45 deputetë “pa zë”! Gjysmë viti në Parlament pa fjalë, pa pyetje dhe pa propozime (Tabela)

    Të zgjedhur për të folur në emër të qytetarëve, por për gjashtë muaj (janar-qershor 2025) pothuajse të padukshëm në foltoren e Parlamentit. Të dhënat për aktivitetin e deputetëve nxjerrin në pah një problem të vjetër të Parlamentit: një pjesë e përfaqësuesve të qytetarëve janë aktivë vetëm në listat zgjedhore, ndërsa në sallën plenare zgjedhin heshtjen. Tre deputetë nuk kanë thënë asnjë fjalë në Parlament gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe deputeten e VMRO-DPMNE-së, Valentina Marçevska. Sipas të dhënave të publikuara përmes platformës “pratenici.mk“ gjatë kësaj periudhe ata nuk kanë marrë pjesë në diskutime, nuk kanë parashtruar pyetje deputetësh, nuk kanë propozuar ligj apo amendament dhe nuk kanë qenë anëtarë të ndonjë komisioni parlamentar.

    Veçanërisht bie në sy rasti i Marçevskës. Për dallim nga Ahmeti dhe Thaçi, të cilët prej vitesh renditen ndër deputetët më pasivë për pjesëmarrjen në seanca, ajo ka qenë ndër deputetët më të rregullt në pjesëmarrje, duke qenë e pranishme në të gjitha 56 seancat. Por prania fizike në sallë nuk është shoqëruar edhe me aktivitet parlamentar.

    Ndërkaq, shifrat për Ahmetin dhe Thaçin janë edhe më drastike. Ahmeti ka marrë pjesë vetëm në tri nga 56 seancat, ndërsa Thaçi në katër. Në listën e deputetëve me pjesëmarrjen më të ulët janë edhe Sadulla Duraki, me 15 seanca, si dhe Skender Rexhepi nga Fronti Europian dhe Valbona Adili-Emini nga VLEN, të cilët kanë qenë të pranishëm në nga 16 seanca.

    Por problemi nuk ndalet vetëm te pjesëmarrja në seanca. Të dhënat tregojnë se 45 nga gjithsej 120 deputetë nuk kanë marrë fare fjalën për të diskutuar ndonjë çështje gjatë kësaj periudhe. Dy të tretat e deputetëve nuk kanë parashtruar asnjë pyetje deputeti, 36 nuk kanë marrë pjesë në propozimin e amendamenteve, ndërsa 13 nuk kanë nënshkruar asnjë propozim-ligj.

    Këto shifra hapin edhe njëherë debatin se çfarë do të thotë realisht të jesh deputet: vetëm të fitosh një mandat në zgjedhje apo të ushtrosh aktivisht përgjegjësinë që vjen me të. Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë hapa të rëndësishëm për të parë se sa aktivë janë përfaqësuesit e qytetarëve.

    “Aktualisht, në mënyrën se si është pozicionuar sistemi i zgjedhjes së deputetëve në Kuvendin tonë, qytetarët nuk kanë mundësi të zgjedhin emra individualë, por votojnë për lista të përcaktuara paraprakisht nga partitë politike. Kjo mund të jetë një mekanizëm i mirë edhe për vetë partitë politike, për të parë se si njerëzit që i kanë vendosur në ato lista dëshmohen, përkatësisht sa e realizojnë momentin e përfaqësimit në vetë Kuvendin“, thotë Aleksandra Jovevska Gjorgjeviq nga Instituti për Demokraci.

    Në anën tjetër, të dhënat tregojnë se ka edhe deputetë që kanë qenë dukshëm më aktivë. Ndër më aktivët në gjysmën e parë të vitit të kaluar janë Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, Sali Murat nga Fronti Europian, Jovanka Trençevska nga LSDM, Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE dhe Daniela Nikolova nga LSDM.

    Parlamenti edhe më herët ka publikuar raporte për aktivitetin e deputetëve, por platforma e re e bën më të lehtë krahasimin dhe kontrollin e punës së secilit deputet. Në këtë mënyrë, qytetarët mund të shohin më qartë se kush merr pjesë, kush diskuton, kush propozon dhe kush, thjesht, mungon. Në fund, mbetet paradoksi i sistemit: qytetari voton për një listë partiake, por pas zgjedhjeve shpesh nuk ka mekanizëm të drejtpërdrejtë për t’i kërkuar llogari deputetit konkret. Ndërkohë, karrigia në Parlament mbetet e njëjtë, edhe për atë që flet çdo ditë, edhe për atë që për gjashtë muaj nuk thotë asnjë fjalë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Zgjedhjet si zgjidhje? Kutitë e votimit sërish në horizont

    Lajmi i rradhës

    Inflacioni ngadalësohet, ndërsa çmimet e ushqimeve arrijnë nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2023

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë