Shumica parlamentare ka numrat për të qeverisur, por jo domosdoshmërisht edhe votat për çdo ligj. Dallimi mes dy shumicave po bëhet i dukshëm në Parlament, ku një sërë propozim-ligjesh janë përballur me vështirësi për sigurimin e shumicës së Badenterit. Përtej procedurës parlamentare, situata po rikthen në skenë një pyetje të vjetër: sa peshë politike kanë sot votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë dhe deri ku mund të funksionojë shumica pa to, shkruan Koha.
Më 29 shtator është caktuar seanca e 123-të plenare, në të cilën janë përfshirë dhjetë propozim-ligje të dorëzuara së fundmi me procedurë të shkurtuar, mes tyre edhe ligje që lidhen me administratën publike dhe shërbimin e lartë drejtues. Për ligjet për të cilat kërkohet shumica e dyfishtë, megjithatë, rezultati i votimit nuk është i sigurt. Vetë kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, ka pranuar se ekziston problem me sigurimin e Badenterit dhe se ende po kërkohet një zgjidhje përmes dialogut me grupet parlamentare.
“Është e qartë se kemi problem me shumicën e Badenterit, por për gjithçka duhet të kërkohet zgjidhje. Unë bisedoj me të gjitha partitë dhe shpresoj që së shpejti të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Gashi. Kryeparlamentari nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjidhja të kërkohet ligj pas ligji, në vend të një marrëveshjeje të përgjithshme politike. “Nëse duhet ligj për ligj ose në mënyrë konceptuale, me rëndësi është që Parlamenti të funksionojë në këtë pjesë”, tha ai. Sipas tij, nëse një propozim nuk e merr shumicën e nevojshme të Badenterit, procedura për të përfundon dhe i njëjti propozim nuk mund të dorëzohet sërish për tre muaj.
Kështu, seanca e 29 shtatorit pritet të tregojë nëse shumica qeveritare mund të sigurojë edhe votat që kërkohen për këtë kategori ligjesh. Në një Parlament ku votat e komuniteteve joshumicë nuk janë automatikisht pjesë e shumicës qeveritare, çdo votim i tillë merr edhe peshë politike. VLEN është pjesë e shumicës qeveritare, ndërsa BDI dhe Fronti Evropian janë në opozitë. Kjo e vendos votën shqiptare në një pozitë të veçantë: shumica qeveritare ka nevojë për votat që kërkon Badenteri, ndërsa opozita shqiptare mund të ndikojë drejtpërdrejt në miratimin e ligjeve. Pikërisht këtu BDI-ja e ka zhvendosur debatin nga procedura parlamentare te legjitimiteti politik. Opozita shqiptare e ka lidhur Badenterin me peshën që duhet të ketë përfaqësimi shqiptar në vendimmarrje. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka propozuar që edhe zgjedhja e Qeverisë të bëhet me shumicë të dyfishtë. Sipas tij, një mekanizëm i tillë do t’i jepte ekzekutivit “legjitimitet të dyfishtë” dhe do ta forconte karakterin multietnik të vendimmarrjes.
BDI-ja e ka ngritur këtë çështje edhe në një kuadër më të gjerë, duke kërkuar forcimin e mekanizmave të vendimmarrjes ndëretnike. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti, më herët kishte kërkuar që Badenteri të ketë rol edhe në zgjedhjen e Qeverisë dhe në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Debati për mënyrën e zbatimit të Badenterit është shfaqur edhe gjatë procedurës për Ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Opozita shqiptare kërkoi që ai të miratohej me atë që e cilësoi “Badenter të madh”, ndërsa në proces u përdor edhe interpretimi i “Badenterit të vogël”, ku llogaritet shumica e deputetëve joshumicë të pranishëm. Nga ana tjetër, kampi qeveritar ka insistuar se mekanizmat proceduralë nuk duhet të pengojnë funksionimin e institucioneve. Kryeministri Hristijan Mickoski, në fillim të shtatorit, deklaroi se nuk sheh krizë politike.
“Nuk shoh krizë. Ne kemi shumicë stabile”, tha Mickoski. Megjithatë, debati për Badenterin tregon dallimin mes shumicës së zakonshme dhe asaj të dyfishtë. Qeveria mund të ketë numrat për të qeverisur, por për disa ligje i duhen edhe votat e komuniteteve joshumicë. Për VLEN-in, sfida është sigurimi i këtyre votave për ligjet që janë në rend dite. Për BDI-në dhe Frontin Evropian, votimi i tyre është një nga hapësirat kryesore ku opozita shqiptare mund të ushtrojë ndikim në procesin ligjvënës.
Në këtë kuadër, edhe deklaratat e fundit nga kampi shqiptar e lidhin debatin për Badenterin me raportin më të gjerë politik mes shumicës dhe opozitës. Ish-kreu i ASH-së, Arben Taravari, ka kritikuar qeverinë dhe VLEN-in për atë që ai e ka përshkruar si relativizim të mekanizmave të Badenterit dhe të përfaqësimit të drejtë. Seanca e 29 shtatorit, për këtë arsye, nuk duhet parë si një votim me rezultat të paracaktuar, por si momenti kur do të shihet nëse dialogu politik i këtyre ditëve ka prodhuar një marrëveshje për votat e nevojshme. Dhjetë propozim-ligjet janë në rend dite, ndërsa sigurimi i shumicës së dyfishtë mbetet ende çështje e hapur. Pikërisht votat, e jo vetëm numrat e shumicës parlamentare, do të tregojnë nëse Kuvendi mund ta kalojë këtë pengesë.





