Sistemi i pagave në sektorin publik karakterizohet ende nga rregulla, procedura dhe praktika të ndryshme midis institucioneve. Kjo krijon pabarazi dhe e bën të vështirë zbatimin e standardeve të qarta dhe uniforme për vlerësimin e punës. Prandaj, krijimi i një sistemi pagash më të harmonizuar, transparent dhe të drejtë është një nga reformat e rëndësishme në të cilat Ministria e Administratës Publike është e përkushtuar të punojë. Me fjalë tjera, Maqedonia përballet me një sistem të fragmentuar ku pagat në sektorin publik llogariten sipas dhjetëra sistemeve dhe marrëveshjeve kolektive të ndryshme. Ministria e Administratës Publike (me mbështetjen e mjeteve të BE-së, siç janë misionet e ekspertëve TAIEX) po bën përpjekje për të krijuar një sistem të vetëm, më të harmonizuar dhe më të drejtë pagash në të gjitha organet shtetërore
Aktualisht nuk ka një sistem pagash në sektorin publik, por dhjetëra të tilla. Institucione të ndryshme llogarisin pikët dhe shtesat sipas rregullave të tyre. Kjo do të thotë që dy vende pune të krahasueshme në dy institucione të ndryshme mund të sjellin paga krejtësisht të ndryshme dhe askush nuk ka një pamje të plotë se sa paguan shteti në total dhe mbi çfarë baze.
Në përgatitjen e zgjidhjes së re ligjore do të përdoren edhe përvojat e fqinjëve. Disa nga ekspertët më të mirë nga Ministria Greke e Ekonomisë Kombëtare do të ndajnë njohuritë praktike mbi funksionimin e Autoritetit të Vetëm të Pagesave të Greqisë, duke ofruar njohuri se si ky model mund të kontribuojë në modernizimin e sistemit të pagave të sektorit publik të Maqedonisë së Veriut. Autoriteti i Vetëm Grek i Pagesave funksionon si një mekanizëm qendror përmes të çilit përpunohen pagesat për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Sistemi lejon krahasimin e të dhënave nga regjistrat e punonjësve me bazat e të dhënave tatimore, dhe këto të dhëna përdoren për të udhëhequr politikën fiskale.
Qëllimi ynë është i qartë, të krijojmë një sistem në të çilin rregullat do të jenë të qarta dhe të barabarta për të gjithë, dhe parimi i “pagës së barabartë për punë të barabartë” do të jetë realisht i zbatueshëm në të gjithë sektorin publik”, thekson Ministri i këtij dikasteri Goran Minçev. Ministria po punon në kornizën e re ligjore për sistemin e pagave, me një plan për të përfunduar zgjidhjen ligjore deri në fund të vitit 2026, dhe zbatimi i saj gradual dhe sistematik të fillojë në vitin 2027. “Nuk duam ta kopjojmë modelin e dikujt tjetër. Duam ta kuptojmë, ta analizojmë dhe, bazuar në kushtet tona institucionale, ligjore dhe financiare, të ndërtojmë një zgjidhje që do të jetë funksionale dhe e zbatueshme për Maqedoninë e Veriut”, theksoi Minçev. Sipas tij, qëllimi është të krijohet një sistem që jo vetëm do të thjeshtojë proceset, por do të sjellë edhe transparencë më të madhe, kontroll më të mirë të fondeve publike dhe të dhëna me cilësi më të mirë për hartimin e politikave publike.
Qeveria filloi të përgatisë modelin për një sistem të tillë me ndihmën e ekspertëve nga Greqia përmes programit evropian TAIEX. Qëllimi është që modeli grek të shërbejë si shembull për krijimin e një kuadri të centralizuar, të harmonizuar dhe të digjitalizuar për pagat në sektorin publik e Maqedonisë.
Tani Sektori publik në Maqedoni nuk funksionon sipas një grupi të vetëm rregullash për të gjithë punonjësit. Kategori të ndryshme punonjësish dhe institucionesh mbulohen nga ligje, marrëveshje kolektive, koeficientë dhe metoda llogaritjeje të ndryshme. Prandaj, krahasimi i vendeve të punës dhe pagave nuk është gjithmonë i thjeshtë. Ideja e reformës është të krijojë një kuadër të përbashkët për klasifikimin e vendeve të punës dhe përcaktimin e pagave. Kjo nuk do të thotë që të gjithë punonjësit e sektorit publik do të kenë të njëjtën pagë. Përkundrazi, paga duhet të vazhdojë të varet nga faktorë të tillë si kompleksiteti i punës, niveli i përgjegjësisë, ekspertiza e kërkuar, përvoja dhe kritere të tjera të paracaktuara.
Dallimi do të ishte se këto kritere duhet të jenë më të qarta dhe më të krahasueshme midis institucioneve të ndryshme. /Koha/




