Diploma pa treg pune, ulen kuotat në universitetet e Maqedonisë së Veriut

    Kuotat e regjistrimit janë ulur kryesisht për programet e studimit në administrim biznesi dhe administratë publike, si dhe për disa programe studimore në fakultetet e ekonomisë, drejtësisë dhe mjekësisë, thotë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Sipas saj, në këto profesione po regjistrohet një numër më i madh i të papunëve për shkak të ngopjes së tregut të punës, përcjell Nistori.

    Kuotat e regjistrimit për studentët e vitit të parë në të gjitha universitetet e vendit janë zvogëluar me rreth 2.000 vende, veçanërisht në programet e studimit që lidhen me profesione në të cilat papunësia është më e lartë për shkak të ngopjes së tregut të punës.

    Në një intervistë për MIA-n, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se kuotat janë ulur kryesisht për programet e studimit në administrim biznesi dhe administratë publike, si dhe për disa programe në fakultetet e ekonomisë, drejtësisë dhe mjekësisë. Sipas saj, në këto profesione po rritet numri i të papunëve.

    “Në të kundërt, kuotat për profesionet teknike, IT-në, inxhinierinë mekanike dhe ndërtimtarinë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, ndërsa shkalla e punësimit në këto fusha është në nivel të shkëlqyer dhe arrin diku në 98-99 për qind”, thotë Janevska në intervistën për AIM.

    Ministrja është e bindur se të gjithë studentët do të gjejnë vend në programet ku dëshirojnë të studiojnë.

    Duke filluar nga ky vit akademik, sipas Janevskës, konviktet e rinovuara studentore “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup do t’i hapin dyert për studentët. Akomodimi në “Stiv Naumov” do të fillojë më 1 tetor, ndërsa në “Kuzman Josifovski-Pitu” në fillim të nëntorit.

    Më pas do të vijojnë faza e dytë dhe e tretë e rindërtimit gradual të konvikteve studentore në të gjithë vendin. Për konviktet e rinovuara do të zbatohen çmime të reja të akomodimit. Për momentin, kjo do të vlejë vetëm për “Stiv Naumov”, ku çmimi aktual prej 3.500 denarësh do të rritet në pothuajse 6.000 denarë.

    “Kemi pasur komente edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit lidhur me pjesëmarrjen e ulët, i cili kërkoi që çështja e pjesëmarrjes, si nga studentët, ashtu edhe nga shteti, të rishqyrtohet. Ky problem nuk është zgjidhur për 20 vjet. Pse katër ministra para meje, gjatë shtatë viteve të fundit, nuk kanë ndërmarrë veprime për ta zgjidhur problemin, nuk di si ta them, por modeli aktual nuk është i mirë dhe është i paqëndrueshëm”, thotë Janevska.

    Lajmi Paraprak

    Influenceri më i mirë i shtetit

    Lajmi i rradhës

    “Po të më doje…” – 11 fjali me të cilat fëmijët ju bëjnë të ndiheni fajtorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë