Ukraina sulmon rajonin e Moskës me dronë

    Nga sulmet e qindra dronëve nga Ukraina në Rusi kanë humbur jetën të paktën dy vetë. Në rajonin përreth Moskës është goditur një rafineri nafte.

    Në një nga sulmet deri tani më të rënda me dronë të Ukrainës ndaj rajonit të Moskës kanë humbur jetën dy vetë. Sipas autoriteteve ruse në kryeqytetin rus është goditur gjithashtu një rafineri nafte.

    Sipas kryetarit të bashkisë së Moskës, Sergej Sobjanin, që nga e shtuna mbrojtja ajrore ka rrëzuar më shumë se 1.600 dronë, prej të cilëve rreth 450 ishin drejtuar drejt Moskës.

    Në Moskë nuk ka pasur viktima, por në zonat përreth Moskës janë raportuar dëme në ndërtesa banimi. Sipas guvernatorit Andrej Vorobjov në distriktin Ramenskoje u evakuuan nga një pallat 21-katësh rreth 400 vetë, mes tyre 70 fëmijë.

    Dëshmitarë okularë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se kishin parë shpërthime dhe re tymi mbi rafinerinë e naftës në Moskë. Përmasat e dëmeve në objekt nuk janë ende të qarta.

    Sulme të tjera ndaj infrastrukturës energjetike

    Ukraina po vazhdon kështu sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të kundërshtarit. Sulmet e përsëritura ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë shkaktuar tashmë mungesa produktesh të naftës dhe rritje të çmimeve të karburanteve në Rusi.

    Rafineria e Moskës, e cila u godit këtë herë, përpunoi gjatë vitit 2024 rreth 11,6 milionë tonë naftë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, e konfirmoi sulmin në rrjetin social X. Sipas tij, sulmet me rreze të gjatë të kryera gjatë natës patën “pasoja shumë të rëndësishme” në rajonin e Moskës. Ai tha se ishte goditur një nga objektet më të rëndësishme të industrisë ruse të naftës, si dhe objekte logjistike. Sipas Zelenskit bëhet fjalë për miliarda që përdoren për financimin e makinerisë ruse të luftës.

    Sulme të reja ndaj rajonit të Kievit

    Ndërkohë edhe Rusia ka vazhduar sulmete saj në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase në sulmet ndaj rajonit të Kievit janë vrarë katër vetë, mes tyre tre fëmijë.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë një nga objektivat e sulmeve ishte një depo e prodhuesit ukrainas të dronëve dhe raketave Fire Point, në rajonin e Kievit.

    Gjithashtu u sulmuan një anije transporti në portin e Odesës dhe një qendër logjistike e postës në rajonin e Odesës. Sipas ministrisë ruse këto objekte përdoreshin për transportin e pajisjeve ushtarake. DW

    Lajmi Paraprak

    Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

    Lajmi i rradhës

    Si i largoi ky baba 3 fëmijët nga tabletat?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë