EShR ngre alarmin për Inspektoratin e Tregut, mungojnë inspektorët, digjitalizimi çalon

    Fotografia: AIM

    Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka dhënë opinion të pafavorshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IST) për vitin 2024, si dhe opinion me rezervë për përputhshmërinë e funksionimit të tij me rregullativën ligjore. Problemet kryesore lidhen me mungesën e stafit, ngecjen e dixhitalizimit, parregullsitë financiare dhe pasigurinë për vazhdimin e kontrolleve të produkteve të pasigurta, përcjell Nistori.

    Sipas raportit të EShR-së, gjatë vitit 2024 janë kryer 28.263 inspektime, prej të cilave 21.108 të rregullta, 5.106 të jashtëzakonshme dhe 2.049 kontrolle. Këto inspektime dhe kontrolle janë kryer nga vetëm 148 inspektorë, që përbëjnë 47 për qind të gjithsej 313 vendeve të sistematizuara për inspektorë.

    “Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve dhe tendenca e uljes së numrit të tyre ndikojnë në mundësinë e realizimit të aktiviteteve të planifikuara të kontrollit dhe të kompetencave ligjore”, thuhet në raportin e EShR-së.

    Problem shtesë paraqet fakti se pesë departamente nuk kanë drejtues. Në Departamentin e Sigurisë së Produkteve, nga 14 vende të planifikuara, janë plotësuar vetëm pesë.

    Auditorët kanë konstatuar parregullsi edhe në sistemimin e personelit. Në periudhën janar–tetor 2024 janë marrë 19 vendime për caktimin e nëpunësve administrativë në pozita inspektimi, pa buxhet të siguruar dhe pa planifikim paraprak, ndërsa 17 prej këtyre vendimeve janë anuluar në dhjetor të po atij viti.

    “E-inspektor” nuk është plotësisht funksional, mungon baza për vlerësimin e rrezikut

    Aplikacioni “E-inspektor” ende nuk është vënë plotësisht në funksion dhe nuk janë krijuar as regjistrat e nevojshëm elektronikë. Inspektorati nuk disponon një bazë të unifikuar të të dhënave me metodologji për vlerësimin e rrezikut, gjë që e vështirëson drejtpërdrejt planifikimin dhe monitorimin e inspektimeve.

    Gjithashtu, të dhënat në dokumentacionin e kontrolleve janë të paplota, ndërsa listat e kontrollit nuk përditësohen rregullisht.

    Në pikëpyetje vazhdimi i kontrolleve të produkteve të pasigurta

    Në periudhën 2022–2025 janë tërhequr nga tregu 40 produkte të pasigurta në bazë të analizave laboratorike. Këto analiza janë kryer në laboratorë të akredituar jashtë vendit, ndërsa mjetet janë siguruar përmes donacioneve dhe projekteve të huaja, përfshirë GIZ, EU4Business dhe Regio Trade, me mbështetje teknike nga CEFTA.

    EShA paralajmëron se është e pasigurt nëse këto kontrolle do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të projekteve, për shkak të mjeteve të kufizuara buxhetore për testimin e vazhdueshëm të produkteve të pasigurta në laboratorë jashtë vendit.

    Rrezik në ruajtjen e mallrave të konfiskuara

    Auditimi ka konstatuar gjithashtu një sërë parregullsish financiare dhe materiale.

    Gjatë inventarizimit nuk janë përfshirë objektet ndërtimore dhe asetet jomateriale, ndërsa nuk janë dhënë as propozime për mënyrën e veprimit lidhur me mungesat dhe tepricat e konstatuara.

    “Për pajisjet e vjedhura gjatë vitit 2025 nuk është bashkëngjitur asnjë dokumentacion nga organi kompetent për vërtetimin e ngjarjes”, thuhet në raportin e auditorëve.

    Në shkurt të vitit 2025 ishte planifikuar një inventarizim i jashtëzakonshëm i pasurisë, i cili nuk ishte kryer deri në ditën e përfundimit të auditimit.

    Materialet e zyrës në vlerë prej 1,1 milion denarësh, formularët e kontrollit në vlerë prej 791 mijë denarësh dhe gomat e automjeteve në vlerë prej 249 mijë denarësh nuk janë regjistruar fare në evidencën materiale.

    Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se Inspektorati nuk disponon objekte të përshtatshme për ruajtjen e mallrave të konfiskuara deri në dorëzimin e tyre në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, gjë që krijon rrezik për dëmtimin, humbjen apo trajtimin subjektiv të tyre.

    Me ndryshimet e fundit ligjore, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka humbur statusin e personit juridik dhe llogarinë e vet buxhetore, duke kaluar si organ në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.

    EShR rikujton se kjo është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian të vitit 2025, të cilat kërkojnë pavarësi operacionale të Inspektoratit, forcimin e kapaciteteve të tij me staf dhe dixhitalizimin e plotë.

    Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për plotësimin e vendeve të inspektorëve, vënien e detyrueshme në funksion të sistemit informativ, sigurimin e mjeteve buxhetore për analizat laboratorike, si dhe rregullimin e menjëhershëm të kontabilitetit dhe evidencës materiale. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Patriotizmi i Mark Twainit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë