Arsenali propagandistik i BDI-së merr hov

    Fotografia: Prizma

    Përmes teksteve identike, të publikuara në mënyrë të sinkronizuar dhe të sponsorizuara në dy portale relativisht të panjohura – redakcija.mk dhe desk.mk – javën e kaluar u zhvillua një fushatë e zezë kundër kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Në hulumtimin e tij, BIRN nxori në pah lidhjet e këtyre faqeve me zyrtarin e BDI-së dhe drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili konsiderohet jashtëzakonisht i afërt me zëvendëskryeministrin e parë dhe nënkryetarin e BDI-së, Artan Grubi.

    Fushata mediatike kundër gjyqtares Ademi është pjesë e atmosferës së krijuar pas iniciativës drejtuar gjykatës më të lartë për ringjalljen e abolimeve të ish-presidentit Gjorge Ivanov, gjë që do ta lehtësonte ndjeshëm kthimin e Nikola Gruevskit.

    Portalet në mision

    “Si të bëhesh milioner nga pozita e kryetares së Gjykatës Supreme: Katica Janeva me divane të dhuruara, ndërsa Besa Ademi me apartamente dhe kompani.”

    “Besa Ademi poshtëroi Këshillin Gjyqësor dhe tregoi se besimi në gjyqësor mund të bjerë edhe më tej me gjyqtarë si ajo.”

    Këta janë dy nga disa titujt identikë që u shfaqën në redakcija.mk dhe desk.mk.

    Tekstet janë shkruar në maqedonisht. Ato kanë të gjitha tiparet e materialeve propagandistike: nuk janë të nënshkruara nga autorë, publikohen në faqe pa impresum dhe e sulmojnë gjyqtaren Ademi mbi baza të ndryshme. Herë pas here, ato madje marrin edhe tone kërcënuese:

    “Katica Janeva, për lakminë dhe korrupsionin e saj në aferën ‘Reket’, është dënuar me një dënim të gjatë me burg. Tani institucionet po lëvizin për të kontrolluar punën e Besa Ademit dhe origjinën e pasurisë së saj…”, përfundon një nga tekstet e publikuara në të dyja faqet.

    Pas portaleve redakcija.mk dhe desk.mk qëndron kompania “Infinite Solutions 2023”, një agjenci marketingu e themeluar në mars të këtij viti, siç sugjeron edhe emri i saj. Kompania nuk ka të punësuar.

    Themeluese dhe pronare është Iljiriana Bajrami nga Vaksinca e Kumanovës. Nuk ka të dhëna se ajo ka përvojë në fushën e medias apo gazetarisë, ose se më parë ka punuar apo ka drejtuar ndonjë media.

    BIRN kontaktoi pronaren e portaleve të reja në numrin e telefonit të vendit të saj të punës në Ministrinë e Financave. Pas bisedës fillestare, gjatë së cilës ajo kërkoi që ta kontaktonim më vonë, nuk ishte më e disponueshme për koment.

    Sipas BIRN-it, ajo është bashkëshortja e Kujtim Bajramit, shefit të kabinetit të drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.

    Sipas burimeve tona, Kujtimi dhe Përparimi janë kushërinj. Përveç Iljirianës, kërkuam edhe nga Kujtim dhe Përparim Bajrami që të komentonin lidhjen mes tyre dhe funksionimin e portaleve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje në pyetjet tona.

    Duke gjykuar nga postimet e Kujtimit në Facebook, mbështetja e tij për BDI-në dhe Artan Grubin zë një pjesë të madhe të aktivitetit të tij në këtë rrjet social. Pothuajse të gjitha postimet lidhen me fjalimet dhe paraqitjet publike të zëvendëskryeministrit.

    Krahu i Tetovës i makinerisë propagandistike

    BIRN ka shkruar më parë për grupin e portaleve të afërta me BDI-në dhe Artan Grubin, me seli në Tetovë. Raportuam se katër portale, të drejtuara nga Rami Mislimi – në atë kohë zyrtar në Komunën e Tetovës – gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 publikuan reklama vetëm për BDI-në dhe, për këtë shërbim, secili prej tyre mori nga partia shumën maksimale prej 15 mijë eurosh plus TVSh-në.

    Portalet kontroverse u lidhën me Grubin edhe javën e kaluar nga grupi i të larguarve nga BDI-ja, i udhëhequr nga Izet Mexhiti. Ata i akuzuan integristët se po orkestronin përmes portaleve propagandën kundër kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi, duke lënë të kuptohet se këto faqe e kanë qendrën në ministrinë e drejtuar nga Grubi. Ata përmendën portalin desk.mk, por edhe indeks.mk.

    Historia e faqes së indeks.mk në Facebook, megjithatë, tregon se ajo është krijuar në vitin 2010 dhe se më parë mbante emrin “Bashkimi Demokratik për Integrim”, e më pas “Shtabi Zgjedhor i BDI-së”.

    Uebfaqet redakcija.mk dhe desk.mk nuk kanë publikuar të dhëna kontakti dhe, pavarësisht se mbajnë emra që aludojnë në redaksi të mirëfillta gazetareske, nuk kanë bërë të ditur se kush punon në to dhe kush mban përgjegjësinë editoriale për përmbajtjen e publikuar.

    Postimet e mëparshme në këto dy faqe e ilustrojnë qartë afërsinë e tyre me BDI-në.

    Në faqen e redakcija.mk në Facebook, pothuajse çdo postim i dytë lidhet me aktivitetet e Artan Grubit dhe zyrtarëve të BDI-së. Aty gjenden edhe transmetime të drejtpërdrejta nga ceremonia e nisjes së projektit “Bechtel dhe Enka”, një urim i plotë i Ali Ahmetit me rastin e Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit, si dhe transmetimi i një tubimi të BDI-së në Çair.

    Hulumtimi i BIRN-it për kompaninë që qëndron pas dy portaleve na çoi në një apartament në Taftalixhe të Shkupit, i cili, megjithatë, është në pronësi të personave krejtësisht të tjerë. Në derën hyrëse të apartamentit nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se aty ndodhet një kompani mediatike.

    Koalicioni informal mediatik

    E pyetur për presionet që lidhen me ringjalljen e mundshme të abolimeve të Ivanovit, të cilat do ta lehtësonin kthimin e Gruevskit, gjyqtarja Besa Ademi, në një intervistë për SDK.MK, pranoi se ka përpjekje për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të politikës në gjyqësor për “realizimin e agjendave të caktuara”.

    “Nuk duhet të lejojmë që interesat politike të realizohen mbi kurrizin e gjyqësorit”, tha ajo.

    Nëse intervista lexohet me kujdes, Ademi, që para fillimit të valës së propagandës, paralajmëron se pret diçka të tillë.

    Katër ditë pas intervistës nisi një fushatë në portalet redakcija.mk, desk.mk dhe indeks.mk. I pari publikoi tri tekste brenda dy ditësh, ndërsa i dyti katër tekste në po aq ditë. Të gjitha kishin në fokus gjyqtaren Ademi dhe e paraqisnin atë në kontekst negativ.

    Sulmet, përveçse sugjerojnë se po përgatitet një “lak” politik për shkarkimin e saj, nxorën në pah edhe arsenalin e ripërtërirë propagandistik të BDI-së, pjesë e të cilit janë këto portale.

    Është domethënës fakti që kësaj ofensive online iu bashkua edhe portali Infomax, një media e pozicionuar hapur në mbështetje të Gruevskit. Konkretisht, Infomax ribotoi të plota, pa asnjë ndërhyrje, të paktën dy nga artikujt kundër gjyqtares Ademi, në të njëjtën ditë kur ato u publikuan në redakcija.mk dhe desk.mk.

    Kjo, nga ana tjetër, përvijoi një koalicion informal mediatik të përqendruar në kthimin e ish-kryeministrit, të përbërë nga njerëz të lidhur me udhëheqjen e BDI-së dhe nga blloku politik i së djathtës që i mbeti besnik Gruevskit pas “divorcit” të tij publik me VMRO-DPMNE-në.

    Lajmi Paraprak

    Qindra familjeve në RMV u jepet afat i ri për blerjen e apartamenteve shtetërore

    Lajmi i rradhës

    Rezultatet e PISA-s dhe arsimi përtej saj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë