Patentë-shoferë pa i plotësuar kushtet: skema që çoi 27 persona nën hetim në Shkup

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë ndaj gjithsej 27 personave, të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378 të Kodit Penal, në lidhje me keqpërdorimet gjatë lëshimit të patentë-shoferëve, njoftoi sot Prokuroria.

    Njëra nga të dyshuarat është punonjëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Departamentin për Çështje Administrative në Shkup. Ajo dyshohet se, në periudhën nga 3 shtatori 2020 deri më 24 gusht të këtij viti, duke përdorur kodin dhe autorizimet e saj zyrtare në sistemin elektronik, në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar kërkesa të krijuara më parë nga punonjës të tjerë për lëshimin e patentë-shoferëve.

    Në raste të caktuara, ajo dyshohet se ka refuzuar kërkesat e krijuara më parë dhe ka krijuar kërkesa të reja, në të cilat ka regjistruar kategori për të cilat aplikantët nuk i plotësonin kushtet ligjore. Pas këtyre ndryshimeve, kërkesat janë miratuar dhe janë lëshuar patentë-shoferë me të dhëna të rreme.

    Deri më tani, katër persona dyshohet se kanë vepruar si ndërmjetës, në marrëveshje dhe bashkëpunim me punonjësen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke ndërmjetësuar në lëshimin e paligjshëm të patentë-shoferëve.

    “Ata kanë gjetur persona të interesuar dhe i kanë lidhur me zyrtaren, si dhe kanë koordinuar procedurën deri në regjistrimin dhe miratimin e paligjshëm të kategorive në sistemin elektronik dhe lëshimin e patentë-shoferëve. Personat të cilëve u janë lëshuar patentë-shoferët, ndonëse nuk i plotësonin kushtet ligjore për kategoritë përkatëse, kanë nisur procedurat duke paraqitur kërkesa. Më pas, kategoritë janë regjistruar dhe miratuar në mënyrë të paligjshme në sistemin elektronik, ndërsa dokumentet e falsifikuara janë përdorur si të vërteta. Për këtë arsye ekzistojnë baza dyshimi për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale ‘Falsifikim i dokumentit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Për punonjësen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për dy persona të cilët në mënyrë të përsëritur kanë përdorur patentë-shoferë të falsifikuar për drejtimin e automjeteve në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit.

    Për gjithsej 17 persona janë propozuar masa të tjera për sigurimin e pranisë, ndërsa shtatë persona deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.

    Prokuroria Themelore Publike në Shkup njoftoi se vazhdon hetimin e rastit dhe po shqyrton përfshirjen e mundshme të personave të tjerë, përfshirë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërmjetës dhe përdorues të mundshëm të dokumenteve të falsifikuara.

    Gjithashtu, po hetohet nëse ka pasur keqpërdorime të tjera gjatë lëshimit dhe përdorimit të patentë-shoferëve.

    Lajmi Paraprak

    Holanda kërkon të vendoset një kufi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale

    Lajmi i rradhës

    Prindërit e 63 viktimave të Koçanit: nëse nuk keni asgjë për të fshehur, formoni Komisionin hetimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë