Qindra familjeve në RMV u jepet afat i ri për blerjen e apartamenteve shtetërore

    Ndryshimet e propozuara në Ligjin e Strehimit, të cilat i janë dorëzuar Kuvendit dhe propozohet të miratohen me procedurë të shkurtuar, sjellin afate dhe zgjidhje të reja për rregullimin e statusit të strehimit të qindra familjeve që prej vitesh përdorin apartamente në pronësi shtetërore dhe ish-shoqërore, shkruan Faktor, përcjell Nistori.

    Teksti i ri ligjor parashikon që afati për paraqitjen e kërkesave për blerjen e apartamenteve, transferimin e së drejtës së përdorimit ose marrjen e tyre me qira të zgjatet deri më 31 dhjetor 2027.

    – Mbajtësi i së drejtës së përdorimit të apartamentit, i cili nuk ka paraqitur kërkesë për blerjen e apartamentit, përkatësisht kërkesë për transferimin e së drejtës së përdorimit të apartamentit pranë organit kompetent për kryerjen e punëve në fushën e banimit dhe veprimtarive komunale deri më 31 dhjetor 2024, është i detyruar që një kërkesë të tillë ta paraqesë deri më 31 dhjetor 2027 – thuhet në propozimligj.

    Kjo masë prek drejtpërdrejt qytetarët që prej vitesh apo dekadash jetojnë në banesa të ndara për arsye të ndryshme, si shpronësimi i pronës, prishja e objekteve të banimit ose për shkak se banesat e tyre të mëparshme kanë qenë të rrënuara apo të rrezikuara nga shembja. Shumë prej këtyre përdoruesve, ose anëtarët e familjeve të tyre që kanë vazhduar t’i përdorin apartamentet pas vdekjes së bartësve të së drejtës së përdorimit, për arsye të ndryshme nuk i kanë shfrytëzuar afatet e mëparshme ligjore, të cilat skaduan në fund të vitit 2024. Disa prej tyre më parë as nuk e kanë pasur mundësinë ligjore për të paraqitur kërkesa të tilla.

    Risia kryesore në rregullimin e këtij procesi është kategorizimi i përdoruesve të apartamenteve në bazë të gjendjes së tyre materiale, përkatësisht sipas të ardhurave të përgjithshme të familjes.

    Me ndryshimet e propozuara, qytetarët që përdorin këto apartamente do të ndahen në katër kategori: persona në rrezik social, persona me të ardhura të ulëta, persona me të ardhura mesatare dhe persona me të ardhura të larta. Kjo ndarje do të përcaktojë drejtpërdrejt mënyrën se si do ta zgjidhin statusin e tyre të strehimit.

    Qytetarët që bëjnë pjesë në kategorinë e personave në rrezik social do të kenë të drejtën e marrjes me qira të apartamentit në kushte të favorshme, ndërsa për tri kategoritë e tjera – personat me të ardhura të ulëta, mesatare dhe të larta – parashikohet mundësia e blerjes së drejtpërdrejtë të apartamentit.

    – Neni 5 i Propozimit parashikon që përdoruesit e apartamenteve në pronësi shoqërore nga kategoria e „personave në rrezik social“ ta ushtrojnë të drejtën e marrjes me qira të apartamentit. Neni 6 parashikon që përdoruesit e apartamenteve në pronësi shoqërore nga kategoritë e personave me të ardhura të ulëta, mesatare dhe të larta ta ushtrojnë të drejtën e blerjes së apartamentit. Neni 7 parashikon që personat që kanë lidhur kontrata për marrjen me qira të një apartamenti, në përputhje me nenin 5, paragrafi (9), të propozimligjit, me personin juridik kompetent, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për blerjen e apartamentit në përputhje me nenin 6 të këtij propozimi – thuhet në arsyetimin e propozimligjit.

    Për personat që fillimisht lidhin kontratë qiraje me personin juridik kompetent, parashikohet mundësia ligjore që më vonë të paraqesin kërkesë për blerjen e apartamentit, me çka do të përmbyllej përfundimisht procesi i privatizimit të këtij fondi banesor.

    Propozimligji përfshin edhe rastet specifike të qytetarëve që posedojnë akte ose kontrata për përdorim të përkohshëm, të lëshuara para 16 majit 1998, duke u mundësuar atyre qasje të barabartë në të drejtën e pronësisë ose të qirasë.

    Përveç mekanizmave ligjorë dhe socialë për zgjidhjen sistematike të statusit të strehimit, ndryshimet përfshijnë edhe korrigjime teknike në disa nene të ligjit ekzistues.

    Duke pasur parasysh se propozimligji nuk përmban ndryshime të gjera dhe komplekse, ndërsa qëllimi i tij është tejkalimi sa më i shpejtë i pengesave administrative me të cilat përballen qytetarët, propozuesi ka kërkuar që Kuvendi ta miratojë atë me procedurë të shkurtuar.

    Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, do të hapet një afat i ri për paraqitjen e kërkesave, i cili do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Riciklimi vetëm në letër: 99.8% e mbeturinave në RMV përfundojnë në deponi

    Lajmi i rradhës

    Arsenali propagandistik i BDI-së merr hov

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë