Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, i ka cilësuar si shumë të dobëta rezultatet e nxënësve të Maqedonisë së Veriut në testimin ndërkombëtar PISA 2025, por ka theksuar se ato pasqyrojnë reformat e zbatuara në sistemin arsimor para ardhjes së Qeverisë aktuale në pushtet, shkruan Nistori.
Duke komentuar rezultatet e publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Janevska tha se Qeveria aktuale erdhi në pushtet në vitin 2024, ndërsa testimi PISA u zhvillua vetëm rreth gjashtë muaj më vonë.
“Për fat të keq, rezultatet e PISA-s janë sërish shumë të dobëta, por dua të theksoj se këto janë rezultate të reformave të bëra më herët. Ne erdhëm në pushtet në vitin 2024 dhe vetëm gjashtë muaj më vonë, në vitin 2025, u zhvilluan këto testime”, deklaroi Janevska.
Sipas saj, efektet e reformave që po zbatohen aktualisht në arsimin e Maqedonisë së Veriut nuk mund të maten menjëherë, por do të bëhen të dukshme kur nxënësit e përfshirë nga ndryshimet e tanishme të arrijnë moshën 15-vjeçare.
“Për fat të keq, në vitin 2001 kemi pasur rezultate më të mira në lexim dhe të kuptuar. Rezultatet më të mira i kemi pasur në vitin 2018, që, sipas mësimdhënësve dhe analizave, është rezultat i reformës ‘Kembrixh’. Rezultatet e reformës që po zbatohet aktualisht do t’i shohim kur këta nxënës të mbushin 15 vjeç, pra diku pas 9–10 vitesh. Për fat të keq, nuk bëhet fjalë vetëm për programet. Do të duhet t’u kushtojmë shumë më tepër vëmendje edhe elementeve të tjera që përbëjnë sistemin arsimor”, tha Janevska.
Vetëm 26 për qind arrijnë nivelin bazë në lexim
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 15-vjeçarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kenë rezultate dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në tri fushat kryesore – matematikë, lexim dhe shkencë.
Në matematikë, nxënësit e Maqedonisë së Veriut kanë arritur mesatarisht 369 pikë, në lexim 342 pikë, ndërsa në shkencë 378 pikë.
Vetëm 32 për qind e nxënësve kanë arritur të paktën nivelin bazë të njohurive në matematikë, krahasuar me mesataren prej 65 për qind në vendet e OECD-së. Në lexim, vetëm rreth 26 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin 2 ose më lart, ndërsa në shkencë këtë nivel e kanë arritur rreth 36 për qind.
Në shkencë, asnjë nga nxënësit e testuar në Maqedoninë e Veriut nuk ka arritur nivelet më të larta, 5 ose 6. Po ashtu, asnjë nxënës i testuar nuk ka arritur nivelin më të lartë të kompetencës në lexim.
Krahasuar me testimin e vitit 2022, rezultatet e nxënësve nga Maqedonia e Veriut në matematikë janë përkeqësuar, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Janevska: nuk mund të fajësohet vetëm inteligjenca artificiale
Duke folur për faktorët që mund të kenë ndikuar në rënien e rezultateve, Janevska tha se ekzistojnë vlerësime se teknologjia ka ndikim të konsiderueshëm në performancën e nxënësve, por, sipas saj, problemi nuk mund t’i atribuohet vetëm inteligjencës artificiale.
“Ekzistojnë edhe teza të tjera se e gjithë situata shoqërore në vende të caktuara, si dhe situata globale, kanë ndikim të konsiderueshëm. Ende nuk mund të themi se vetëm inteligjenca artificiale kontribuon seriozisht në këtë. Ndoshta ndikim më të madh kanë rrjetet sociale, përdorimi i pakontrolluar i telefonave dhe tabletëve”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se sistemi arsimor duhet të vazhdojë t’u kushtojë rëndësi shkrimit dhe leximit tradicional, zhvillimit të aftësive motorike dhe të menduarit të fëmijëve, ndërsa teknologjia duhet të përdoret si mjet për zhvillimin e mendimit kritik.
“Fëmijët duhet të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në mënyrë tradicionale, të zhvillojnë motorikën dhe mendjen e tyre, ndërsa mësuesit duhet t’i mësojnë se si ta përdorin teknologjinë në funksion të të menduarit kritik dhe analizës kritike. Prandaj thashë se nuk është vetëm një element që ndikon në rezultate”, tha Janevska.
Telefonat kufizohen në një numër të madh shkollash
Ministrja foli edhe për përdorimin e telefonave celularë gjatë procesit mësimor. Sipas saj, në një numër të madh shkollash nxënësit tashmë nuk lejohen t’i përdorin telefonat gjatë ditës së mësimit.
“Fëmijët i lënë telefonat në pajisje të posaçme për këtë qëllim – kuti apo forma të ndryshme prej pëlhure, ku i vendosin telefonat. Mësuesit ua kërkojnë shprehimisht këtë. Ata i përdorin vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm në ato shkolla ku ende nuk është siguruar teknologji informatike për të ndihmuar në këtë drejtim”, deklaroi Janevska.
PISA 2025 mat aftësinë e nxënësve 15-vjeçarë për t’i zbatuar njohuritë në situata reale dhe për të zgjidhur probleme, e jo vetëm riprodhimin e njohurive të marra gjatë procesit mësimor.
Rezultatet tregojnë se shumica e nxënësve në Maqedoninë e Veriut nuk e arrijnë nivelin bazë të kompetencës në matematikë, lexim dhe shkencë, ndërsa rezultatet e fundit e mbajnë sistemin arsimor të vendit dukshëm nën mesataren e OECD-së.






