Institucionet e RMV-së transparente vetëm në letër, por 41% kanë bërë hapa prapa

    Institucionet maqedonase kanë shënuar një përmirësim të lehtë në transparencën aktive këtë vit, por shumë prej tyre kanë shënuar regres krahasuar me vitin e kaluar. Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale kryeson listën për vitin 2026, duke qenë e vetmja që ka arritur maksimumin prej 100 për qind, përcjell Nistori.

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion, Qendra për Komunikime Qytetare ka publikuar renditjen e rregullt vjetore të institucioneve sipas Indeksit të Transparencës Aktive, përkatësisht sipas publikimit proaktiv të informacioneve me karakter publik. Indeksi përfshin 102 institucione: Qeverinë, të gjitha ministritë dhe komunat.

    Indeksi nxjerr në pah këto aspekte kryesore:

    • Transparenca mesatare aktive e ministrive, Qeverisë dhe komunave për vitin 2026 është 82% (nga maksimumi i mundshëm prej 100%), dy pikë përqindjeje më shumë se vitin e kaluar, kur ishte 80%.
    • Transparenca aktive e ministrive dhe Qeverisë është 86%, që paraqet një përmirësim prej dy pikësh përqindjeje krahasuar me 84% vitin e kaluar. Me këtë, Qeveria dhe ministritë janë rikthyer në nivelin e transparencës aktive të viteve 2023 dhe 2024.
    • Edhe komunat kanë përmirësuar nivelin e transparencës aktive me dy pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 81%, nga 79% sa ishte vitin e kaluar.
    • Pavarësisht përmirësimit mesatar, 41% e institucioneve të përfshira në indeks e kanë përkeqësuar transparencën e tyre aktive në vitin 2026.
    • Pas pesë vitesh në krye të renditjes, Ministria e Mbrojtjes nuk është më në vendin e parë. Këtë vit, vendin e parë e ka marrë Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, e cila është e vetmja ministri që ka arritur maksimumin prej 100% të transparencës aktive.
    • Ndër komunat, katër prej tyre renditen në vendin e parë me 100% transparencë aktive: Gradsko, Demir Hisar, Zrnovci dhe Shtip. Asnjë nga komunat që kryesonin renditjen vitin e kaluar nuk e ka ruajtur pozicionin.
    • Ndër rajonet, për të katërtin vit radhazi, Rajoni Lindor renditet në vendin e parë, me një nivel edhe më të lartë të transparencës aktive krahasuar me vitin e kaluar – 91%, kundrejt 88% vitin e kaluar.
    • Në vendin e fundit, me nivelin më të ulët të transparencës aktive nga të gjitha institucionet e renditura, është sërish Komuna e Lozovës, me 36,9% nga maksimumi i mundshëm prej 100%.
    • Si ministritë, ashtu edhe komunat publikojnë më pak informacione në fushën e financave: ministritë 71%, ndërsa komunat 64% nga maksimumi i mundshëm prej 100%.
    • Sa u përket përgjigjeve ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, të cilat iu dërguan të gjitha institucioneve në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën pyetje, 32% e institucioneve e dorëzuan përgjigjen pas afatit ligjor ose nuk iu përgjigjën fare kërkesës.

    Hulumtimin e plotë mund ta gjeni në linkun në vijim:

    https://www.ccc.org.mk/wp-content/uploads/2026/09/aktivna-transparentnost-2026.pdf

    Lajmi Paraprak

    Siljanovska: BE-ja e paaftë të integrojë një rajon me vetëm 18 milionë banorë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë