Ligji që ka propozuar qeveria për lojërat e fatit është një legalizim, një funksion mbrojtës për industrinë e lojërave të fatit, vlerësoi deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri gjatë Impakt. Sipas tij, ligji ka vetëm një një ndryshim e ka ligji nga gjendja ekzistuese, përkatësisht pjesa e largimit të kazinove në distancë 500 m nga shkollat fillore dhe të mesme, përcjell Nistori.
“Zgjidhja është ajo që e kemi propozuar ne si parti politike. Zgjidhja është që, objektet e lojërave të fatit ose lojërat e fatit të organizohen në objekte ekskluzivisht në hotele me 5 yje, gjë që në Maqedoninë e Veriut nuk i kemi ato objekte. Por, ato që dëshirojnë të mirren me këtë industri, me këtë biznes, ato duhet edhe të investojnë dhe urdhëroni investoni në hotele me 5 yje, ndërtoni në hapësira ku nuk ka qarkullim të njerëzve, zakonisht këto bëhen në zona kufitare dhe në mënyrë që t’i largojmë nga vendbanimet ku lojërat e fatit janë të ekspozuara ndaj të gjithë qytetarëve. Paradoksi ose absurdi i llojit të vet – pse duhet të largohen 500 metra nga shkollat dhe nuk duhet të largohen prej xhamive, pse nuk duhet të largohen nga kishat, çerdhet e fëmijëve, spitaleve!? Çka është ky distinksion absurd mes objekteve të interesit publik! Pse e kanë bërë veç për shkollat!?”, tha Aziri.
Sipas tij, kjo është një tentativë për të plasuar në opinion një iluzion se gjoja qeveria po bën veprime për t’i parandaluar lojërat e fatit, por në të kundërtën, siç theksoi ai, jo që nuk bën veprime por, vetëm se i përforcon pozitën e këtyre objekteve, e përforcon pozitën e kësaj industrie në vendbanime dhe në ekonomi në tërësi.
Aziri deklaroi se partia e tij do të insistojë që në ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor të përfshihet votimi elektronik i diasporës në të gjitha proceset zgjedhore, përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Ai tha se Lidhja Shqiptare ka propozuar që mërgatës t’i mundësohet votimi elektronik në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Megjithatë, propozimet e kësaj partie nuk janë pranuar në grupin e punës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ka një rezistencë sa i takon votimit të diasporës në formë elektronike edhe për zgjedhjet lokale. Ezkiston ujdia që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, megjithatë propozimi dhe insistimi ynë është që të votojnë në formë elektronike edhe në zgjedhjet lokale, sepse ato kanë investime këtu. Nuk ka argumentime, nuk ka shpjegime në kuadër të komitetit, komisionit që po bëjmë diskutime, po ne si parti politike do t’i shfrytëzojmë mundësitë e tona që i jep rregullorja e kuvendit dhe nëse është e nevojshme të bllokojmë edhe këtë ligj nëse nuk përfillet e drejta e mërgatës për të votuar edhe në zgjedhjet lokale”, deklaori Aziri.






