VLEN dhe BDI përplasen për rastin “Lotaria” dhe Artan Grubin

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Po bëhen gati gjashtë muaj nga caktimi i arrestit shtëpiak për kutinë e zezë të BDI-së, Artan Grubin, në rastin “Lotaria”, ndërsa nga aktakuza ende s’ka nam e nishan. Më 22 gusht skadon afati maksimal i kësaj mase, kurse Prokuroria vazhdon me hapa breshke, qëndron në kumtesën e VLEN-it.

    VLEN ka ngritur dyshime se mos vallë Artan Grubi është rrëfyer për shumëçka, prandaj edhe çështja po zvarritet.

    “Ndërkohë, pluhur ka zënë edhe dosja për të cilën Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane dhe opinioni me të drejtë pyet se ku ka mbërritur kjo çështje. Partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e futi Grubin në listën e zezë për korrupsion të nivelit të lartë. Ai dhe gjykatësi Enver Bexheti pranuan ryshfet për ta liruar nga burgu Sasho Mijallkovin.Artan Grubi nuk është dosido ish-funksionar. Ai është kutia e zezë e BDI-së. E di kush i tërhiqte pejtë, kush i ndante pazaret dhe në cilët xhepa përfundonin paratë e kumarit. Prandaj, Ali Ahmeti ka arsye të flejë me njërin sy hapur e tjetrin te Grubi”, thuhet në reagim.

    “Për t’ia hequr sikletin Ali Ahmetit dhe për t’i dhënë opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, thonë nga VLEN.

    Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të VLEN-it lidhur me Prokurorinë dhe rastin “Lotaria”, duke i cilësuar ato si presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë.

    Në reagimin e BDI-së thonë se opinioni publik është “skandalizuar” nga, siç e cilëson, apostrofimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë nga ana e VLEN-it.

    “Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj Prokurorisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Sipas BDI-së, presionet ndaj institucioneve të drejtësisë janë përmendur edhe në raportet e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa deklaratat e VLEN-it, sipas kësaj partie, e konfirmojnë këtë shqetësim.

    “Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa VLEN këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”, thekson BDI.

    BDI i referohet edhe raportit të Bashkimit Evropian, për të cilin thotë se ngre shqetësime serioze për ndërhyrje politike në sundimin e ligjit.

    “Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, thuhet më tej në reagim.

    BDI bën të ditur se këtë shqetësim ua ka përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë, sipas saj, edhe reagimin e sotëm të VLEN-it.

    Lajmi Paraprak

    Piktori, i fortë prej “Aleancës së qelbësirave” që e mbron

    Lajmi i rradhës

    Ka ligje, por nuk ka zgjidhje: pse RMV nuk po arrin ta zvogëlojë numrin e kafshëve të pastreha

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë