Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se rezultatet më të fundit të analizave të ujit në Gostivar janë të mira dhe shprehu pritjen që, më së voni deri nesër, institucionet kompetente të njoftojnë se uji është teknikisht i sigurt për përdorim.
Ai theksoi se Prokuroria tashmë ka identifikuar përgjegjësinë për ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë, por hetimet do të vazhdojnë nëse lind nevoja për të përcaktuar përgjegjësi shtesë.
“Përgjegjësia e plotë për atë që ka ndodhur, për momentin, është identifikuar. Më tej do të vazhdohet me përcaktimin e përgjegjësive të tjera nëse është e nevojshme. Ne menjëherë siguruam ujë të pijshëm. Falënderoj të gjithë ata që u bashkuan me donacione dhe në këtë mënyrë e bënë jetën e qytetarëve të Gostivarit më të sigurt. Ekipe nga Shkupi ndodhen në Gostivar dhe po punojnë në hiperklorimin e instalimeve. Rezultatet tashmë janë të mira. Pres që sot, ose të jemi konservatorë e të themi nesër, të dalë njoftimi se uji është teknikisht i sigurt për përdorim. Brenda një jave gjithçka u sanua”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se në Gostivar u shpall epidemi pasi analizat konstatuan ndotje të ujit të pijshëm në rrjetin e furnizimit, ndërsa autoritetet ndaluan përdorimin e tij për pije, përgatitje ushqimi dhe higjienë personale. Qeveria organizoi furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm, ndërsa ekipe të specializuara ndërhynë me procesin e hiperklorimit dhe dezinfektimit të rrjetit.
Lidhur me rastin, organet e hetimit nisën procedurë penale dhe u arrestuan drejtoresha e Ndërmarrjes Komunale në Gostivar, Artana Asllani, si dhe dy bashkëpunëtorë të saj, nën dyshimet për përgjegjësi në lidhje me ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë. Gjatë ditëve të fundit, analizat e vazhdueshme të Institutit të Shëndetit Publik kanë treguar përmirësim të cilësisë së ujit, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se kufizimet do të hiqen vetëm pasi të konfirmohet plotësisht se uji i plotëson standardet e sigurisë për përdorim.






