Njëri nga iniciatorët e kërkesës për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka përshëndetur qëndrimin e Parlamentit Evropian lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një reagimi publik, Ademi falënderoi eurodeputetët dhe miqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Bruksel për mbështetjen e tyre në mbrojtje të ligjit dhe të drejtave gjuhësore.
“Faleminderit eurodeputetëve dhe miqve tanë në Bruksel për mbështetjen e tyre në mbrojtje të ligjit dhe të gjuhës shqipe. Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në aspektin ligjor ashtu edhe në frymën e saj”, shkroi Ademi.
Sipas tij, thirrja e Parlamentit Evropian drejtuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore përbën një mesazh të qartë në mbështetje të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në aspektin ligjor ashtu edhe në frymën e saj.
Në reagim theksohet gjithashtu se Parlamenti Evropian ka kërkuar që protestat studentore të mos paraqiten padrejtësisht si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues, duke vlerësuar se kërkesat e studentëve lidhen me respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.
“Gjithashtu, kërkohet që protestat studentore të mos paraqiten në mënyrë të padrejtë si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues”, shkruan Ademi.
Ademi vlerësoi se ky qëndrim përfaqëson një mbështetje të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe për respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në institucionet e shtetit.






