Kostoja e jetesës në gusht të këtij viti u rrit me 2.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa çmimet me pakicë, në të njëjtën periudhë, shënuan rritje prej 2.3 për qind, sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS), përcjell Nistori.

Sipas raportit, inflacioni mujor në gusht, i matur sipas indeksit të çmimeve të konsumit, ishte 0.4 për qind krahasuar me korrikun e këtij viti.
Në bazë vjetore, rritja më e madhe u regjistrua te pijet alkoolike dhe duhani, çmimet e të cilave u rritën me 9.4 për qind, ndërsa krahasuar me muajin e kaluar, ky grup nuk shënoi ndryshim. Pas tyre renditet sektori i rekreacionit, sportit dhe kulturës, ku çmimet janë rritur me 8.8 për qind brenda një viti.
Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 1 për qind në bazë vjetore dhe me 0.5 për qind në bazë mujore. Çmimet e strehimit, ujit dhe energjisë elektrike gjithashtu u rritën me 3.8 për qind në bazë vjetore.
Rritje e ndjeshme brenda një viti u regjistrua edhe në sektorin e shërbimeve arsimore, ku çmimet u rritën me 5 për qind, ndërsa shërbimet e restoranteve dhe akomodimit u shtrenjtuan me 4.8 për qind.
Në bazë vjetore, nuk u regjistrua ulje e kostove në asnjë sektor. Megjithatë, në bazë mujore, ulje e kostos së jetesës u shënua te veshjet dhe këpucët, me 0.3 për qind, si dhe te transporti, me 0.8 për qind.
Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi gjithashtu se indeksi i çmimeve me pakicë në gusht shënoi rritje prej 2.3 për qind në bazë vjetore, ndërsa krahasuar me muajin e kaluar pati rënie prej 0.2 për qind.
Rritja më e madhe mujore e çmimeve me pakicë u regjistrua te produktet industriale joushqimore dhe duhani, me 0.9 për qind. Produktet ushqimore u shtrenjtuan me 0.4 për qind në gusht.
Rënia më e madhe e çmimeve në gusht, krahasuar me muajin e kaluar, u regjistrua në sektorin e shërbimeve, me 1.4 për qind.
Çmimet e produkteve bujqësore ranë me 0.6 për qind krahasuar me muajin e kaluar. /Nistori/







