijet e pashëndetshme janë lehtësisht të qasshme dhe promovohen gjerësisht brenda dhe përreth shkollave, ndërsa alternativat e shëndetshme mbeten të kufizuara. Studimi u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik, me mbështetjen e UNICEF-it. Në të morën pjesë 40 shkolla fillore dhe të mesme, si dhe rreth 1.700 nxënës nga mbarë vendi. Sipas gjetjeve, fëmijët kanë qasje dukshëm më të madhe në ushqime të pashëndetshme sesa në produkte ushqyese. Në të gjitha shkollat ku shitet ushqim, produktet e ofruara rezultuan të jenë të pashëndetshme. Po ashtu, nxënësit që jetojnë pranë shkollave kanë qasje të lehtë në pije me sheqer dhe produkte ultra të përpunuara me përmbajtje të lartë të sheqerit, kripës dhe yndyrës.

    Hulumtimi tregon se vetëm 35 për qind e shkollave ofrojnë vakte të organizuara në përputhje me standardet kombëtare të ushqyerjes. Megjithatë, edhe në këto institucione arsimore shpesh gjenden produkte të pashëndetshme.

    Në anën tjetër, nxënësit kanë shprehur mbështetje të madhe për përmirësimin e mjedisit ushqimor në shkolla. Mbi 80 për qind e të anketuarve besojnë se shkollat duhet të ofrojnë ushqime të shëndetshme, ndërsa 60 për qind mendojnë se kufizimi i ushqimeve të pashëndetshme do t’i ndihmonte të bënin zgjedhje më të mira. Përfaqësuesja e UNICEF-it në Maqedoni, Leslie Miller, theksoi se fëmijët po rriten në mjedise ku ushqimet e pashëndetshme janë vazhdimisht të pranishme dhe të reklamuara, ndërsa opsionet më të shëndetshme mbeten të pakta. “Krijimi i mjediseve në shkolla që mbështesin zgjedhjet e shëndetshme ushqimore është çelësi për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe zhvillimin e zakoneve të një stili jetese të shëndetshëm”, tha Miller.

    Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se shkolla luan një rol të rëndësishëm në formimin e zakoneve dhe vlerave tek të rinjtë. “Ushqyerja cilësore është themeli për shëndet të mirë, energji dhe zhvillim të duhur të fëmijëve”, tha Janevska.

    Nutricionistja Albulena Kadriu tha për gazetën KOHA se, gjatë pushimeve nxënësit blejnë ushqimet nëpër marketet që i kanë afër. “Në përgjithësi, rreth shkollave ka një numër të madh marketesh, dyqane dhe fast-food-e, të cilat u ofrojnë nxënësve qasje të shpejtë dhe të lehtë në ushqime të gatshme. Gjatë pushimit të madh, shumica e fëmijëve zgjedhin të blejnë produkte të tilla, kryesisht për shkak të komoditetit dhe kohës së kufizuar”, tha ajo. Nga ana tjetër, është gjithnjë e më e rrallë që nxënësit të sjellin ushqim të përgatitur nga shtëpia, megjithëse kjo mbetet alternativa më e shëndetshme dhe më e sigurt. Vaktet e përgatitura në shtëpi zakonisht përmbajnë më shumë vlera ushqyese dhe më pak sheqer, kripë e yndyrë të tepërt. Prandaj, është e rëndësishme të inkurajohet krijimi i zakoneve më të shëndetshme ushqimore si në familje, ashtu edhe në mjedisin shkollor, shtoi ajo.

    Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bëri thirrje për një reagim më të fuqishëm institucional dhe koordinim më të madh ndërmjet institucioneve për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm dhe më të sigurt për fëmijët. Në kuadër të kësaj nisme, UNICEF po nis edhe fushatën “#Çfarë Ha”, e zhvilluar në bashkëpunim me fëmijë dhe adoleshentë nga pesë shkolla të vendit. Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e vakteve të shëndetshme në shkolla dhe nevojën për kufizimin e reklamimit të ushqimeve të pashëndetshme. UNICEF vlerëson se krijimi i një mjedisi të shëndetshëm për fëmijët kërkon angazhim të përbashkët nga shkollat, familjet, institucionet dhe komunitetet lokale. Koha

    Lajmi Paraprak

    Malajzia zbaton ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në të gjithë vendin

    Lajmi i rradhës

    Një fazë e re

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë