Maqedonia mes vendeve me më shumë familje me fëmijë

    Struktura e familjeve në Evropë po ndryshon me shpejtësi. Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2025 tregojnë se numri i familjeve me fëmijë në Bashkimin Evropian po zvogëlohet, ndërsa po rritet numri i personave që jetojnë vetëm ose si çifte pa fëmijë. Megjithatë, Maqedonia e Veriut vazhdon të dallojë nga ky trend evropian, duke ruajtur një përqindje dukshëm më të lartë të familjeve me fëmijë krahasuar me mesataren e BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 595.6 mijë familje. Prej tyre, 393.4 mijë ose 66.1 për qind janë familje pa fëmijë, ndërsa 202.2 mijë, përkatësisht 33.9 për qind, janë familje me fëmijë. Krahasuar me BE-në, ku vetëm 23.4 për qind e familjeve kanë fëmijë dhe 76.6 për qind janë pa fëmijë, vendi ynë renditet dukshëm mbi mesataren evropiane dhe pozicionohet pranë vendeve me përqindjen më të lartë të familjeve me fëmijë, si Sllovakia me 35.4 për qind dhe Irlanda me 30.8 për qind.

    Në nivel të Bashkimit Evropian, nga 203.1 milion familje, vetëm 47.4 milion ose 23.4 për qind kanë fëmijë. Pjesa më e madhe e familjeve evropiane përbëhet nga persona që jetojnë vetëm, të cilët përfaqësojnë 37.5 për qind të të gjitha familjeve, ndërsa çiftet pa fëmijë përbëjnë 24.1 për qind. Tendenca gjatë periudhës 2016-2025 tregon një rritje prej 19.2 për qind të familjeve me një person, një rritje prej 3.3 për qind të çifteve pa fëmijë dhe një ulje prej 6.3 për qind të çifteve me fëmijë.

    Kur analizohet struktura e familjeve me fëmijë në vend, vihet re një shpërndarje pothuajse e barabartë midis familjeve me një dhe dy fëmijë. Nga 202.2 mijë familje me fëmijë, 87.3 mijë ose 43.2 për qind kanë një fëmijë, ndërsa 87.8 mijë ose 43.4 për qind kanë dy fëmijë. Familjet me tre ose më shumë fëmijë përbëjnë 13.4 për qind, ose 27.1 mijë familje. Në BE, gjysma e familjeve me fëmijë, ose 50.2 për qind, kanë vetëm një fëmijë, 37.6 për qind kanë dy fëmijë dhe 12.2 për qind kanë tre ose më shumë fëmijë. Në RMV dominojnë familjet me dy fëmijë, ndërsa edhe pjesëmarrja e familjeve me tre ose më shumë fëmijë është pak më e lartë se mesatarja evropiane.

    Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me familjet me një prind të vetëm. Sipas Eurostat, në Bashkimin Evropian rreth 6.1 milion familje me fëmijë, ose 12.9 për qind, mbështeten vetëm te një prind. Megjithatë, Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve me përqindjen më të ulët të familjeve me një prind në Evropë. Sipas të dhënave për vitin 2025, vetëm 2.6 për qind e familjeve me fëmijë në vend drejtohen nga një prind i vetëm. Në nivel evropian, barra e rritjes së fëmijëve në familjet me një prind bie kryesisht mbi gratë. Plot 81.6 për qind e këtyre familjeve, ose rreth 5 milionë, drejtohen nga nëna beqare, ndërsa baballarët beqarë përbëjnë 18.4 për qind. Gjithashtu, shumica e këtyre familjeve, ose 60.1 për qind, kanë vetëm një fëmijë. Koha

    Lajmi Paraprak

    Mashtrime serioze me ushqimin në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Gashi: edhe nëse dalim nga Qeveria, kush garanton ndryshimet kushtetuese?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë