Shteti ka rënë

    LEONARD DEMI

    MOSQEVERISJA

    Mosqeverisja sulmon kapacitetin dhe legjitimitetin e qeverisë, e zëvendëson atë me vullnetin vetiak të një individi: bindje të pakushtëzuar dhe nënshtrim, duke delegjitimuar dijen. Qëllimi është i qartë: shmangia e kufizimeve, që administrata vendos mbi ushtrimin e pushtetit vetiak për t’i imponuar vullnetin e vet një bashkësie politike. Kryeministri ynë e sheh qeverisjen thjesht si rregull vetiak dhe nuk pranon kufizime për autoritetin e vet. Rregullat humbasin karakterin e tyre të përgjithshëm dhe të drejtat shndërrohen në favore të përkohshme. Aty ku dominon institucioni, krijohet rend; aty ku dominon vullneti, lind varësia dhe pasiguria.

    QARKULLIMI SI MEKANIZËM VARËSIE

    Kryeministri Rama ka ndërruar 77 individë në poste ministrore. Qarkullimi i shpeshtë i emrave, pa ndryshuar metodën e qeverisjes, tregon se ministrat shërbejnë më shumë si elemente të fasadës sesa si qendra ekspertize, përgjegjësie dhe vendimmarrje. Ky sistem nuk kërkon ministra të fortë, por ekzekutues të zëvendësueshëm dhe të këmbyeshëm. Rama nuk ka nevojë që ministrat të zotërojnë institucionet; i mjafton që institucionet, përmes tyre, të mbeten nën zotërimin e tij. Këtu shfaqet zhvlerësimi i ekspertizës, autoritetit profesional dhe i administratës së pavarur; zëvendësimi i përgjegjësisë institucionale me besnikërinë personale; qeverisja përmes njoftimeve, spektaklit dhe krizave të vazhdueshme; si edhe mjegullimi i përgjegjësisë: ministri ndryshohet, por sistemi nuk jep llogari. Çdo reformë paraqitet si fillim i ri, edhe pse struktura e pushtetit mbetet e pandryshuar. Pra, kemi personalizim të pushtetit dhe instrumentalizim të shtetit.

    Shembull domethënës është ai një ministri, që hyri në qeveri me formim dhe përvojë të dallueshme në çështjet europiane. Gjatë drejtimit të diplomacisë krijoi profil të vetin politik dhe ndërkombëtar. Mënyra se si u la jashtë qeverisë, strukturave drejtuese të partisë dhe listës parlamentare përforcon idenë se sistemi nuk e toleron autonominë brenda shumicës. Kështu, rotacioni nuk synon përmirësimin e qeverisjes, por pengimin e krijimit të figurave autonome. I emëruari pa peshë politike apo autoritet profesional ia detyron gjithçka kryeministrit. Kështu, Rama zhvlerëson kompetencën, zhvesh institucionet nga autonomia dhe përqendron vendimmarrjen reale në duart e veta: pra, qeveris përmes varësisë së qëllimshme institucionale. Kjo logjikë ilustrohet qartë nga lëvizjet e ministrave ndërmjet fushave që kërkojnë formim dhe përvojë krejt të ndryshme. Kalimi nga politikat sociale te siguria kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare paraqitet sikur këto fusha të kërkonin të njëjtën kompetencë të përgjithshme politike. E njëjta mendësi shfaqet në kalimin nga administrimi vendor te bujqësia dhe, më pas, te siguria publike dhe rendi; nga arsimi te rendi publik, pa ndonjë përvojë të njohur në polici, siguri kombëtare apo luftën kundër krimit të organizuar; nga auditimi dhe sektori privat te drejtimi i politikave për rininë dhe fëmijët, pa një karrierë të dallueshme në politikat rinore, mbrojtjen e fëmijëve ose shërbimet për të miturit; si edhe nga kultura te turizmi, mjedisi dhe arsimi, etj. Për të anashkaluar kriteret kushtetuese e profesionale manovron: Rama vetemërohet ministër ndërsa drejtimin faktik ia delegon një vartësi. Rasti më domethënës është kalimi nga nëpunës kabineti ministror te drejtimi i politikave të mbrojtjes, pa përvojë në sigurinë kombëtare, NATO, planifikimin e mbrojtjes, diplomaci, industrinë ushtarake apo prokurimet e mbrojtjes.

    Këto raste, të marra së bashku, zbulojnë një model: degradimin e kapaciteteve shtetërore dhe zëvendësimin e procesit të vështirë e të domosdoshëm të hartimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave kombëtare me vullnetin vetiak të pakontrolluar. Rama nuk e shfuqizon formalisht ndarjen e pushteteve; ai e zbraz atë nga përmbajtja. Institucionet vazhdojnë të ekzistojnë formalisht, por funksionojnë gjithnjë e më shumë si zgjatime të vullnetit të një individi. Kjo nuk është thjesht qeverisje e centralizuar; është personalizimi i shtetit, madje edhe kur ndonjë i emëruar bën përjashtim.

    Kjo qeverisje arbitrare, që mënjanon ekspertizat dhe procedurat, normalizon korrupsionin. Dobësimi i kontrollit e kthen pushtetin publik në mjet përfitimi privat dhe korrupsioni kalon nga forma të zakonshme në një dukuri të gjerë e sistemike, duke iu afruar kleptokracisë.

    SKENOGRAFI

    Me këtë mënyrë qeverisjeje kryeministri ose rrethi i vet politik përcakton rezultatin; ministritë mobilizohen për ta realizuar; ekspertiza që kundërshton mëmjanohet; procedurat kthehen në skenografi juridike, që ngrihet pasi vendimi është marrë. Eksperti nuk thirret për të përcaktuar çfarë duhet bërë, por për të gjetur se si të realizohet ajo që është vendosur politikisht. Pra, administrata nuk shërben për të përgatitur vendimin, por për t’i dhënë atij pamjen e ligjshmërisë. Këtu po rendis disa shembuj:

    Inceneratori i Elbasanit: Më 16 dhjetor 2014 u paraqit oferta e vetme e “Albtek Energy.” Po atë ditë u kryen 17 veprime procedurale, përfshirë mbledhjen e komisionit, përgatitjen e projektkontratës, edhe konstatimin se nuk kishte ankesa, ndonëse afati ligjor për ankim ishte shtatë ditë. Më 17 dhjetor qeveria miratoi financimin. Më 18 dhjetor, Ministria e Mjedisit kërkoi fillimin e menjëhershëm të procedurave për lejet. Kësisoj, procedura humbi funksionin e saj kontrollues dhe u shndërrua në noterizim të një vendimi të marrë më parë. Propozimet e pakërkuara: Një pjesë e madhe e koncesioneve të qeverisë Rama kanë nisur si propozime kompanish. Pra, kompania nuk konkurron për të zbatuar një projekt shtetëror, por ofron projektin, koston dhe shpesh edhe zgjidhjen teknike (FMN). Kjo praktikë dobëson konkurrencën dhe ekspertiza publike zëvendësohet nga ekspertiza e palës së interesuar, ndërsa shteti miraton dhe paguan.

    Koncesionet e shëndetësisë: Vendimmarrja u zhvendos nga spitalet dhe strukturat profesionale drejt nivelit politik; nga planifikimi buxhetor te kontrata shumëvjeçare; nga përgjegjësia administrative te marrëdhënia koncesionare. Në vend që ekspertët të përcaktonin politikën dhe privati ta zbatonte, modeli ekonomik i kontratës përcakton vetë politikën shëndetësore.

    Porti i Durrësit, marrëveshje politike përpara konkurrimit: Projekti Durrës Yachts & Marina u përpunua përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë dhe një ligji të posaçëm, jo përmes një procedure të zakonshme ndërkombëtare për një pasuri strategjike publike. Kështu u mënjanua pyetja themelore: cili është përdorimi më i mirë ekonomik, urbanistik dhe strategjik i portit kryesor të vendit? Ekspertiza portuale, financiare dhe urbanistike u vendos në funksion të zbatimit të marrëveshjes së zgjedhur politikisht.

    Ligjet e posaçme dhe statusi investitor strategjik për projekte konkrete krijojnë administrim me dy shpejtësi: procedura e zakonshme për qytetarin dhe biznesin e zakonshëm; procedurë të përshpejtuar dhe të personalizuar për subjektin e zgjedhur nga ekzekutivi. Kur ligji i përshtatet projektit, në vend që projekti t’i nënshtrohet ligjit, ekspertiza dhe administrata humbasin autonominë.

    AKSHI është ndoshta rasti më domethënës për të kuptuar paradoksin e qeverisjes së Edi Ramës. Ky institucion, që duhej të simbolizonte transparencën, automatizimin dhe çlirimin nga korrupsioni, përfundoi nën hetim për administrimin e tenderave teknologjikë. Këtu shfaqet kufiri i teknologjisë: një procedurë nuk bëhet e paanshme vetëm sepse është elektronike, kur njerëzit kontrollojnë kriteret, specifikimet, algoritmet, të dhënat dhe operatorët e lejuar. Kryeministri shfaqet si autori i çdo risie; kur ajo dështon, përgjegjësia shpërndahet. Krimi nuk qëndron jashtë shtetit për ta korruptuar; ai depërton brenda procedurës shtetërore dhe vepron përmes saj.

    TEATRALITETI

    Sundimi vetjak është i pandashëm nga teatraliteti. Edhe politika demokratike mbështetet në simbole dhe performancë publike, por sundimi vetjak ka nevojë të vazhdueshme për akte simbolike e skenografi politike, përmes të cilave riprodhohet si burim i vetëm autoriteti.

    Dorëzimi i banesave të rindërtuara u organizua si takim emocional i kryeministrit me familjen përfituese: Rama dorëzonte çelësin dhe merrte falënderimin. Rindërtimi ishte detyrë e shtetit dhe financohej nga buxheti, donatorët dhe taksapaguesit; megjithatë, e drejta sociale shndërrohej në dhuratë personale dhe përfituesi në figurant të spektaklit.

    Shqipëria 1 dhe Shqipëria 2, satelitët si simbol madhështie: emërtimi, shpallja solemne dhe efekti i befasimit e vendosën lajmin në kufirin ndërmjet teknologjisë dhe shfaqjes politike.

    “Diella” është shembulli më emblematik i qeverisjes si teatër: korrupsioni në prokurimet publike, shndërrohet në spektakël teknologjik. Në vend të rregullave të kontrollueshme, institucioneve të pavarura dhe përgjegjësisë njerëzore, publikut i ofrohet një personazh virtual. Reforma nuk provohet me rezultate, por luhet në skenë; transparenca nuk ndërtohet, por personifikohet. Diella nuk është qeverisje nga inteligjenca artificiale; por përdorimi i saj si skenografi e pushtetit personal. Ajo krijon pamjen e një institucioni të ri, ndërsa vendimmarrja dhe përgjegjësia mbeten te kryeministri dhe kontrolluesit e sistemit. Në optikën e mosqeverisjes, ky është një rast tipik: institucioni zëvendësohet nga simboli, procedura nga performanca dhe përgjegjësia nga personazhi.

    Prezantimet tredimensionale dhe Shqipëria që vjen: Aeroporte, porte turistike, kulla, rrugë, stadiume dhe transformime urbane paraqiten përmes videove kompjuterike, maketeve dhe pamjeve spektakolare. Kryeministri shfaqet jo thjesht si drejtues i qeverisë, por si arkitekt, urbanist dhe autor estetik i së ardhmes. Mirëpo, midis imazhit 3D dhe realitetit mungojnë shpesh studimi i fizibilitetit; financimi i plotë; konkurrimi; afatet, kostot përfundimtare dhe vlerësimi i interesit publik. Edi Rama nuk mjaftohet ta ushtrojë pushtetin; ai e vë atë vazhdimisht në skenë. Institucionet shërbejnë si dekor, ministrat si role dytësore dhe qytetarët si publik, ndërsa kryeministri mbetet njëherësh autori, regjisori dhe protagonisti i shfaqjes.

    Podcasti personal ‘Flasim’ ndërthur disa funksione: tribunë ku Rama përcakton temat, të ftuarit, dhe përfundimet; kanal paralel për shpalljen dhe justifikimin e vendimeve; mjet vetëpromovimi, ku arritjet shtetërore paraqiten si rezultat i vizionit të tij; mekanizëm për anashkalimin e gazetarisë kritike, pa pyetje të paparashikuara, kundërshtim dhe ballafaqimi me fakte të pakëndshme; skenë e përzgjedhur, ku të ftuarit dhe historitë pozitive krijojnë një Shqipëri që ecën sipas rrëfimit të kryeministrit. Është konferencë shtypi pa gazetarë, ku pushteti i bën vetes pyetjet që dëshiron dhe i jep publikut përgjigjet e parapërgatitura.

    Agjencia për Media dhe Informim institucionalizon atë që podcasti ‘Flasim’ bën në planin personal. Podcasti ndërton figurën dhe rrëfimin e Edi Ramës; Agjencia e shtrin dhe e standardizon këtë rrëfim në gjithë administratën shtetërore.

    MIA është krijuar për të garantuar transparencën e veprimtarisë qeveritare. Por arkitektura e saj ngre një problem themelor: është person juridik publik në varësi të kryeministrit; financohet nga buxheti i shtetit dhe drejtori i saj emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri. Ajo përzgjedh dhe shpërndan informacionin qeveritar nën autoritetin e kryeministrit, pra, përhap rrëfimin e tij për shtetin. Nëse ‘Flasim’ është studioja personale e propagandës, MIA është infrastruktura shtetërore e saj.

    TRIPTIKU RAMA

    Protesta katër muajore e udhëhequr nga të rinjtë kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe shpreh pakënaqësinë e thellë ndaj largimit masiv të brezit të ri, korrupsionit të gjithëpërhapur, blerjes së votës dhe cënimit të vazhdueshëm të shtetit të së drejtës. Kryeministri ka pranuar se protesta përmban një mesazh politik për qeverinë dhe se pakënaqësia qytetare është reale. Nën trysninë e saj dhe në përputhje me prirjen për masa simbolike, që krijojnë përshtypjen e ndryshimit të menjëhershëm nga lart, Rama shpalli reformimin e marrëdhënieve të shumicës qeverisëse dhe shtetit me qytetarin: BESA (rikthimi i besimit), Prania Besnike (dëgjimi i qytetarëve) dhe Pasqyra Albania (kontrolli digjital i veprimtarisë shtetërore).

    Dëgjesa për reformën territoriale në Berat e vuri triptikun Rama përballë provës së parë publike: qytetarëve iu ndërpre fjala, një përfaqësuese u nxor nga salla dhe pjesëmarrësit e tjerë u larguan në shenjë proteste. Mbledhja përmbysi logjikën e konsultimit: në vend që pushteti të dëgjonte qytetarët, qytetarët duhej të dëgjonin pushtetin. Fasada u ça. BESA doli një premtim pa detyrim, Prania Besnike një prani pa dëgjim dhe Pasqyra Albania një pasqyrë që shfaq vetëm imazhin e dëshiruar nga pushteti. Dëbimi i qytetarëve që kërkuan të bënin pyetje tregoi se këto nisma nuk synojnë dialogun, por administrimin skenik të tij.

    Në thelb, Rama nuk ndryshon mënyrën e qeverisjes, por ligjërimin me të cilin ajo i paraqitet publikut. Episodi me përfaqësuesit e Poliçanit tregon se reforma është një fasadë e re mbi të njëjtën kulturë vertikale dhe autoritare të pushtetit. Qytetari pranohet në sallë si publik, jo si bashkëbisedues; pyetja lejohet vetëm kur nuk cënon skenarin. Kështu, pjesëmarrja qytetare shndërrohet në skenografi dhe konsultimi në propagandë.

    EPILOG

    Sulmi i qëllimshëm ndaj aftësisë dhe legjitimitetin të qeverisë, duke e zëvendësuar me vullnetin vetiak të një individi, krijon një shtet të paaftë për t’iu përgjigjur nevojave publike dhe një rrezik të thellë për sigurinë kombëtare, kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit. Rivendosja e legjitimitetit demokratik është domosdoshmëri. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Me çfarë idesh Europa synon të kapërcejë krizën e banesave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë