Mungesa e ujit rikthen shqetësimin veror në Dibër

    Edhe këtë verë qyteti i Dibrës po përballet me probleme në furnizimin me ujë. Për shkak të rritjes së konsumit, si dhe keqpërdorimit të ujit për vaditjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe bujqësore në disa pjesë të qytetit, problemi i mungesës së ujit po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Për këtë arsye, drejtoria e Ndërmarrjes Publike Komunale “Standardi”, e cila menaxhon me ujësjellësin Rosok–Dibër, ka ndërmarrë masa urgjente, sidomos për stabilizimin e furnizimit në lagjen Venec 1, ku ndodhen edhe ndërtesat kolektive dhe ku situata me presionin e ujit është më kritike.

    Për këtë çështje ka debatuar edhe Këshilli i Komunës së Dibrës, i cili ka dhënë dritën jeshile për të mbështetur financiarisht ndërmarrjen komunale në vendosjen e pompave për rritjen e presionit të ujit në çdo ndërtesë kolektive të kësaj lagjeje. Në Venec 1 mungesa e ujit zgjat mbi 10 orë në ditë, ndërsa presioni është shumë i ulët.

    Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, para këshilltarëve theksoi se mungesa e ujit gjatë sezonit veror është një problem i kahershëm. “Situata është evidente prej vitesh. Duhet të ndërmarrim masa dhe ta ndihmojmë ndërmarrjen komunale që menaxhon me ujësjellësin. Jemi duke analizuar situatën dhe së shpejti do të ndërmerren edhe aktivitete të tjera me qëllim që furnizimi me ujë të stabilizohet”, tha Mela. Edhe këshilltarët që diskutuan për këtë çështje vlerësuan se situata është serioze. Ata kërkuan kontrolle më të rrepta ndaj keqpërdorimit të ujit për vaditjen e sipërfaqeve bujqësore në disa zona periferike të qytetit. Megjithatë, të gjithë këshilltarët ishin të një mendimi që Komuna duhet të financojë blerjen e pompave për ndërtesat kolektive në lagjen Venec 1, ku problemi me furnizimin me ujë është më i theksuar.

    Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Standardi”, Nertil Osmani, tha se Komuna është themeluese e ndërmarrjes, prandaj edhe kërkesa për mbështetje financiare i është drejtuar pushtetit lokal. “Besojmë se me rreth 10 mijë euro do të sigurohen pompat që do të rrisin presionin e ujit në ndërtesat e kësaj lagjeje, ku jeton një numër i madh familjesh, përfshirë edhe familje me gjendje të rënduar sociale”, tha Osmani.

    Me kërkesë të këshilltarit Muharem Imeroski, Këshilli miratoi edhe një vendim për realizimin më të shpeshtë të analizave të cilësisë së ujit. Mungesa e ujit dhe temperaturat e larta, si në qytet ashtu edhe në fshatra, kërkojnë monitorim më të shpeshtë të cilësisë së ujit. Kryetari i Këshillit Komunal, Afrim Krkuti, tha se do të ndërmerren masa urgjente për të siguruar analiza më të shpeshta të ujit. Aktualisht analizat kryhen nga Enti për Shëndet Publik i Ohrit, por synimi është që ato të realizohen edhe në Dibër, përmes njësisë lokale të këtij institucioni. Problemi i mungesës së ujit bëhet edhe më i ndjeshëm gjatë verës, kur në Dibër kthehen mijëra mërgimtarë. “Kjo situatë përsëritet çdo verë dhe ne si mërgimtarë jemi të shqetësuar”, thotë Afrim S., i cili jeton me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka ardhur për pushime në vendlindje.

    Edhe Bekim F., një tjetër mërgimtar nga SHBA, për gazetën KOHA thotë se mungesa e ujit është problemi më i madh me të cilin përballet Dibra. “Komuna duhet të marrë masa urgjente për ta zgjidhur këtë problem. Nëse është e nevojshme, edhe ne si mërgimtarë jemi të gatshëm të ndihmojmë që qyteti ynë të ketë furnizim të rregullt me ujë edhe gjatë verës, pa restrikcione”, shprehet ai. Ndërkaq, Sinan F., mërgimtar nga Gjermania, vlerëson se problemi i furnizimit me ujë duhet të zgjidhet para se të jepen leje të reja ndërtimi për banesa kolektive. “Nuk ka logjikë që banorët të mos kenë ujë, ndërsa në të njëjtën kohë të ndërtohen banesa të reja kolektive. Si do të furnizohen ato me ujë?”, pyet ai. Koha

    Lajmi Paraprak

    Pesë këshilla për të zhvilluar empatinë dhe dhembshurinë te fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Takimi i Kurtit me Abdixhikun që “la më shumë pyetje sesa përgjigje”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë