Në kabinetin e ri qeveritar, që u riformua ditë më parë, dy propozime për ministra nga koalicioni VLEN tërhoqën vëmendjen më të madhe. Ata janë emra krejtësisht të rinj, në kuptimin që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë së mëparshme dhe nuk kanë mbajtur më parë asnjë pozicion ekzekutiv, shkruan Fokus, përcjell Nistori.
Njëri prej tyre është propozimi për ministër të ri të Drejtësisë, Jeton Shasivari, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë (i njohur si Universiteti i Shtulit). Ai nuk vjen në këtë pozicion si zgjidhje partiake, por si ekspert i jashtëm.
Ndryshe nga Shasivari, ministri i ardhshëm i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, Agon Ferati, është një personazh krejtësisht i panjohur për shumë njerëz, ndonëse ka pasur njëfarë përvoje politike në të kaluarën, pavarësisht se ishte tërhequr nga jeta publike prej disa vitesh.
Në fakt, Ferati ka përfunduar studimet master për administrim biznesi dhe u promovua për herë të parë si shef i kabinetit të kryetarit të PDSh-së, Menduh Thaçi. Megjithatë, kur shpërtheu përçarja në PDSH – pasi Ziadin Sela hyri në konflikt me Thaçin dhe formoi Lëvizjen për Reforma të PDSH-së në vitin 2015, e cila i parapriu Aleancës për Shqiptarët – Ferati iu bashkua Selës dhe u bë nënkryetar i tij.
Sidoqoftë, Ferati u zhduk nga syri i publikut menjëherë pas kësaj, derisa u propozua si Ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve si kuadër i VLEN-it. Kjo tregon qartë se ndërkohë ai ka qenë aktiv brenda këtij koalicioni, i cili së fundmi u transformua në parti politike.
Ndërkaq, sipas biografisë së tij zyrtare të dorëzuar deputetëve, Ferati ka punuar në Komunën e Tetovës që nga viti 2013 si këshilltar për menaxhimin e projekteve të financuara nga BE-ja, ndërsa në periudhën 2023–2024 ka qenë pjesë e UNOPS-it si ekspert për Kapitullin 8 të BE-së.
Tani Ferati po drejton Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve, e cila u formua në vitin 2019 pas shfuqizimit të ish-Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (Kornizë), i cili gjithmonë kishte qenë nën drejtimin e një shqiptari etnik.
Megjithatë, ky parim ose rregull i pashkruar u shkel pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2024, kur kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve, Ivan Stoilkoviq, u vu në krye të këtij dikasteri (i transformuar nga Sekretariat në Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve).
Duke e emëruar atë në një pozicion kaq të lartë qeveritar, kryeministri Hristijan Mickoski në njëfarë mënyre u hakmor ndaj kundërshtarëve duke shpërblyer Stoilkoviqin. Ky i fundit, së bashku me kreun e Partisë Socialiste, Lupço Dimovski, ishte një nga partnerët e paktë të koalicionit të VMRO-DPMNE-së që nuk iu nënshtrua presionit kur ish-qeveria e LSDM-së dhe BDI-së “gjuante” deputetë nga “ana tjetër” për të siguruar një shumicë qeverisëse më të qëndrueshme apo edhe një shumicë prej dy të tretave.
Megjithatë, emërimi i Stoilkoviqit në krye të një portofoli që, kushtimisht, konsiderohej “i rezervuar” për partnerin shqiptar të koalicionit, shërbeu si shkak dhe bazë e mjaftueshme që opozita shqiptare e udhëhequr nga BDI-ja ta sulmonte qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it si antishqiptare dhe si kundërshtare të Marrëveshjes së Ohrit.
Përveç kësaj, BDI-ja dhe partitë e tjera opozitare shqiptare e kanë akuzuar vazhdimisht Stoilkoviqin se i përket të ashtuquajturës “botë serbe”, madje duke e akuzuar për lidhje me Rusinë. Ky ishte edhe një nga argumentet kryesore të Izet Mexhitit dhe Bilal Kasamit në negociatat me VMRO-DPMNE-në se pse VLEN-i duhet të merrte nën drejtim Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve.
Duke pasur parasysh këtë situatë, Mickoski duket se i ka pranuar këto argumente, por pa hequr dorë plotësisht nga Stoilkoviqi, i cili u emërua në krye të një dikasteri tjetër qeveritar, pikërisht si Ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.
Nga ana tjetër, ministri i deritanishëm i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, u emërua drejtor i përkohshëm i Fondit të Sigurimit Shëndetësor – një pozicion që mbeti i lirë pasi drejtori i deritanishëm, Sasho Klekovski u bë Ministër i ri i Shëndetësisë në vend të Azir Aliut. /Nistori/






